Skandal me tenderin 9,7 mln € për aksin Maliq-Strelcë, fituese oferta e Gjikuria, 1 mln € më e lartë. ARRSH skualifikoi 4 oferta më të lira

Tenderi

Vazhdon seria e tenderave abuzive të Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Kësaj radhe skandali është përsëritur me tenderin 1,18 miliardë lekë ose 9,7 milion euro për rikonstruksionin e aksit 19 km të gjatë Maliq-Lozhan i Ri-Strelcë, ku fituese ka dalë kompania Gjikuria me një ofertë sa 98,4% e fondit limit.

Konkretisht kompania Gjikuria ka ofruar 1.16 miliardë lekë, ndërsa skandali thellohet pasi kjo ofertë është renditur e pesta për nga çmimi. Oferta më e mirë dhënë nga bashkimi i operatorëve kryesuar nga kompania Arifaj ishte 1 miliardë lekë ose 8,7 milionë euro, plot 1 milion euro më e leverdisshme se oferta e dhënë nga kompania Gjikuria. Pastaj me radhë janë 3 oferta të tjera më të mira, por që janë skualifikuar nga Autoriteti rrugor shqiptar, i drejtuar nga Evis Berberi.

Nga 7 oferta ARRSH ka skualifikuar 5, mes tyre 3 oferta më të mira dhe 2 më të larta se oferta fituese e dhënë nga kompania Gjikuria. Ndërkohë në dokumentin zyrtar të shpalljes së fituesit siguruar nga News24, nuk ka asnjë informacion se pse është skualifikuar oferta e dhënë nga një bashkim operatoresh kryesuar nga kompania “BE – IS”, edhe pse kjo ofertë ishte e katërta më e leverdisshme, me një vlerë prej 9,4 milion euro, rreth 250 mijë euro më e lirë se oferta e kompanisë Gjikuria.

ARRSH ka renditur një sërë justifikimesh për skualifikimet, por dyshimet për paracaktimin e fituesit janë të mëdha pasi janë hequr katër oferta më të mira, që është dhe kriteri bazë i shpalljes së fituesit.

Skandal me tenderin 9,7 mln € për aksin Maliq-Strelcë, fituese oferta e Gjikuria, 1 mln € më e lartë. ARRSH skualifikoi 4 oferta më të lira

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook