Dëmtimi i zonës së mbrojtur të Kune-Vainit, Gjykata e Lezhës jep vendimin për zyrtarin e mjedisit dhe 2 vartësit e tij

Kune

Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi për drejtorin e AdZM -së, Pjeter Toni, ndërsa arrest me burg për dy vartësit e tij Tom Gjelaj dhe Armando Lleshaj.

Gazetari Elidon Ndreka raporton për BalkanWeb se Prokurori Sabri Kastrati kishte kërkuar arrest me burg për tre zyrtaret, por gjyqtari Artan Hajredinaj vendosi ta lirojë nga qelia drejtorin e AdZM -së.

Kujtojmë se tre zyrtarët u arrestuan ditën e premte, për veprën penale shpërdorim detyre, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”.

Njoftimi i policisë pak ditë më parë:

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë Lezhë, operacioni i koduar “Tjetërsimi i Lagunes” për goditjen e veprimtarive të paligjshme në zonat e mbrojtura.

Vihen në pranga drejtori dhe 2 punonjës të AdZM Lezhë. Shpallet në kërkim 1 punonjës tjetër.

Operacioni është në vijim, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Në kuadër të planit të masave për ruajtjen e zonave të mbrojtura nga veprimtaritë e paligjshme, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara se në zonën e mbrojtur “Laguna Kune-Vain” po kryhej veprimtari e paligjshme, pas një hetimi disamujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tjetërsimi i Lagunes”.

Si rezultat i këtij operacioni janë ndaluar 3 shtetas, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin e datës 03.06.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, konkretisht:

– P. T., 61 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë drejtor i AdZM Lezhë;

– A. Ll., 27 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë specialist i Sektorit të Monitorimit pranë AdZM Lezhë;

– T.Gj., 63 vjeç, banues në Ishull-Lezhë, me detyrë roje mjedisore i AdZM Lezhë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit P. N., 61 vjeç, banues në Lezhë, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Monitorimit në AdZM Lezhë.

Këta shtetas nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore për funksionet e tyre. Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit, konkretisht në vendin e quajtur “Grykëderdhja e Matkeqës”.

Operacioni vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

Dëmtimi i zonës së mbrojtur të Kune-Vainit, Gjykata e Lezhës jep vendimin për zyrtarin e mjedisit dhe 2 vartësit e tij

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook