EKSKLUZIVE/ Nga atlet në sulmues te Vllaznia, Çoba: Ju tregoj ëndrrën

Mehdi Çoba ishte heroi i Vllaznisë në ndeshjen e fundit ndaj Kukësit, pasi me golin e tij në shtesë i dha ekipit tri pikë shprese për Europën. Në rrëfimin e tij ekskluziv për “Panorama Sport” Çoba tregon çfarë i tha trajneri Plori para se ta aktivizonte, a kishte frikë se goli mund t’i anulohej, si dhe dëshira që ka për t’i shënuar edhe Tiranës.

Coba logo

Interesant është fakti se Çoba e ka nisur sportin që fëmijë si atlet, duke fituar edhe medalje, ndërsa tani ëndërron kombëtaren shqiptare si futbollist. Më tej, 22-vjeçari tregon edhe marrëdhëniet që ka me shokët e skuadrës, ndërsa petullat që gatuan nëna e tij, sulmuesi nuk i ndërron me asnjë ushqim tjetër.

Mehdi, cila ishte gjëja e parë që menduat kur u futët në fushë ndaj Kukësit në minutën e 91-të, kur rezultati ishte 1-1?

Gjëja e parë që mendova kur u futa në lojë ishte thjesht t’i shpërbleja besimin gjithë stafit të Vllaznisë dhe të shënoj gol sepse besoj që kishte ardhur koha të shënoja.

Çfarë ju tha konkretisht trajneri Plori në momentin e aktivizimit?

Profesor Plori në çdo ndeshje më jep këshilla dhe besimin që të shënoj, por këtë herë ishte ndryshe, sepse më tha që futu në fushë, qëndro para portës dhe prit golin. Sikur edhe ai e kishte parandier një gjë të tillë.

Pasi shënuat, më pas hoqët edhe fanellën gjatë festës. A e kishit frikën se goli mund të anulohej nga VARi?

Në momentin që shënova nuk mendova asgjë tjetër përveç se të festoja. Pastaj mendova që mund të anulohej, por kisha besimin që do të quhej gol i rregullt, sepse ishte e treta herë dhe e vërteta që shënoja. Kësaj here nuk besoja që mund të anulohej goli.

Nga protagonist në ndeshjet e Europës tek aktivizimi i paktë në kampionat. Çfarë ka ndikuar më tepër, konkurrenca në sulm apo mungesa e besimit?

Siç e kam thënë, besimi nuk mungon, por është konkurrenca e madhe që në çdo ndeshje duhet të japësh maksimumin që të meritosh një vend në formacion.

Coba atletike logo

Pas këtij goli, e ëndërro ni edhe një ndaj Tiranës? Më pëlqen shumë të shënoj gola ndaj ekipeve të mëdha, por më e rëndësishme është paraqitja e ekipit dhe fitorja, sesa goli që mund të shënoj unë. Kush nuk e ëndërron një gol ndaj Tiranës. Do të ishte diçka e bukur për mua. Në këto momente ka më shumë rëndësi që të fitojmë ndaj Tiranës.

Patët një dedikim për gjyshin tuaj ish-futbollist, keni qenë shumë të lidhur me të?

Lidhja ime me gjyshin ka qenë gjithmonë e fortë dhe çdo arritje imja i dedikohet atij, sepse donte që unë të bëhesha një sportist i zoti.

Cili futbollist i klasit botëror ju ka frymëzuar në karrierën tuaj?

Në botë ka shumë futbollistë klasi, por një që më motivon më shumë është Kristiano Ronaldo. Besoj se është një idhull për të gjithë futbollistët në botë dhe që duhet ndjekur.

Për cilin klub europian bëni tifozllëk?

Reali i Madridit është klubi europian që bëj tifo. Është përherë një emër i madh në futbollin botëror.

Cila është ëndrra juaj më e madhe në futboll?

Njëra nga ëndrrat e mia është realizuar, që të luaj për fanellën e Vllaznisë. Tani kam edhe dy ëndrra të tjera: të kaloj në një ekip jashtë vendit dhe e dyta është të luaj për Kombëtaren shqiptare. Ky do të jetë një nder i madh për mua, si për çdo sportist që përfaqëson ngjyrat e vendit të tij.

Na shuani një kuriozitet, sportin e keni nisur fëmijë si atlet duke fituar edhe medalje, por si përfunduat në futboll?

Po, është e vërtetë që nga mosha 10-12 vjeç kam qenë pjesë e ekipeve të atletikës. Në moshën 12- vjeçare kam fituar disa vende të para në garat e shpejtësisë, 50 dhe 100 metra. Por që nga mosha 13-vjeçare e në vazhdim i jam bashkuar futbollit. Ka qenë dëshira ime që të bëhem pjesë e një sporti kolektiv dhe kjo më bëri që të kaloj nga atletika te futbolli.

Shoku juaj më i ngushtë te Vllaznia?

Në fakt unë shkoj mirë me të gjithë, por mund të veçoja dy prej tyre, Kledi Paloka dhe Entoni Shkoza, me të cilët kaloj pjesën më të madhe të kohës.

Kush ju ngacmon më tepër me batuta në ekip?

(Qesh)… Është gjithmonë njëri që bën batuta më shumë në ekip dhe ai që ngacmon më tepër se të gjithë, Ardit Krymi. Unë shkoj shumë mirë më të dhe është ndër lojtarët që më ndihmon gjithmonë kur futem në fushën e lojës duke më dhënë moral.

Ushqimi i preferuar i Mehdi Çobës?

Ushqimi im i preferuar janë petullat e nënës sime dhe besoj se janë më të mirat në botë dhe që nuk do t’i ndërroja me asnjë ushqim tjetër.

Nëse nuk do të ishit bërë futbollist, me çfarë do të merreshit?

Nëse nuk do të isha futbollit do të isha bërë mësues i edukimit fizik, pasi edhe shkollën po e mbaroj për këtë gjë.

Keni rinovuar kontratën, cilat klube insistuan për ju përpara se të firmosnit me Vllazninë?

Po, firmosa tek ekipi i qytetit tim dhe ndihem shumë mirë te Vllaznia. Teuta dhe Tirana ishin dy ekipet që insistuan më shumë. Dua t’i falënderoj për interesimin e tyre, por mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur për në Kategorinë Superiore.

Cili është premtimi juaj për tifozërinë shkodrane?

Tifozët shkodranë janë më të mrekullueshmit në botë. Sa janë kritikë, po aq të mbështesin në momentet tua jo të mira. Pa ta nuk ka kuptim Vllaznia. Unë dua t’i falënderoj fort ata dhe dua që në çdo takim të jap maksimumin, në mënyrë që pas çdo takimi, ashtu si ndaj Kukësit, të dalin vetëm të kënaqur. Ata janë një shtysë për ekipin, sidomos për ne futbollistët shkodranë.

ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit


EKSKLUZIVE/ Nga atlet në sulmues te Vllaznia, Çoba: Ju tregoj ëndrrën

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook