Debate te komisioni i ligjeve për ngjarjet e ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku 2 policë rezultuan autorë krimesh.
Deputeti demokrat, Dashnor Sula u shpreh se duhet reagim për ngjarje të tilla, pasi sipas tij brenda policisë së shtetit 30-40% e efektivëve të rinj rezultojnë përdorues droge.
“Ne si Komision Ligjesh duhet të reagojmë për ngjarjet e rënda që kanë ndodhur brenda policisë së shtetit. 30-40% e policëve të rinj rezultojnë përdorues të lëndëve narkotike. Është imediate që policia e shtetit, elementët që janë rekrutuar jashtë kritereve të largohen. Janë ngjarje të përsëritura këto në polici”, deklaroi Sula.
Ndërkohë kryetarja e këtij komisioni, Klotilda Bushka inkurajoi policinë që të përjashtojnë elementët që prishin rendin.
“Mbështetje për drejtorin e policisë që të përjashtojë element që e prishin rendin. Ne si kuvend kaluam ligjin për mbikëqyrjen e policisë. Veç kritereve të forta për tu bërë pjesë e policisë, ato kritere duhen ndjekur edhe pasi rekrutohen”, u shpreh Bushka.