“Kam oferta”, Elvi Berisha nuk fshihet: Zhgënjim total, Skënderbeu s’e meriton rënien

Elvi Berisha shënoi golin e katërt për këtë kampionat në ndeshjen ndaj Dinamos, por në frymën e fundit blutë barazuan me penallti dhe Skënderbeu zbriti matematikisht nga Kategoria Superiore. Pas 13 vitesh të mbushura me suksese të jashtëzakonshme në elitë, ekipi në sezonet e fundit pati një rënie të lirë. Tashmë korçarët janë të detyruar të pranojnë verdiktin e kampionatit, teksa në sezonin e ardhshëm do të luajnë në Kategorinë e Parë.

berisha

“Jam shumë i zhgënjyer për këtë barazim ndaj Dinamos. Nuk mund të ndodhte kështu, pasi ishte gabim komplet kjo që bëmë. E kishim fitoren në dorë dhe të vjen keq që ndodh kështu, por ky është futbolli dhe duhet ta pranojmë”, ka thënë fillimisht Berisha në një prononcim për “Panorama Sport” pas barazimit ndaj Dinamos. Ai është i kënaqur me faktin që u rikthye te goli, por fitorja që mund të mbante gjallë shpresën e bardhekuqve nuk u arrit. “Natyrisht më lumturon fakti që shënova, por më vjen keq që ky gol nuk vlejti për t’i dhënë fitoren ekipit”, deklaroi më tej sulmuesi i krahut.

E ARDHMJA – Rënia nga elita ka bërë që shumë futbollistë të Skënderbeut të mendojnë për t’u larguar nga skuadra. Sigurisht pjesa dërrmuese e ekipit është nën kontratë edhe për sezonin e ardhshëm, por marrëveshjet mes palëve pas zbritjes nga Superiorja, tashmë do të rishikohen. I pyetur për të ardhmen, vetë Berisha pranoi se ka disa oferta, por që do t’i shqyrtojë në bashkëpunim me presidentin Ardjan Takaj, për vetë faktin se është ende nën kontratë.

“Nuk e di, por do të pres një herë të mbarojë kampionati dhe më pas do të ulem të flas me presidentin për të ardhmen. Jam nën kontratë me Skënderbeun edhe për gjashtë muaj, por për çdo gjë në lidhje me të ardhmen time, do ta shqyrtoj me presidentin. Kam disa oferta, por dua t’i shikoj me kujdes të gjitha. Janë edhe klube jashtë vendit që më kanë kontaktuar, por do të zgjedh më të mirën për veten në kohën e duhur”, përfundoi Berisha. 23-vjeçari i formuar si futbollist tek Apolonia ka dy sezone e gjysmë pjesë e Skënderbeut, ndërsa më parë ka qenë te Tirana dhe Laçi.

FRASHËRI – Mbrojtësi i djathtë korçar, Erlis Frashëri, ka fituar në FIFA gjyqin me klubin kosovar të Drenicës për një shumë që shkon rreth 10 mijë euro. “FIFA ka vendosur që klubi i Drenicës të më shlyejë për 45 ditë borxhin, duke filluar nga data 20 prill. Unë kam tentuar që së paku gjysmën e borxhit t’ia fal klubit, përmes marrëveshjes, por as kjo nuk më është mundësuar. Tani nuk do t’ia fal asnjë cent”, ka thënë për mediat kosovare lojtari i Skënderbeut.

ABDULLA DUSHKU – Arena e Lajmit


“Kam oferta”, Elvi Berisha nuk fshihet: Zhgënjim total, Skënderbeu s’e meriton rënien

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook