Delvina rikthehet në Kategorinë e Dytë pas një sezoni mungesë. Të besuarat e Arjan Gugës mundën me shifrat 1-3 në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës ekipin e Gramozit.
Kolonjarët që në vitin 2010 luanin me “Galaktikët” e Realit të Madridit, nuk e shmangën dot dramën. Pas 12 vitesh në të Dytën, tashmë do të militojnë në Kategorinë e Tretë.
NDESHJA – Delvinjotët e nisën me vrull lojën. Fituan terren dhe qarkulluan dendur topin, derisa në të 8-ën minutë gjetën edhe avantazhin me atë gol të Santi Cullit.
Ai devijoi saktësisht me kokë një top të krosuar nga goditja e këndit. Kolonjarëve iu anulua një gol në minutën e 14-të. Gabriel de Souza goditi traversën.
Topin e rikthyer Aliko e dërgoi në rrjetë, por goli u cilësua i pavlefshëm për pozicion jashtë loje. Me avantazhin e delvinjotëve, skuadrat shkuan në pushim.
Në minutën e 72-të të pjesës së dytë Gramozi arriti të barazonte, falë një goditjeje të saktë në hyrje të zonës të Albion Mydinit.
Por, vetëm 5 minuta më vonë Delvina rimerr avantazhin me anë të Andi Gjeçit. Gramozi hidhet i tëri në sulm, gjë që i kushton shumë. Në një kundërpresing, Keli Musta vihet përballë portierit Kamberi dhe shënjestron saktë duke shënuar golin e tretë. Mbyllet 3-1 për Delvinën.
INCIDENTET – Pak çaste pasi Gramozi barazoi përkohësisht rezultatin me anë të Mydinit, në tribunat e spektatorëve shpërtheu një zënkë masive midis tifozëve. Menjëherë kanë ndërhyrë forcat e rendit dhe në pak minuta është vendosur qetësia.
– Arena e Lajmit
Loading…