Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e dënimit alternativ “kryerja e një pune në interes publik”. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro dhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dakordësuan që kjo është mënyra më e mirë për t’i riintegruar këta persona në komunitet, por edhe për t’i shërbyer sezonit turistik me burime njerëzore.
“Ne kemi nevojë për rojtarë pylli sidomos, në sezonin e verës kur shtohen vizitorët në parqet kombëtare. Duhet kuptuar se bëhet fjalë për një kategori që nuk ka kryer dëme ose krime të asaj shkalle që mund të përbëjnë rrezik social. Këta njerëz do të punojnë në drejtoritë rajonale të zonave të mbrojtura dhe do të ndihmojnë punonjësit tanë në mirëmbajten dhe vëzhgimin e territorit”, tha Kumbaro.
Për ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja është shumë e rëndësishme që këta persona t’i rikthehen shoqërisë, por edhe t’ia shlyejnë me punë dëmin e shkaktuar.
“Filozofia jonë është që dënimi të jetë mjeti i fundit. Për këtë kategori veprash, personat që shkelin ligjin për një arsye ose për një tjetër, sepse jeta ka sfida nga më të ndryshmet, së pari t’i rifitojmë këta njerëz, t’i rikthejmë në shoqëri por edhe t’ia shlyejnë shoqërisë me punë atë dëm që i kanë shkaktuar përmes veprës penale”, u shpreh ministri Manja.
Ministrja Kumbaro theksoi se gjatë sezonit veror, për shkak të mbipopullimit të disa territoreve të bregdetit dhe parqeve natyrore, ndihma e kësaj kategorie do të ishte shumë e dobishme.
Në kuadër të marrëveshjes, në bashkëpunim me Shërbimin e Provës, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të marrë përsipër të sigurojë vendin e punës ku do kryhet puna në interes publik në dy prej agjencive të varësisë, siç janë Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Arena e Lajmit