Deputeti Pandeli Majko, gjatë seancës dëgjimore për Raportin Vjetor të veprimtarisë së Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar gjatë vitit 2021, i ka drejtuar disa pyetje kreut të SPAK, Arben Kraja.
Majko është ndalur tek shpallja non-grata e zyrtarëve të lartë, duke e pyetur kreun e SPAK sesi është çmuar kjo nga kompetencat ligjore.
“Si e ka çmuar SPAK nga kompetencat e ligjore, vendimet për shpalljen non-grata ndaj një zyrtari të lartë në kuadër të nenit 24/6 të kodit të procedurës penale. E vlerësoni këtë si një indicie apo shkak për proaktivitet?”, ishte pyetja e Majkos.
Kraja është përgjigjur duke thënë se nuk i lejohet që të bëjë komente për vendime të institucioneve të tjera.
“Kjo është pyetje që s’mund të jap përgjigje, e kemi të ndaluar me ligj të japim opinion për institucione të tjera, të brendshme apo të jashtme”, u shpreh ai.
Ndërkohë Majko iu drejtua Krajës duke i thënë se “keni vetëm një kundërshtarë, pritshmëritë që publiku dhe jo vetëm politika ka në marrëdhënie me ju”.