Pas shtatë fitoreve radhazi, Kastrioti po kalon një ngërç, teksa humbi në transfertat e Korçës dhe Laçit. Sipas mbrojtësit të majtë, Armando Rami, kjo ecuri është normale kur një skuadër arrin objektivat sezonalë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, titullari i krutanëve theksoi se Kastrioti do të synojë të rikthehet te rezultatet pozitive këtë javë kundër Teutës.
“Këto dy humbje erdhën në një kohë kur kishim shumë javë që vetëm fitonim. Mbase ka ndikuar edhe arritja e objektivit apo lodhja. Megjithatë, shpresoj dhe besoj, që duke filluar që nga ndeshja e radhës me Teutën, skuadra do të rikthehet te rezultatet pozitive”, deklaroi Rami, i cili ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë me krutanët, duke qenë titullar në krahun e majtë.
MUNGESA – Kastrioti do të presë Teutën të shtunën në Kamzë në orën 17:00, në një ndeshje ku të dyja skuadrat e kanë arritur objektivin, paçka se mund të kenë shanse të mëdha për vendin e katërt. Për këtë ndeshje, trajneri Emiljano Çela duhet të bëjë pa Bedri Grecën, i pezulluar prej kartonëve, por edhe Silvio Zogajn të dëmtuar. Me mungesën e dy krahëve, teknikut të krutanëve do t’i duhet që të aktivizojë lojtarë të tjerë, ku një prej tyre është Eneid Kodra, i cili shpesh këtë sezon e ka nisur titullar, duke bërë mirë. Pjesa tjetër e ekipit është e gjitha në dispozicion. Për ndeshjen me “djemtë e detit”, ashtu si ndaj Laçit, me shumë mundësi do t’u jepet hapësirë edhe lojtarëve të rinj që nuk janë aktivizuar shumë këtë sezon.
– Arena e Lajmit