Vrasja e 27-vjeçarit nga Berati, Aleksandër Sadikaj me një shpërthim të telekomanduar tritoli, tronditi jo pak kryeqytetin ditën e djeshme.
Teksa policia është vënë në kërkim të autorëve të ngjarjes, detaje të reja janë zbuluar për jetën e të riut problematik, raporton “BalkanWeb”.
I njohur ndryshe si Aleksi i Memaliajt, ai mësohet se zotëron një biznes në këtë zonë, të quajtur “Sancho Farm Albania”, që sipas të dhënave nga QKB rezulton e regjistruar në janar të këtij viti.
Në faqen e Instagramit të biznesit të tij në sektorin e agrikulturës, janë postuar dhjetëra foto dhe video, ku Sadikaj shfaq pasionin e tij për kuajt.
Teksa resorti i 27-vjeçarit ofron edhe xhiro me kuaj, ai vetë shihet në një prej fotove krah një kali, që ka zgjedhur ta quajë Dajan, që siç duket ka qenë dhe i preferuari i Aleksandrit.
Ndërkohë në një video, i riu shihet duke kalëruar një tjetër kal, këtë herë me ngjyrë gri, të cilin e quan Sheiku.
Në faqen e Instagramit gjithashtu shihet se 27-vjeçari ka pasur në rrethin e tij shoqëror dy reperët e njohur nga Tirana, Finem dhe Solo.
Këta të fundit kanë xhiruar njërin prej videoklipeve të këngëve të tyre në ambientet e “Sancho Farm Albania” dhe për më tepër kanë postuar disa foto, ku në duar mbajnë edhe armë të ndryshme.