Finalja e Kupës së Italisë mes Juventusit dhe Interit ka tërhequr vëmendje më shumë se sa zakonisht. Fakti që Juventusi rrezikon të mbyllë sezonin pa trofe, apo që Interi vjen si ekipi favorit në këtë duel, i ka dhënë një rëndësi shumë të madhe sfidës që po ndiqet me interes jo vetëm nga publiku i thjeshtë.
Kështu, në tribunat e stadiumit “Olimpico” në Romë, janë të pranishëm shumë personazhe të njohur të sportit e jo vetëm të cilët po ndjekin këtë supersfidë. Mediat italiane raportojnë se duelin drejtpërdrejt në këtë takim aktualisht po e ndjekin ish-futbollistë si Toti, Kandela, Peruci, Vieri, Broki e Mauri, ish-trajneri i Italisë, Marçelo Lipi, drejtues futbolli si Branka, e Gravina por edhe prezantuesi i njohur italian Bepe Fiorelo.
Ndërkohë, raportohet se në tribunë është edhe një figurë e njohur për futbollin shqiptar, ish-trajneri i Tiranës, Ze Maria. Braziliani ka një të kaluar si futbollist i Interit dhe duket se është në mbështetje të zikaltërve në këtë finale.
Arena e Lajmit