Është qëlluar me 6 plumba një 43 vjeçar shqiptar në Belgjikë. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, ndërsa mësohet se shënjestër ka qenë shtetasi Erion Hasanbelliu, i cili dyshohet si i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vendin tonë.
Policia belge ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur në kërkim, ndërsa dyshohet se është shtetas shqiptar, me inicialet K.N.
Nga informacionet e para mësohet se ai është qëlluar me 6 plumba, 4 nga të cilët e kanë kapur në trup. Ai është transportuar në spital në gjendje të rëndë dhe i është nënshtruar një operacioni.
Dyshohet se atentati është bërë për larje llogarish të vjetra. Hasanbelliu nuk është emër i panjohur për policinë, pasi ai bashkë me dy vëllezërit e tij janë përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale, siç ishte edhe “masakra e Sanatoriumit”.
Ngjarja në fjalë ndodhi në 19 gusht të vitit 2000. Po ashtu ata po gjykohen për vrasjen e Julian Çelës dhe plagosjen e Kasandër Nogën, në Anvers të Belgjikës, ngjarja e ndodhur në 2002.