EKSKLUZIVE/ Kam oferta, pas Europës vendos të ardhmen, Asani: Mehmeti të rrijë, ja çfarë fola me Ibraimin

Jasir Asani la Partizanin në verën e shkuar dhe u transferua me parametra zero në Hungari te Kisvarda, ku u ambientua mjaft shpejt dhe me 7 golat dhe 6 asistet e tij e ndihmoi skuadrën të kualifikohej për herë të parë në histori në kompeticionet europiane.

Jasir Asani

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, sulmuesi anësor tregon për ecurinë personale, teksa bën të ditur se ka oferta nga klube më të forta. 26- vjeçari flet edhe për ish-ekipin e tij, Partizanin. Ai shprehet se drejtuesit do të bënin zgjedhjen e duhur nëse vazhdojnë bashkëpunimin me Dritan Mehmetin edhe në sezonin e ardhshëm, teksa tregon edhe komunikimin që ka pasur me Besart Ibraimin.

Sa i kënaqur jeni me sezonin e zhvilluar te Kisvarda?

Që kur u transferova atje kam pritur shumë për veten, sepse ishte një klub i ri dhe duhej të bëja mirë. Çdo futbollist që ndërron vend dhe ligë, unë që vija nga Shqipëria, e ka të vështirë të ambientohet, por falë ndihmës së shokëve dhe klubit arrita të bëj një sezon të mirë, edhe pse mund të bëja edhe më shumë, por mund të them se jam i kënaqur. Kam ndihmuar ekipin me golat e mi dhe jam i lumtur. Drejtuesit janë të lumtur, sepse ata janë klub i ri, që ka pak vite në elitën e futbollit europian. Është hera e parë që shkojnë në Europë dhe ky është sukses i madh. Klubi po rritet dalëngadalë, tashmë na takon të tregojmë veten në Kupat e Europës, të bëjmë mirë dhe të dëshmojmë se e kemi merituar kualifikimin.

Ku e shihni veten në sezonin e ardhshëm, keni pasur oferta nga klube të tjera?

Do të luaj ndeshjet në kompeticionet europiane dhe më pas do të ulem me presidentin për të diskutuar, sepse kam disa propozime nga klube më prestigjioze. Në lojë janë të dyja opsionet, mundet edhe të qëndroj, sepse kam kontratë deri në vitin 2024. Në rast se shkojmë mirë në ndeshjet e kompeticioneve europiane, mund të transferohem diku tjetër për më mirë. Do t’ia lëmë kohës dhe fillimisht do të jem i përqendruar për të dhënë maksimumin në ndeshjet e Europës me Kisvardën. Më pas varet edhe nga ofertat që do të vijnë në drejtim të klubit. Unë do të isha i lumtur edhe nëse qëndroj.

A do të donit ta linit më parë Partizanin për ta bërë më shpejt hapin e madh të karrierës?

Duhet të kesh edhe fat. Unë kam qëndruar tri vite te Partizani, kam kaluar shumë mirë dhe kemi arritur suksese. Ka pasur oferta, por nuk kanë kënaqur kërkesat e mia ose të klubit. Kemi vendosur së bashku me presidentin Demi për të qëndruar dhe jam i lumtur për kohën e kaluar atje.

Si ju është dukur Partizanin nën drejtimin e Dritan Mehmetit?

E njoh shumë mirë profesorin, kemi bashkëpunuar në sezonin kur dolëm kampionë dhe është një trajner me shumë eksperiencë dhe me mentalitet kampioni. Titulli kampion mban edhe meritën e tij, sepse në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje ai na ka shpjeguar çdo gjë me detaje. Me Dritanin mendoj se kanë bërë një zgjedhje shumë të mirë dhe mendoj se duhet të vazhdojnë të punojnë me të. Është një trajner me mentalitet fituesi, që do ta dërgojë vetëm përpara Partizanin. Siç dihet, Partizani ishte në vendin e pestë dhe shumë larg rivalëve në janar kur ai erdhi, dhe tani është në vendin e tretë, një hap larg Europës. Ky është pa dyshim fryt i punës së Dritanit dhe Partizani do të bënte zgjedhjen e duhur nëse do të vendoste të vazhdonte me të. Është i familjes së kuqe dhe ai e di mirë çfarë fanelle përfaqëson.

Emra si Zhunior, Mala, Albion Marku apo Kallaku pritet të largohen. Si ndikon fakti që Partizanin e pret një tjetër revolucion në verë?

Është shumë e vështirë kur të largohen lojtarë kaq të mirë. Stenio Zhunior ka bërë një sezon shumë të mirë, vitin e shkuar dhe sivjet dhe largimi i tij do të linte boshllëk të madh. Është një ndër lojtarët kryesorë atje. Partizani duhet t’i mbajë edhe lojtarët e huazuar si Mala, Kallaku apo Marku, sepse të gjithë i dinë cilësitë e tyre. Kallaku po e fiton formën dalëngadalë, të gjithë e dinë kush është ai. Mala gjithashtu është një lojtar shumë i mirë. Partizani duhet t’i mbajë këta lojtarë dhe të përmirësohet në repartet ku trajneri Mehmeti e sheh të nevojshme.

Ju pamë të festonit me një Kupë në dorë për vendin e dytë. Kush e akordon atë trofe dhe me çfarë motivacioni?

Atë Kupë e jep Federata për vendin e dytë dhe të tretë, bashkë me medaljet përkatëse. Është kënaqësi ky veprim i Federatës dhe do të ishte diçka pozitive nëse kjo traditë do të ndiqej edhe në Shqipëri. Janë kujtime që ngelin në memorie.

Te Partizani mund të transferohet Besart Ibraimi, një tjetër shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Keni pasur kontakte me të?

E kam shumë shok Besartin. Unë ia kam treguar me kohë se kush është Partizani dhe çfarë përfaqëson ajo fanellë. I kam shpjeguar se Partizani është një familje e madhe. Nuk jam shumë i informuar në lidhje me bisedimet, por nëse shkon atje, ai do të ishte një transferim shumë i mirë për Partizanin dhe do ta ndihmonte shumë skuadrën. Do të isha i lumtur nëse do të transferohej atje.

DENIS LALA-Arena e Lajmit


Loading…

EKSKLUZIVE/ Kam oferta, pas Europës vendos të ardhmen, Asani: Mehmeti të rrijë, ja çfarë fola me Ibraimin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook