Një operacion i antimafias italiane ka çuar në pranga 11 trafikantë droge, 5 prej të cilëve italianë dhe 6 shqiptarë, që banonin në provincat e Barit, Foggia-s e Lombardisë.
Nga hetimet e koordinuara të autoriteteve italiane, shqiptare dhe evropiane ka rezultuar se pas arrestimeve të fundit, që kanë ndikuar në trafikun e drogës mes dy brigjeve të Adriatikut, grupet kriminale kanë zhvendosur prodhimin e drogës nga Shqipëria në krahinat e Barit dhe Foggia-s.
Në këto dy zona janë sekuestruar dy plantacione, të përbëra nga mbi 8 mijë bimë kanabisi, me peshë një tonë e gjysmë, nga të cilat do të mund të bëheshin mbi 10 mijë doza droge për t’u hedhur në treg.
Hetimet janë kryer mes tetorit 2018 – tetorit 2019, ku u zbulua se transporti tokësor i drogës bëhej nga korrierët shqiptarë. Nga hetimet u zbulua edhe marrësi i lëndës narkotike, që ishte në Basilica dhe Sicili.
Arrestimet janë kryer në Pulia dhe Lombardi, ndërsa u sekuestrua 140 kg hashash, gjysmë kilogram kokainë e pastër, 113 kg marijuanë, si dhe dy pistoleta të kalibrit 9.
Arena e Lajmit