Pronari i një pike këmbimi valutor në Vlorë, pranë Lungomares, ka denoncuar pranë redaksisë së BalkanWeb vjedhjen e 100 eurove nga një klient, ditën e stome. Ashtu si iluzionisti Harry Houdin… por në këtë rast është shfaqur një burrë në moshë, i cili vjedh sy për sy paratë.
Pronari ka sjellë edhe videon, teksa sqaron se klienti i ka dhënë 850 mijë lekë të vjetra për t’ia kthyer në Euro.
Siç duket edhe nga pamjet e kapura nga kamera e sigurisë në biznes, pronari i jep klientit 700 euro, 4 prerje 100 euro dhe të tjerat në 50 euro.
Ndërkohë personi në fjalë shihet që disa herë fut dorën në xhep, e ndërsa në momentin që merr paratë, bën sikur i numëron, dhe i kërkon që t’ia japë në prerje më të vogla… Në këtë moment ai heq 100 euro nga pjesa e parave që iu dhanë, dhe i fut me shpejtësi në xhep.
Pronari i biznesit nuk e ka kuptuar, dhe duke menduar se janë po 700 euro, ia ka kthyer ato sërish në prerje më të vogla.
Pasi ai është larguar, pronari i biznesit ka parë bilancin ku mungonin 100 euro dhe më pas ka hapur kamerat e sigurisë për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur.
Në komunikimin me BalkanWeb, ai shprehet se këtë person nuk e ka parë ndonjëherë, ndërsa shton se do të bëjë denoncim në polici, duke treguar edhe pamjet filmike që kapin qartë momentin kur klienti vjedh 100 euro me stil “magjik”.