DOSJA/ Vrasja e Julian Çelës dhe plagosja e Kasandër Nogës, si i shpëtoi dënimit në Shqipëri 43-vjeçari që u plagos me 6 plumba në Belgjikë

69

43-vjeçari shqiptar Erion Hasanbelli u qëllua në Belgjikë me 6 plumba dhe ndodhet në spital. Teksa tentativa e vrasjes ka risjellë në kujtesë përplasjet e shumta kriminale.

Hasanbelli, dyshohet i përfshirë në disa ngjarje kriminale në vendin tonë. Ndërkohë atentati dyshohet se është bërë për larje llogarish të vjetra. 43-vjeçari po ashtu është i përfshirë në ngjarjen e ndodhur në 19 gusht të vitit 2000, për vrasjen e Julian Çelës dhe plagosjen e Kasandër Nogës, në Anvers të Belgjikës, ngjarje  e ndodhur në 2002.

Ndërkohë ‘Balkan Web’ sjell detaje të procesit për 43-vjeçarin shqiptar i cili mbeti dje i plagosur, ndërsa është shpallur i pafajshëm në Shqipëri.

Nga burgimi i përjetshëm në pafajësi.

Dosja e plotë:
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë,

sot, në datë 17.03.2022, mori në shqyrtim, në dhomë këshillimi, çështjen penale me nr. 52104-00465-00-2017 akti që ju përket palëve që i përket:

KËRKUES: Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier
KUNDËR: Erion Hasanbelli, Geron Hasanbelli

AKUZUAR: Për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim për gjakmarrje” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/2, 25 të Kodit Penal, “Vrasja me paramendim për gjakmarrje” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/2, 25 e 22 të Kodit Penal dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal

KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË

pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Ilir Panda dhe diskutoi në dhomë këshillimit çështjen në tërësi,

VËREN:
Rrethanat e çështjes
Nga gjykimi i çështjes me procedurën e gjykimit të shkurtuar ka rezultuar se, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier ka  regjistruar procedimin penal  në ngarkim të të pandehurve Erion Hasanbelli dhe Geron Hasanbelli, të akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim për gjakmarrje” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78/2, 25 të Kodit Penal, “Vrasja me paramendim” për gjakmarrje në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/2, 25 e 22 të Kodit Penal dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal.

Nga vendimet e gjykatave të faktit, fakti penal rezulton i pasqyruar në këtë mënyrë:

Rezulton e provuar se, në datë 17.03.2002, në qytetin Antwerp, në Belgjikë, në një ambient bar “Pre-Historie”, rreth orës 17.15, janë qëlluar me armë zjarri shtetasit shqiptarë Julian Çela dhe Kasandër Noga.

Si pasojë, shtetasi Julian Çela ka mbetur i vdekur, ndërsa shtetasi Kasandër Noga ka mbetur i plagosur rëndë.

Nga autoritetet e policisë dhe të drejtësisë së shtetit të Belgjikës janë kryer veprimet hetimore, të cilat me anë të letërporosisë i janë dërguar shtetit shqiptar për të proceduar autorët e dyshuar të kësaj ngjarje. Nga njoftimet e para të marra nga Zyra e Interpolit në Tiranë, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Drejtoria Qendrore e Policisë Kriminale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier me datën 16.05.2002, ka regjistruar procedimin penal me nr. 273, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armës luftarake”, të parashikuar nga neni 79/dh dhe 278/2 të K. Penal në ngarkim të shtetasit Erion Hasanbelliu, duke u bazuar dhe në nenin 6 të Kodit Penal.
Në ngarkim të të pandehurit Erion Hasanbelliu është caktuar masa e sigurimit e arrestit në burg me vendimin nr. 137, datë 17.05.2002, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, masë sigurimi që nuk është ekzekutuar.

Prokurori i çështjes, në datën 16.02.2005, duke u bazuar në nenin 328/1, germa “dh”, të K.Pr.Penale, ka vendosur “Pushimin e hetimeve për procedimin penal nr. 273 të vitit 2002, ndaj shtetasit Erion Hasanbelliu, dyshuar për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtjes pa leje të armës luftarake” të parashikuar nga neni 79/dh dhe 278/2 të K.Penal, për mungesë provash.”
Vendimi i pushimit të çështjes i datës 16.02.2005, është shfuqizuar nga titullari i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e shfuqizimit datë 27.12.2007 dhe është urdhëruar vazhdimi i hetimit për procedimin penal nr. 273, të vitit 2002. Autoritetet belge në ekzekutimin e letërporosisë së kërkuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier kanë dërguar informacionin e kërkuar gjithsesj 80 fletë, në gjuhë të huaj.

Më datë 30.07.2008 është pyetur me cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit i dëmtuari nga vepra penale, Kasandër Noga, deklarimet e të cilit janë pjesë e fashikullit të gjykimit duke qenë se u procedua me gjykim të shkurtuar. Kur është pyetur menjëherë pas ngjarjes në datë 19.03.2002, shtetasi Kasandër Noga ka njohur në fotografi vetëm shtetasin Erion Hasanbelli, duke thënë se me 99% ai është personi që e ka qëlluar. Në deklarimin e datës 10.11.2002 ky shtetas ka mohuar të njihte personin që e ka qëlluar dhe atë që e shoqëronte.
Nga aktet, rezulton se është marrë dëshmia e dëshmitares Elena Bekerman e cila ka qenë kamarierja e lokalit “Pre-Historie”, ku ka ndodhur ngjarja. Sipas kësaj dëshmie, ka rezultuar se rreth Prehistorie” të datës 17.03.2002 rezulton se: “Rreth orës 17.00 dy persona kanë hyrë në lokal dhe porositën një kafe dhe një çaj. Pas rreth 20 minuta kanë hyrë në lokal dy persona të tjerë dhe porositën çaj me qumësht dhe u ulën në të njëjtin vend ku ishin ulur dy personat që u kishte herbyer më parë të cilët ishin ngritur nga tavolina. Papritur dy personat që u kishte shërbyer heren e parë, duke ardhur nga wc-ja u sulën mbi dy personat e ulur pranë dritares. Ndërsa ishte duke vrapuar, një prej tyre qëlloi mbi këta dy persona rreth 5 herë. Pastaj të dy u larguan ne drejtim të “Sint- Gummarusstraat”. Personi që qëlloi kishte veshur një rrobë të verdhë të modelit Milet. Ishte rreth 1 metër e 85 cm i gjatë, flokë të zeza fytyrë të rrumbullakët. Personi tjeter ishte rreth 1 metër e 75 cm. i gjatë, kishte veshur një xhaketë lëkure të zezë me flokë të zeza me fytyrë të parruar. Të dy ishin rreth 25 vjeç dhe flisnin një gjuhë të panjohur për mua, them se ishte shqip”.

Dëshmitarja Elena Bekerman është marrë ne pyetje edhe 2 ditë pas ngjarjes më datën 19.03.2002 dhe ajo ka deklaruar rreth ngjarjes si me poshtë: “Unë në të vërtetë mora dy filxhanët nga tavolina pastaj dy personat shkuan në tualet. Ishte një filxhan kafeje dhe një çaji. I kam larē menjëherë dhe i kam vendosur mbi raftin metalik. Të dy filxhanët e tjerë të papastruar janë të dy personave të tjerë që ishin ulur afër dritares”.

Më datë 28.03.2002 dëshmitares Elena Bekerman i është bërë një paraqitje për njohje me 6 fotografi të personave të ndryshëm nga të cilat ajo deklaron se: “Unë mund të them njëqindpërqind e sigurt se numri 4 është ai që qëlloi. Ishte ai që bëri pagesën. Dy kriminelëve u shërbeu pronari i kafes por personi i fotos 4 erdhi tek unë dhe më bëri pagesën. Dhe une mendoj se personi i fotos 4 i ngjan atij. Kriminelin e dytë nuk e kam parë mirë por di se ishte pak esmer”.

Sipas dëshmitarit Dilen Yakup, i cili është administratori i barit “Pre-Historie” në deklarimet e datës 17.03.2002, ky dëshmitar ka shpjeguar ndër të tjera se: “…Pastaj personi me xhaketë bezhë nxori një pistoletë të zeza. Duke qëlluar ai u largua nga dera e jashtme. Ky që qëlloi u ndoq nga personi me xhaketë të zezë lëkure që nuk kishte arme….Personi me xhaketë bezhë ka qenë rreth I m. e 75 cm. me flokë të shkurtra, bjond, i ri ndërmjet 20 dhe 40 vjec. Personi me xhaketë të zeze ishte rreth 1 m. e 70 cm. me flokë të zi dhe mjekër të zezë, ndërmjet 20 dhe 40 vjeç. Unë nuk i kam parë kriminelët dhe viktimat të flasin në celular. Kriminelët nuk e paguan porosinë.”
Veprimet e ndodhura në vendin e ngjarjes janë konfirmuar nga disa dëshmitarë okularë, të cilët ishin në vendngjarje Okcul Cemil, si dhe nga dy dëshmitarë që kanë parë autorët duke u larguar me vrap nga lokali përballë “Bar Tpsy” Martin Eytick, Roland Maria Madalena Virginia. Nga dëshmitarët okularë janë dhënë karakteristikat fizike të autorëve, të cilët ishin 2 të rinj me flokë të zeza, si dhe kanë përshkruar edhe veshjet e tyre. Dëshmitari Oksuc Cemil, i pyetur në datë 17.03.2002, ka deklaruar gjithashtu faktet e mësipërme në lidhje me ngjarjen.

Sipas dëshmitarit Dilen Yakup, i cili është administratori i barit “Pre-Historie” dhe sipas deklarimit të datës 17.03.2002 ai ka deklaruar se: “…Pastaj personi me xhaketë bezhë nxori një pistoletë të zezë. Ai filloi të qëllonte në drejtim të klientëve që erdhën në fund…”

Më datë 20.03.2002 dëshmitari Dilen Jakup i është bërë një paraqitje për njohje me 16 fotografi të personave të ndryshëm. Sipas procesverbalit të mbajtur për këtë veprim rezulton se dëshmitari Dilen Yakup ka njohur të pandehurin Erion Hasanbelli (Jani Sotiri) si personi me xhaketë bezhë që qëlloi në ngjarjen e datës 17.03.2002, ku mbeti i vrarë shtetasi Julian Çela dhe u plagos shtetasi Kasandër Noga. Dëshmitari pasi ka parë fotografitë është shprehur se: “Unë e njoha menjëherë foton nr. 10 dhe jam njëqind për qind i sigurt se ky është personi që më datë 17 mars pasdite filloi të qëllonte në kafen time. Ky është krimineli. Kriminelin e dytë nuk e pashë shumë mirë, atë e pashë shumë pak.”

Rezulton gjithashtu se i dëmtuari Kasandër Noga, i pyetur ne datë 30.07.2008, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ku është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm, ka deklaruar rrethana të ndryshme rreth ngjarjes së datës 17.03.2002 në bar “Pre Historie”, në Anvers, Belgjikë. I dëmtuari deklaroi se ai dhe viktima Julian Çelaj kishin folur me të pandehurit ne telefon për t’u pajtuar lidhur me hasmërinë që kishin më përpara si pasojë e vrasjes së babait të tyre. I dëmtuari ka deklaruar se atë ditë e kishin lënë për t’u takuar me të pandehurit te bar “Prehistorie”. I dëmtuari ka deklaruar: “Porositëm diçka për të pirë dhe pritëm ulur në tavolinë rreth 20 min. Kemi parë që jashte lokalit po vinte për të hyre brenda në lokal shtetasi Geron Hasanbelli, me telefon në vesh duke folur. Kur ky shtetas ka qenë rreth 3 metër pa hyrë në lokal, nga krahu i kundërt i lokalit ka dalë shtetasi Erion Hasanbelli duke qëlluar drejt nesh me armë zjarri. Une kam marrë një plumb në bark dhe jam palosur me fytyrë nga xhami i lokalit. Në këtë moment kam parë dhe dëgjuar Geron Hasanbellin që erdhi tek dera e lokalit dhe kapi Erionin nga krahu i majtë duke i thënë “Hajde ikim se i vramë”, dhe i kam parë nga xhami duke u larguar.”

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier i ka njoftuar të pandehurit Erion Hasanbelli akuzën për kryerjen e veprave penale “Vrasje me paramendim për gjakmarrje” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/2, 25 e 22 të Kodit Penal dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/2 i Kodit Penal. Të pandehurit Geron Hasanbelli i është njoftuar akuza për veprat penale “Vrasje me paramendim për gjakmarrje” në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/2, 25 e 22 të Kodit Penal dhe “Vrasje me paramendim për gjakmarrje” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/2, 22 i Kodit Penal. Të pandehurit janë hetuar dhe gjykuar në mungesë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 217, datë 07.09.2009, ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Erion Hasanbelli për veprën penale të “Vrasjes”, kryer me paramendim për gjakmarrje, në bashkëpunim dhe bazuar në nenet 78/2 e 50/gj të K.Penal dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Erion Hasanbelli për veprën penale të “Vrasjes, kryer me paramendim për gjakmarrje, mbetur në tentativë, në bashkëpunim” dhe bazuar ne nenet 78/2 e 22 dhe 50/gj të K.Penal dënimin e tij me 21 ( njëzetë e një) vite burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Erion Hasanbelli për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit” dhe bazuar në nenin 278/2 i K.Penal dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 55 të K.Penal dënimin e tij përfundimisht me burgim të përjetshëm.

Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, përfundimisht i pandehuri Erion Hasanbelli dënohet me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim. Në llogaritjen e dënimit mbahet parasysh koha e paraburgimit e vuajtur nga data 17.05.2002 deri në dt. 02.07.2003.

Në bazë të nenit 388/d i K.Pr.Penale, deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Geron Hasanbelli për veprën penale të “Vrasjes, kryer me paramendim për gjakmarrje, në bashkëpunim parashikuar nga neni 78/2- 25 i K.Penal pasi nuk provohet se i pandehuri e ka kryer veprën penale.

Në bazë te nenit 388/d i K.Pr.Penale, deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Geron Hasanbelli për veprën penale të “Vrasjes, kryer me paramendim për gjakmarrje, në bashkëpunim të mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 78/2-25 dhe 22 i K.Penal pasi nuk provohet se i pandehuri e ka kryer veprën penale.”

Gjykata ka arsyetuar, ndër të tjera se, përsa i përket akuzës në ngarkim te të pandehurit Geron Hasanbelli, gjykata nuk e gjen të mbështetur në prova pretendimin e akuzës që ky i pandehur është bashkëautor i vrasjes se kryer më datë 17.03.2002 rreth orës 17:15 në bar “Pre Historie” në Antwerp, Belgjikë. Provat e vetme të pretenduara nga organi i akuzës në ngarkim të të pandehurit Geron (Geron) Hasanbelli janë veprimi i njohjes i bërë nga dëshmitarja Elena Bekerman dhe thëniet e fundit të datës 30.07.2002 të të dëmtuarit Kasandër Noga dhe të nënës së tij Afërdita Zyryka. Siç u analizua më lart gjykata hodhi poshtë pjesërisht ose plotësisht të treja këto prova.
Veprimi i njohjes së dëshmitares Elena Bekerman nuk është i besueshëm për gjykatën për arsye se njohja e bërë nga kjo dëshmitare ishte në kundërshtim me njohjen e bërë nga dëshmitari Dilen Yakup, i cili e njohu personin që qëlloi si i pandehuri Erion Hasanbelli dhe ky veprim i njohjes së bërë nga Dilen Yakup është plotësisht i besueshëm për gjykatën pasi përputhet dhe harmonizohet edhe me prova të tjera. Gjithashtu veprimi i njohjes se Elena Bekerman nuk përputhet as me thëniet e të dëmtuarit Kasandër Noga në momentet e para pas ngjarjes kur ky ka deklaruar para autoriteteve belge se personi që e qëlloi quhet Erion Hasanbelliu ndërsa personin tjetër nuk e njihte. Gjithashtu ky veprim i njohjes se Elena Bekerman nuk përputhet as me thëniet e kohëve të fundit, deklarimi i datës 30.07.2002 të të dëmtuarit Kasandër Noga ku ky ka përsëritur që e ka qëlluar i pandehuri Erion Hasanbelli. Njohja e bërë nga dëshmitarja Elena Bekerman për të pandehurin Geron (Gentian) siç u shpjegua më lart është kontradiktore edhe me deklarimet e bëra nga vetë kjo dëshmitare menjëherë pas ngjarjes para autoriteteve belge.

Për këto arsye gjykata krijon bindjen se i pandehuri Geron (Gentian) Hasanbelliu nuk ka qenë personi që ka qëlluar në drejtim të viktimës Julian Çela dhe të dëmtuarit Kasandër Noga, por ky person ka qenë i pandehuri Erion Hasanbelli. Ndërsa deklarimin inkriminues të të dëmtuarit Kasandër Noga në drejtim të të pandehurit Geron (Gentian) Hasanbelli gjykata e arsyetoi më lart që nuk e merr si të besueshëm pasi nuk përputhet me asnjë prove tjetër direkte apo indirekte dhe as me deklarimet e vetë të dëmtuarit Kasandër të dhëna gjatë kohës që është marrë në pyetje nga autoritetet belge menjëherë pas ngjarjes e në vazhdim.
Gjykata krijon bindjen se i dëmtuari Kasandër Noga ka bërë këtë pjesë të deklarimit të tij i shtyrë nga dëshira e tij subjektive për të dëmtuar familjen e të pandehurit Geron për arsye se janë në hasmëri të vazhdueshme që nga viti 2000 kur i dëmtuari Kasandër Noga u ka vrarë babain dhe një shok të pandehurve në spital ne Tiranë ku kishte shkuar për të vrarë pikërisht të pandehurin Geron (Gentian) për të cilin bën këtë deklarim inkriminues. Këtë arsyetim gjykata e mbështet edhe në faktin që i dëmtuari Kasandër mund të kishte deklaruar që në momentet e para pas ngjarjes emrin e të pandehurit Geron, si bashkëautor në këtë vepër. Por nuk e ka bërë një deklarim të tillë megjithëse e njihte shumë mirë të pandehurin Geron dhe të pandehurin Erion për të cilin është shprehur që në momentet e para pas ngjarjes që është autori i veprës. Gjithashtu gjykata nuk e merr si të besueshme as deklarimet e shtetases Afërdita Zyryka e cila është e ëma e të dëmtuarit Kasandër Noga dhe nuk ka qenë në vendngjarje por në deklarimin e saj i referohet komunikimit me djalin e saj Kasandër Noga.
Përfundimisht lidhur me të pandehurin Geron (Gentian) Hasanbelli, gjykata arrin në përfundimin se nuk ekzistojnë prova bindëse që të vërtetojnë akuzën në ngarkim të tij. Si rrjedhim bazuar në nenet 4 dhe 388/1/d të K.Pr.Penale i pandehuri Geron Hasanbelli duhet të deklarohet i pafajshëm, lidhur me akuzën, pra për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim për gjakmarrje” në bashkëpunim, parashikuar nga 78/2, 25 e të Kodit Penal dhe “Vrasje me paramendim” për gjakmarrje në bashkëpunim, e mbetur në tentativë parashikuar nga 78/2,25 e 22 të Kodit Penal.
Ndërsa për të pandehurin Erion Hasanbelli, gjykata nga shqyrtimi në tërësi i akteve të mësipërme krijon bindjen e plotë të bazuar në prova, në ligjin procedural e material se veprat penale të “Vrasje me paramendim për gjakmarrje në bashkëpunim, parashikuar nga 78/2, 25 të Kodit Penal, “Vrasje me paramendim” për gjakmarrje në bashkëpunim, e mbetur në tentativë parashikuar nga 78/2, 25 e 22 të Kodit Penal, “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”, parashikuar nga 278/2 i Kodit Penal janë konsumuar. Dhe informacioni i marrë nëpërmjet provave ku janë pasqyruar faktet të cilat mundësuan riprodhimin tërësisht të mekanizmit të ngjarjes, i cili është i saktë, e identifikon plotësisht njërin prej autorëve të këtyre veprave penale që është i pandehuri Erion Hasanbelli.
Gjykata arrin në përfundimin se i pandehuri ka konsumuar dy herë nenin 78/2 të Kodit Penal për shkak të anës subjektive të kryerjes së këtyre veprave nga i pandehuri. Veprimet e të pandehurit janë drejtuar për një motiv specifik si ai i gjakmarrjes i cili është element cilësues i veprës penale të kryer. Tek i pandehuri ky motiv i gjakmarrjes është krijuar dhe ka ekzistuar për dy individë të ndryshëm. I pandehuri është nxitur për gjakmarrje edhe ndaj viktimës Julian Çela edhe ndaj të dëmtuari Kasandër Noga. Për këtë arsye gjykata çmon të drejtë akuzën duke i kualifikuar veprimet e të pandehurit Erion kundrejt dy personave si dy vepra penale te ndryshme dhe jo sipas nenit 79/dh.

Kundër këtij vendimi, ka paraqitur ankim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier, duke kërkuar ndryshimin e vendimit për të pandehurin Geron Hasanbelli dhe deklarimin fajtor sipas akuzës.

25.1.. Kundër vendimit ka paraqitur ankim edhe i pandehuri Erion Hasanbelli, duke kërkuar prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes.

Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr. 710, datë 19.12.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 217, datë 07.09.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për të pandehurin Erion Hasanbelli.

Ndryshimin e vendimit të mësipërm për të pandehurin Geron Hasanbelli dhe duke e gjykuar çështjen në fakt për këtë pjesë:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Geron Hasanbelli për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes, të kryer me paramendim për gjakmarrje, në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 78/2, 25 te K.Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 21 vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Geron Hasanbelli për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes, kryer me paramendim për gjakmarrje, në tentativë, në bashkëpunim” dhe në bazë të neneve 78/2, 25, 22 të Kodit Penal dënimin e tij me 21 vjet burgim.

Në aplikim të nenit 55 të K.Penal dënimin e të pandehurit me 21 vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, urdhërohet zbritja e 1/3 te masës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Geron Hasanbelli me 14 (katërmbëdhjetë) vjet burgim.”

Gjykata e Apelit ka arsyetuar, ndër të tjera, se, bazuar edhe nga deklarimet e këtyre dëshmitarëve dhe dëshmitarëve okularë që kanë parë ngjarjen, gjykata i vlerëson të besueshme thëniet e të dëmtuarit Kasandër Noga sipas të cilit i pandehuri Geron (Gentian) ka qenë në vendngjarje dhe është afruar nga jashtë brenda ne momentin që i pandehuri Erion ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre.
Sa më sipër, nga tërësia e provave shkresore, deklarimet e dhena nga dëshmitarët Dilen Yakup, Elena Bekerman, Oksuc Cemil, Ëytinck Martin Jozefine Eugen, Rolant Maria Madalena Virginia, nga veprimi procedural i njohjes i bërë nga dëshmitaret Dilen Yakup dhe Elena Bekerman, si dhe nga deklarimet e të dëmtuarit Kasandër Noga dhe nga aktet e fashikullit të gjykimit në tërësi, Gjykata e Apelit arrin në bindjen se me date 17.03.2002 në bar “Pre Historie” ka qenë i pandehuri Erion Hasanbelli i cili ne bashkëpunim me te pandehurin Geron Hasanbelli, pasi ka parë shtetasit Kasandër Noga dhe Julian Çela, me të cilët prej vitesh ishin në hasmëri, kanë qëlluar në drejtim të viktimës Julian Çela dhe të dëmtuarit Kasandër Noga.
Kundër vendimit të mësipërm, ka ushtruar rekurs i gjykuari Geron Hasanbelli, me anën e të cilit ka kërkuar: Prishjen e vendimit nr. 710, datë 19.12.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 217 datë 07.09.2009 të Gjykatës së Shkallës së parë Fier.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 00-2015-2280 (133), datë 15.07.2015, ka vendosur: “Prishjen e vendimit nr. 710, datë 19.12.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në atë gjykatë me tjetër trup gjykues”.
Kolegji Penal, ndër të tjera, ka arsyetuar se vlerëson se në rastin konkret, në gjykimin në apel nuk është zhvilluar një gjykim i drejtë dhe i rregullt i parashikuar me ligj dhe i garantuar në Kushtetutë, për shkak se nuk është respektuar parimi i identitetit të përbërësve të trupit gjykues në marrjen e vendimeve të rëndësishme, për njoftimin dhe pjesëmarrjen e mbrojtësve të të dy të gjykuarve, por edhe për gjykimin e ankimeve ndaj vendimit të shkallës së parë.

Në rastin objekt rekursi, nga dosja gjyqësore kanë rezultuar ndërrime të shpeshta të përbërjes së trupit gjykues, fakt ky që padyshim ka ndikuar në dhënien e vendimit. Më konkretisht, vërehet se fillimisht me shortin e datës 06.11.2009, përbërja e trupit gjykues e gjykatës së apelit ka qenë e përbërë nga gjyqtarët Gjinovefa Gaba (‘Gj.G.’), Iliba Bezati (‘I.B.’), dhe Vasil Hanxhari (‘V.H.’). Por më tej, më 20.01.2010 gjyqtarja Gj.G, ka dhënë dorëheqjen, duke u zëvendësuar nga gjyqtarja Alma Liçaj (A.L.). Më pas, trupi gjykues ka qenë përbërë nga gjyqtarët A.L., Meme Rexho (M.R) dhe Sashenka Jonuzi (Sh.J.). Akoma më tej, trupi gjykues ka pasur përsëri ndryshime, pasi gjyqtarja M.R. është zëvendësuar nga gjyqtari V.H., dhe akoma më pas, gjyqtarja Sh.J. është zëvendësuar nga gjyqtarja I.B., kurse gjyqtarja ‘I.B.’ është zëvendësuar me gjyqtaren Sh.J, e cila më pas është zëvendësuar, përsëri me gjyqtaren I.B.

Në përfundim, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi rrethanat dhe faktet sikundër janë pranuar dhe nga vetë gjykata e apelit, në vështrim të parimeve kushtetuese dhe atyre të procedurës penale, vlerëson se vendimi i gjykatës së apelit nuk është marrë në përputhje me ligjin procedural dhe për këto shkaqe vlerëson se ai (vendimi) duhet të prishet dhe çështja t’i rikthehet edhe njëherë gjykimit pranë asaj gjykate.

Lidhur me shkaqet e tjera të rekurseve të të pandehurve, ato kanë të bëjnë me gjykimin e themelit dhe si të tilla do të mund të shqyrtohen gjatë procesit të rigjykimit të çështjes, në përputhje me parimin e një procesi të rregullt dhe të drejtat e mbrojtjes. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vlerëson se, pavarësisht shkaqeve që kanë çuar në ndryshime kaq të shpeshtë të përbërjes së trupit gjykues, dhe vonesave në gjykimin në apel, pas analizimit në tërësi të fashikullit gjyqësor, arrihet në konkluzionin se gjykimi në apel nuk ka qenë në përputhje me ligjin procedural. Prandaj, vendimi i gjykatës së apelit është rrjedhojë zbatimit të gabuar të ligjit procedural, dhe se çështja duhet të dërgohet për rishqyrtim në gjykatën e apelit Vlorë, me tjetër trup gjykues, i cili duhet të shqyrtojë çështjen me përbërje tjetër nga ata që janë përfshirë në gjykimin e kësaj çështjeje, sipas përfundimeve dhe frymës së këtij vendimi.

Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr. 6, datë 24.01.2017, ndër të tjera, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 217 datë 07.09.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në lidhje me disponimet për të pandehurin Geron Hasanbelli.

Prishjen e vendimit të mësipërm për disponimet për të pandehurin Erion Hasanbelli dhe pushimin e çështjes penale në ngarkim të tij.”

Gjykata e Apelit, ndër të tjera, ka arsyetuar se, vendimi nr. 217, datë 07.09.2009, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, me të cilin është deklaruar fajtor dhe dënuar i pandehuri Erion Hasanbelli është marrë në kundërshtim me provat dhe në interpretim të gabuar të ligjit procedural dhe për pasojë për këtë pjesë duhet të prishet dhe çështja penale në ngarkim të tij të pushohet pasi nuk provohet përtej dyshimit të arsyeshme se ai ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar. Ndërsa në lidhje me disponimin për të pandehurin Geron Hasanbelli vendimi duhet të lihet në fuqi si vendim i marrë në zbatim të drejtë të ligjit material dhe procedural dhe në harmoni me provat që ndodhen në dosje.

Gjykata e Apelit konstaton se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier në lidhje me të pandehurin Erion Hasanbelli u është marrë në shkelje të dispozitave procedurale urdhëruese, vendimi është mbështetur mbi prova të marrë në shkelje të ligjit, për pasojë të papërdorshme, nga provat e marra në përputhje me ligjin procedural penal nuk provohet që i pandehuri të ketë kryer veprën penale, ndaj vendimi i ankimuar në lidhje me pjesën që ka disponuar për këtë të pandehur do të prishet dhe çështja penale në ngarkim të tij do të pushohet.

Në lidhje me të pandehurin Geron Hasanbelli, Gjykata e Apelit çmon se nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier janë analizuar drejtë të dhënat që kanë rezultuar nga provat e pranuara për shqyrtim dhe konkluzioni se i pandehuri Geron Hasanbelli u nuk ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet është i drejtë. Siç dhe është parashtruar më lart, procedimi penal nr.273 në ngarkim të të pandehurit Erion Hasanbelli është regjistruar në datën 17.05.2002. Ky vendim është pushuar në datën 16.02.2005, pasi nga të dhënat që rezultonin nga veprimtaria hetimore nuk provohej që i dyshuari të kishte kryer veprat penale për të cilat dyshohej. Ndërkohë para se të merrej vendimi i pushimit të procedimit penal, hetimi paraprak kishte zgjatur dy vjet e nëntë muaj.

Rezulton që ndërkohë që procedimi penal ka qenë i pushuar, në datën 05.03.2007, nga Prokuroria e Rrethit niset kërkesa drejtuar autoriteteve gjyqësore belge për marrjen e provave me anë të letërporosisë, fakt që rezulton i provuar me shkresën nr. prot 1049 datë 05.03.2007.  Më datë 27.12.2007, Prokurori i Rrethit Fier ka vendosur shfuqizimin e vendimit të pushimit të procedimit penal nr. 273 dhe rifillimin e hetimeve, bazuar në nenin 326/3 të K.Pr.Penale.

Në rastin e vendimit të pushimit të procedimit penal nr. 273 datë 16.02.2005, rezulton që ky vendim nuk është shqyrtuar në rrugë gjyqësore, por as nga prokurori më i lartë.  Rezulton që vendimi i shfuqizimit të procedimit penal është marrë më shumë se dy vjet më vonë, dhe i mbështetur në nenin 326/3 të K.Pr.Penale sipas të cilit:  “Hetimi i pezulluar rifillon me vendim të prokurorit”. Ndërkohë që procedimi penal nr. 273 i vitit 2002 nuk ka qënë asnjëherë i pezulluar.

Gjykata e Apelit konstaton se nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier vendimi në lidhje me të pandehurin Erion Musabelliu është mbështetur në aktet të cilat janë kërkuar dhe kanë ardhur ndërkohë që nuk kishte procedim penal në ngarkim të tij, pra janë marrë nga prokuroria në shkelje të ligjit. Gjykata e Apelit vlerëson se konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë se për shkak të procedimit me gjykim të shkurtuar, bazuar në nenin 403 e vijues të K.Pr.Penale nga të pandehurit është pranuar të gjykoheshin në gjendjen që ishin aktet, për këtë shkak ka rrëzuar kërkesën e tyre për papërdorshmëri të provave, është i gabuar dhe i pambështetur në nenet 151/1 dhe 151/4 të K.Pr.Penale.
Gjykata e Apelit vlerëson se duke qenë se nga prokuroria janë marrë prova, me anë të letërporosisë, kur hetimi paraprak kishte përfunduar, në kundërshtim me nenin 151/1 të K.Pr.Penale sipas të cilit provat merren nga prokuroria gjatë hetimit paraprak, bazuar në nenin 151/4 të K.Pr.Penale aktet e marra me anë të kërkesës për marrjen e provave me anë të letërporosisë të datës 05.03.2007 janë prova të papërdorshme. Gjykata e Apelit konstaton gjithashtu se pas vendimit të shfuqizimit të vendimit të pushimit të procedimit penal nr. 273 të vitit 2002, i cili është marrë në datën 27.12.2007, nga prokuroria është marrë vetëm një vendim për zgjatjen e afatit hetimor në datën 15.07.2008. Ndërkohë rezulton se që prej datës 27.12.2007 kur është shfuqizuar vendimi i pushimit të procedimit penal, deri në datën 15.07.2008 nuk është kryer asnjë veprim hetimor. Rezulton e provuar që procedimi penal është rifilluar për shkak të vendimit të shfuqizimit të vendimit të pushimit të procedimit penal, por deri në datën 15.07.2008 nuk ka asnjë vendim për zgjatjen e afatit të hetimit në lidhje me të dyshuarin Erion Musabelli.

Nga prokuroria në datën 20.07.2008 është marrë vendim për përkthimin e akteve të dërguara nga autoritetet belge në datën 06.11.2007, përkthim i cili është kryer në datën 24.09.2008. Pavarësisht se baza e të dhënave ka qënë e njëjtë, pasi nuk është administruar materiali i dërguar nga autoritetet belge i përkthyer, në datën 10.09.2008 nga prokuroria regjistrohet si person të cilit i atribuohet vepra penale edhe emri i të pandehurit Geron Hasanbelli.

Me vendimin datë 24.09.2008, prokuroria ka vendosur të marrë me cilësinë e të pandehurit shtetasin Geron Hasanbelli për veprat penale të “Vrasjes me paramendim” kryer për gjakmarrje në bashkëpunim, “Vrasjes me paramendim” për gjakmarrje në bashkëpunim të mbetur në tentative, të parashikuar nga nenet 78/2/25, dhe 78/2/25/22 të K.Penal. Ky vendim i është komunikuar mbrojtësit të caktuar kryesisht të të pandehurit. Me datë 09.10.2008 prokuroria ka marrë vendim për dërgimin e çështjes në gjyq, pasi në këtë datë u ka vënë në dispozicion aktet me qëllim njohjen e tyre, mbrojtësve të të pandehurve.

Gjykata e Apelit konstaton se të gjitha veprimet hetimore të kryera nga prokuroria pas rifillimit të procedimit penal janë marrë në shkelje të neneve 323 e vijues të K.Pr.Penale. Rezulton që vendimi i shfuqizimit të vendimit të pushimit të procedimit penal nr.273 të vitit 2002 është marrë në datën 27.12.2007.  Duke qenë se i pandehuri Erion Musabelli ka qënë në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, madje ndaj tij ka qenë caktuar edhe masë sigurimi “arrest në burg“, afati i përfundimit të hetimit paraprak kishte përfunduar edhe ditën që është marrë vendimi i shfuqizimit të procedimit penal. Gjithsesi, edhe në rast se me rifillimin e procedimit penal të fillonin afate të reja për procedimin penal, prokuroria ka tejkaluar afatin tremujor të parashikuar në nenin 323 të K.Pr.Penale, duke qënë se vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq është marrë në datën 09.10.2008, pra nëntë muaj pasi është marrë vendimi për shfuqizimin e procedimit penal. Gjykata e Apelit çmon se vendimi për zgjatjen e afatit të hetimit paraprak i marrë në datën 15.07.2008, për një periudhë 15.07.2008-15.10.2008 është marrë jashtë afatit hetimor, pasi siç u arsyetua më lart si dhe është arsyetuar edhe në vendimin për zgjatjen e afatit hetimor, prokuroria në këtë datë nuk kishte më afat hetimor.

Pra, bazuar në nenin 323, 324 të K.Pr.Penale nga ana e prokurorisë janë kryer veprime hetimore në procedimin penal në ngarkim të të pandehurit Erion Hasanbelli ndërkohë që afati për kryerjen e këtyre veprimeve kishte përfunduar dhe nuk mund të zgjatej më. Këto veprime hetimore kanë të bëjnë me caktimin e përkthyesit, administrimin e akteve të dërguara nga shteti i huaj, të përkthyera, kërkimin e të pandehurit, njoftimin e akuzës, dhe dërgimin e çështjes në gjykim.

Gjykata e Apelit konstaton se vendimi i ankimuar në lidhje me të pandehurin Erion Hasanbelli mbështetet në aktet e dërguara me letërporosi, ndër të cilat janë aktet e paraqitjes për njohje e datës 20.03.2002 e kryer me dëshmitarin Dilen Jakup dhe ai i datës 28.03.2002 i kryer me dëshmitaren Elena Bekerman, deklarimet e shtetasve të huaj Dilen Jakup, Elena Bekerman, Okcul Cemil të ndodhur në të njëjtin lokal ku ndodhi ngjarja dhe Martin Ëytick, Roland Maria Madalena Virginia, të cilët ndodheshin në lokalin bar “Tpsy”, dëshmitarë okularë,  veprime procedural të kryera nga organet hetimore belge, si dhe në deklarimet e të dëmtuarit Kasandër Noga dhe nënës së tij Aleksandra Noga, deklarime të cilat janë marrë në datën 30.07.2008 nga oficeri i policisë gjyqësore në Shqipëri.

Në konkluzion të arsyetimeve të mësipërme, në lidhje me aktet e paraqitjes për njohje, duke qenë se janë marrë në shkelje të ligjit, Gjykata e Apelit çmon se duhet të ishin cilësuar të papërdorshme nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, dhe si të tilla duhet të ishin përjashtuar nga provat që do të përdoreshin në marrjen e vendimit përfundimtar.

Gjykata e Apelit çmon se nga gjykata e shkallës së parë me qëllim vlerësimin e besueshmërisë së dëshmitarit Kasandër Noga duhet të ishin mbajtur parasysh rrethanat e mësipërme, faktin që ka pasur njohje paraprake me të dy të pandehurit, si dhe faktin që për shkak të veprimeve të kundërligjshme të të dëmtuarit Kasandër Noga ndërmjet tij dhe familjes së të pandehurve ka një marrëdhënie konfliktuale. 

Gjykata e shkallës së parë duhet të kishte mbajtur parasysh dhe personalitetin e të dëmtuarit Kasandër Noga, provuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, nga i cili provohet që është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e babait të të pandehurve, dhe të një shokut të tyre, si dhe për vrasjen e mbetur në tentativë të të pandehurit Geron, dhe një të afërmit të tyre, vepra penale këto të ndodhura në një institucion publik mjekimi. Gjykata e shkallës së parë duhet të kishte mbajtur parasysh në përcaktimin e vërtetësisë së deklarimeve të këtij dëshmitari dhe rezultatet e hetimit të autoriteteve belge, të ardhura me letërporosi, nga të cilat rezulton se viktimës dhe të dëmtuarit i është gjetur një armë zjarri, e cila rezultonte e vjedhur. Përveç kësaj nga informacionet e grumbulluara nga autoritetet policore belge, informacion i dërguar me shkrim nëpërmjet letërporosisë, kanë qenë viktima dhe i dëmtuari Kasandër Noga që kanë qenë në kërkim të të pandehurve në Belgjikë, me qëllim ekzekutimin e tyre, qëllim që e kanë pasur edhe më parë, në ngjarjen e ndodhur në Senatorium, por nuk e kanë realizuar për shkaqe të pavarura prej tyre.

Gjykata e Apelit bazuar në nenet 149, 152 dhe 380 të K.Pr.Penale vlerëson se deklarimet e shtetases Afërdita Zyryka, nëna e të dëmtuarit nuk përbëjnë provë në lidhje me faktin penal në ngarkim të të pandehurve. Kjo dëshmitare nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, pra deklarimet e saj nuk mbështeten në perceptime të saj të drejtpërdrejta. Gjithashtu deklarimet e saj nuk përputhen me deklarimet e saj të dhëna pas ngjarjes, në vitin 2002, ku ka mohuar që djali i saj, i dëmtuari Kasandër të kishte qenë në Belgjikë në ditën e ngjarjes. Gjykata e Apelit konstaton se kjo dëshmitare nuk është as provë indirekte, pasi dijenia e saj ka ardhur një person tjetër, bashkëshortja e viktimës Julian Çelaj, e cila nga ana e saj, ka ardhur në dijeni nga persona të tjerë, pasi nga veprimet hetimore të kryera nga autoritetet policore belge, ajo nuk ka qenë as personi që është paraqitur për të kryer procedurat e tërheqjes së trupit të viktimës.

Nga analiza e mësipërme e provave mbi të cilat mbështetet vendimi i shkallës së parë, Gjykata e Apelit çmon se rezulton e provuar që ndaj shtetasve Julian Çelaj dhe Kasandër Noga në datën 17.03.2002, në lokalin “Prehistorie”, në Antëerp, Belgjikë, është qëlluar me armë zjarri, nga një person, i cili shoqërohej me një person tjetër, ky i fundit nuk ka pasur armë dhe nuk ka qëlluar. Si rezultat i goditjeve ka gjetur vdekjen shtetasi Julian Çelaj dhe është plagosur rëndë shtetasi Kasandër Noga.

Nga provat e marra në shqyrtim nuk provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se autor i goditjes me armë zjarri të ketë qenë i pandehuri Erion Hasanbelli. Deklarimet e dëshmitarëve të pranishëm kanë dhënë përshkrim të ndryshëm të autorit që ka goditur, kurse i dëmtuari Kasandër Noga nuk e ka njohur autorin. Nga aktet e përcjella me letërporosi nuk ndodhet asnjë procesverbal i pyetjes së të dëmtuarit i cili të ketë njohur ndonjë nga të pandehurit si autor të ngjarjes, ndonëse ka pasur njohje paraprake të tyre. Rezulton vetëm informacion i autoriteteve policore belge nga i cili rezulton që i dëmtuari është pyetur menjëherë pas ngjarjes, nëse e njihte autorin, dhe i dëmtuari fillimisht ka pohuar, por më pas ka mohuar dhe nuk ka ndonjë veprim procedural apo deklarim të tij para autoriteteve policore belge nga i cili të rezultojë që i dëmtuari ka njohur ndonjë prej të pandehurve si të përshirë në ngjarje.

Në lidhje me aktet e paraqitjes për njohje, siç dhe ka arsyetuar më lart, Gjykata e Apelit çmon se në aktet e marra në mënyrë të ligjshme, nuk vërtetohet që dëshmitarët të kenë njohur ndonjë nga të pandehurit si autorë të ngjarjes. Ka qenë pikërisht niveli i ulët i provueshmërisë së provave ai që ka detyruar prokurorinë të pushojë procedimin penal në ngarkim të të pandehurit Erion Hasanbelli në datën 16.02.2005.

Ndaj këtij vendimi ka paraqitur rekurs në datë 24.02.2017 Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë me të cilin ka kërkuar: Ndryshimin e vendimit nr. 06, datë 24.01.2017 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe të vendimit nr. 217, datë 07.09.2017 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe të vendimit nr. 217, datë 07.09.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier duke deklaruar fajtor dy të pandehurit sipas akuzës së ngritur nga prokuroria.

Në rekurs, prokuroria ka parashtruar ndër të tjera, këto shkaqe:
Vendimi i Gjykatës së Apelit por edhe ai i Gjykatës së Shkallës së Parë Fier janë të pabazuar në prova dhe në ligj, janë rrjedhojë e analizës dhe vlerësimit të gabuar të provave të marra në shqyrtim dhe për këtë shkak duhet të ndryshohen duke u deklaruar fajtor të dy të pandehurit për veprat penale për të cilat janë akuzuar.

Gjykata e Apelit, në funksion të vendimit të saj, ka vënë në dyshim dhe diskutim të gjitha provat e përftuara gjatë hetimit paraprak por edhe që janë marrë në shqyrtim gjatë gjykimit, duke përfshirë këtu thëniet e dëshmitarëve, paraqitjet për njohje etj.
Edhe pse janë një numër jo i vogël dëshmitarësh okularë të gjendur brenda lokalit ku ka ndodhur vrasja, të cilët në mënyrë të qartë japin të dhëna lidhur me autorët e vrasjes, duke bërë edhe identifikimin e të pandehurve, Gjykata e Apelit i konsideron këto thënie dhe rezultate të njohjeve të palidhura me njëra dhe në kontradiktë apo ndryshim me njëra tjetrën.

Ndonëse nga Gjykata e Shkallës së Parë, mbështetur në të njëjtat prova është konkluduar provueshmëria e veprave penale për të pandehurin Erion Hasanbelli, nisur nga rezultatet e paraqitjes për njohje, Gjykata e Apelit e injoron këtë provë të rëndësishme me argumente të paqena se “nuk është përcaktuar se cilit person i korrespondon numri katër gjatë kryerjes së këtij veprimi hetimor të pjesshëm.”
Dëshmitë e mësipërme janë plotësisht te besueshme pasi janë direkte, pa doza emocionale dhe pa arsye për shtrembërime, janë objektive sepse dëshmitaret jo vetëm qe nuk janë te ndikuar nga asnjë nga palët, pasi nuk kanë njohje, por edhe se janë pyetur menjëherë pas ngjarjes, dëshmitë janë ne harmoni mes tyre,me vend-ngjarjen, me deklarimet e shtetasve 17.00, gjithashtu Martin Ëytick dhe Roeland Maria Madalena Virginia, dhe mbi te gjitha, edhe me dëshminë e shtetasit Kasander Noga me të cilin asnjë nga palët nuk është takuar pasi nuk kane pasur mundësi sepse ky i fundit fillimisht është shtruar ne spital i izoluar dhe më pas është dërguar në burg.

Te gjitha dëshmitë plotësojnë, përputhen dhe janë ne harmoni me njëra-tjetrën duke na shtjelluar te gjithë mekanizmin e ngjarjes, autoret janë përgatitur paraprakisht, duke u armatosur me një arme zjarri pistolete e shume e rrezikshme për jetën ne momentin e përdorimit, fakt i pakundërshtueshëm nga dëshmitarët, duke përcaktuar vendin, kohen por edhe veprimet direkte me qellim final vrasjen e shtetasve Julian Cela dhe Kasander Noga.

Rrezikshmëria e të pandehurit Erion si ekzekutor direkt është më e lartë se ajo e të pandehurit Gentian i cili me veprimet e tij i pandehuri Erion ka demonstruar vendosmëri, gjakftohtësi dhe ashpërsi duke kërkuar dhe determinuar pasojën kriminale të ardhur.

Vlerësimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë
Së pari, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) vlerëson se rekursi nga Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Vlorë është paraqitur brenda afatit ligjor të parashikuar në nenin 435 të Kodit të Procedurës Penale. Të gjykuarit Erion Hasanbelli dhe Geron Hasanbelli janë njoftuar për rekursin dhe nuk kanë paraqitur kundër-rekurs.

Shkaqet e rekursit në Gjykatën e Lartë parashikohen nga neni 432 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo dispozitë, në pikën 1 të saj, parashikon se rekursi kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji material ose procedural i cili është me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore; kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave; ose kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Kolegji çmon se, fillimisht, duhet vënë në dukje se Kolegji Penal nuk e shqyrton rekursin në drejtim të përcaktimit të fajësisë ose jo të të gjykuarve Hasanabelli, pasi kjo është një çështje që i përket gjykatave të faktit. Gjykata e Lartë nuk është gjykatë fakti, por është gjykatë ligji që kontrollon vendimet e gjykatave më të ulëta vetëm në drejtim të zbatimit të ligjit material apo procedural. Mënyra e vlerësimit të fakteve dhe provave, sipas qëndrimit të konsoliduar të Kolegjit Penal, është një çështje që del jashtë juridiksionit ekskluzivisht ligjor të Gjykatës së Lartë. Megjithatë, Kolegji ka detyrimin të shqyrtojë brenda kufijve të shkaqeve të ngritura në rekurs, nëse nga gjykatat më të ulëta është zbatuar drejtë ligji material apo procedural penal me rëndësi për njësimin dhe zhvillimin e praktikës gjyqësore dhe nëse vendimmarrja e tyre është në përputhje me praktikën e Kolegjit Penal ose praktikën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Me ndryshimet e K.Pr.Penale të miratuara me ligjin nr. 41/2021 rezulton se rekursi duhet të përmbajë shkaqet për të cilat kërkohet prishja e vendimit, si dhe argumentet që mbështesin pretendimin se ekzistojnë shkaqe për rekurs sipas parashikimeve të nenit 432 të këtij Kodi. Paraqitja e rekursit për shkaqe të ndryshme nga ato të parashikuara në nenin 432 të Kodit, apo pa u argumentuar ato përbën shkak që Kolegji të vendosë mospranim të rekursit sipas nenit 433 të K.Pr.Penale që parashikon: “Rekursi nuk pranohet në qoftë se bëhet për shkaqe të ndryshme nga ato që lejon ligji, si dhe kur Gjykata e Lartë çmon se çështja nuk duhet të shqyrtohet prej saj, sipas përcaktimeve të paragrafit 1, të nenit 432, të këtij Kodi.”

Vlerësimi i fakteve dhe provave është një çështje që i përket juridiksionit të gjykatave të faktit. Megjithatë, Kolegji ka kompetencë të shqyrtojë nëse nga gjykatat më të ulëta është trajtuar si duhet fakti penal dhe nëse vendimmarrja e tyre është e arsyetuar. (shih vendimin nr. 11, datë 14.01.2022, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë)

Kolegji Penal vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit është i cenueshëm jo për shkaqe të vlerësimit të gabuar të provave që pretendon prokuroria në rekurs, por për shkak se Kolegji konstaton se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë përmban shkelje të rënda procedurale, në drejtim të pasqyrimit të faktit penal dhe arsyetimit të vendimmarrjes së saj. Referuar nenit 434/2 të K.Pr.Penale që parashikon: “Nëse rekursi pranohet për shqyrtim, Gjykata e Lartë ka të drejtë të vendosë edhe për çështje të ligjit që konstatohen kryesisht.”, Kolegji vlerëson të shqyrtojë kryesisht standardin e arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për shkak se konstaton mangësi të theksuara në drejtim të pasqyrimit të faktit penal dhe arsyetimit të vendimit gjyqësor.

Gjykata e Apelit Vlorë ka arsyetuar se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier për të pandehurin Erion Hasanbelli është mbështetur në akte që janë kërkuar dhe ardhur nga autoritetet belge, pa pasur një procedim penal në ngarkim të tij, pra janë marrë nga prokuroria në kundërshtim me ligjin. Kolegji e gjen të pabazuar këtë përfundim dhe jo në përputhje me faktet dhe rrethanat e çështjes. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier kishte regjistruar procedimin penal në ngarkim të të pandehurit Erion Hasanbelli për veprat penale sipas akuzës së ngritur. Vendimi i pushimit të procedimit penal është marrë për shkak se nuk ka pasur prova në atë moment procedural. Megjithatë, me ardhjen e akteve me letërporosi nga autoritetet belge, vendimi i pushimit është shfuqizuar duke vazhduar procedimin penal në ngarkim të të pandehurve Hasanbelli. Si janë kryer veprimet hetimore, në vijim i është njoftuar akuza të pandehurve dhe çështja është dërguar për gjykim.

Kolegji e gjen dukshëm kontradiktor arsyetimin e Gjykatës së Apelit Vlorë. Nuk është i bazuar përfundimi se provat e marra me anë të letërporosisë janë marrë në kushtet që ndaj të pandehurve nuk ka pasur hetim paraprak dhe si rrjedhojë në kundërshtim me ligjin. Të pabazuar e gjen Kolegji edhe përfundimin e Gjykatës së Apelit se gjykata duhet të kishte pranuar kërkesën e të pandehurve për papërdorshmëri të akteve, pavarësisht se gjykimi po zhvillohej me ritin e gjykimit të shkurtuar. Pavarësisht argumentimit të zgjeruar në lidhje me dallimin midis pavlefshmërisë dhe papërdorshmërisë së provave, Kolegji nuk konstaton papërdorshmëri provash në çështjen objekt gjykimi, ose të paktën jo ato papërdorshmëri të parashtruara nga Gjykata e Apelit.

Të pabazuar e gjen Kolegji edhe argumentimin e Gjykatës së Apelit në lidhje me konstatimet për veprimin hetimor të njohjes, të kryer nga autoritetet belge dhe të vënë në dispozicion të organit procedues shqiptar me anë të letërporosisë. Nga procesverbali i mbajtur që dokumenton këtë veprim hetimor, rezulton njohja që i kanë bërë dëshmitarët okularë të vendit të ngjarjes të gjykuarit Erion Hasanbelli, veprim i dokumentuar në procesverbal. Gjithashtu, deklarimet e tyre janë konsistente dhe dëshmojnë ekzistencën e faktit penal, që Gjykata e Apelit e argumenton si të paprovuar. Ky fakt penal, ashtu siç është argumentuar në gjykimin në shkallë të parë dhe në Apel përpara rigjykimit, rezulton i provuar nga një tërësi provash dhe indicjesh, të marrë në shqyrtim në gjykim.

Sa më sipër, Kolegji vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë përmban mangësi të theksuara në arsyetim, është kontradiktor, jo në përputhje me faktin penal dhe Gjykata e Apelit ka konstatuar shkelje të rënda procedurale që nuk ekzistojnë. Për këto arsye, ky vendim prishet nga Kolegji Penal dhe çështja do të dërgohet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

Kolegji vë në dukje se arsyetimi i vendimit është element përbërës i procesit të rregullt ligjor që duhet t’u garantohet të gjitha palëve ndërgjyqëse, ndërsa mungesa e tij e sanksionon vendimin me pavlefshmëri. Neni 383 i K.Pr.Penale parashikon se vendimi është i pavlefshëm kur mungon dispozitivi ose nënshkrimi i anëtarëve të trupit gjykues, si dhe kur ka haptazi kontradiktë mes arsyetimit dhe dispozitivit të tij.

Në jurisprudencën e saj, Gjykata Kushtetuese ka theksuar domosdoshmërinë e arsyetimit të vendimeve gjyqësore, penale apo civile, si një garanci për procesin ligjor. Vendimi duhet të mbështetet vetëm mbi faktet që janë paraqitur gjatë procesit gjyqësor dhe duhet të përmbajë bazën ligjore mbi të cilën bazohet zgjidhja e mosmarrëveshjes, analizën e provave dhe mënyrën e zgjidhjes së mosmarrëveshjes. Arsyetimi i vendimeve është element thelbësor i një vendimi të drejtë. Vendimi mund të kontrollohet nga një gjykatë më e lartë sipas procedurave përkatëse dhe, që kjo të jetë e mundur, duhet bërë arsyetimi i vendimit, në të cilin gjyqtari tregon me qartësi faktet dhe ligjin e zbatueshëm, të cilat e kanë çuar në bërjen e një zgjedhjeje ndërmjet disa mundësive. Vendimet gjyqësore që japin gjykatat e të gjitha niveleve në përfundim të gjykimit, përbëjnë aktin procedural kryesor të të gjithë procesit gjyqësor. Ato përmbledhin dhe finalizojnë, përfundimisht, qëndrimet që mban gjykata lidhur me çështjen në gjykim (shih vendimet nr.8, datë 16.03.2011; nr.23, datё 04.11.2008; nr.11, datë 02.04.2008; nr.7, datë 09.03.2009 të Gjykatës Kushtetuese).

Vendimi gjyqësor në çdo rast duhet të jetë logjik, i rregullt në formë dhe i qartë në përmbajtje. Në tërësinë e tij ai duhet konsideruar si një unitet, në të cilin pjesët përbërëse janë të lidhura ngushtësisht mes tyre. Ato duhet të jenë në shërbim dhe funksion të njëra-tjetrës. Argumentet e pjesës arsyetuese duhet të jenë të bazuara dhe të lidhura logjikisht, duke respektuar rregullat e mendimit të drejtë. Ato duhet të formojnë një përmbajtje koherente brenda vendimit, i cili përjashton çdo kundërthënie ose kontradiksion të hapur ose të fshehtë. Këto argumente duhet të jenë, gjithashtu, të mjaftueshme për të mbështetur dhe pranuar pjesën urdhëruese. Konkluzionet e pjesës arsyetuese duhet të bazohen jo vetëm në aktet ligjore, por edhe në parimet dhe rregullat që karakterizojnë mendimin e shëndoshë e logjik (shih vendimet nr. 3, datë 19.02.2013; nr. 20, datë 13.04.2012; nr 38, datë 30.12.2010 të Gjykatës Kushtetuese).

Arsyetimi i vendimeve ka për qëllim që t’u tregojë palëve se ato janë dëgjuar dhe, në këtë mënyrë, të japë ndihmesë për ta bërë vendimin më të pranueshëm nga ana e tyre. Përveç kësaj, ai e detyron gjyqtarin që ta mbështesë arsyetimin e tij në argumente objektive dhe i ruan të drejtat e mbrojtjes. Sidoqoftë, shtrirja e detyrës për arsyetim të vendimit mund të ndryshojë në varësi të natyrës së këtij të fundit dhe duhet të analizohet në dritën e rrethanave të çështjes. (GJEDNJ, Ruiz Torija k. Spanjës, § 29)

Në rishqyrtim të çështjes, Gjykata e Apelit duhet të shqyrtojë në themel edhe një herë procedimin penal në ngarkim të të gjykuarve, duke vlerësuar provat në tërësi, duke i kthyer përgjigje të pretendimeve të palëve në ankim dhe duke arsyetuar vendimmarrjen e saj në përputhje me ligjin material dhe procedural. Në rishqyrtim, Gjykata e Apelit duhet të ketë në konsideratë përfundimet e mësipërme të Kolegjit, në mënyrë që të arrijë në një vendimmarrje të drejtë në lidhje me çështjen objekt gjykimi.

Sa më sipër, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, vendos prishjen e vendimit nr. 6, datë 24.01.2017, të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.

PËR KËTO ARSYE,
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, bazuar në nenin 441/1-c  të Kodit të Procedurës Penale,

V E N D O S I:
Prishjen e vendimit nr. 6, datë 24.01.2017, të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 17.03.2022   

DOSJA/ Vrasja e Julian Çelës dhe plagosja e Kasandër Nogës, si i shpëtoi dënimit në Shqipëri 43-vjeçari që u plagos me 6 plumba në Belgjikë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook