Shërbimi Informativ Shtetëror ka publikuar një pjesë të raportit të vitit 2021, ku mes të tjerash evidenton dhe aktivitetin e inteligjencës së huaj në Shqipëri dhe rajon.
Në raportin e SHISH, që “BalkanWeb” e sjell më poshtë, theksohet se “Shqipëria vijon të mbetet në fokus të disa shërbimeve të huaja të inteligjencës”.
Mes të tjerash, në raportin e SHISH vihet theksi te propaganda dhe dezinformomi, teksa cilësohet se “Propaganda dhe dezinformacioni janë instrumentet më të përdorura nga shërbimet e huaja të inteligjencës jomiqësore për të promovuar interesat strategjike të politikës së jashtme, për të ndikuar në perceptimin e opinionit publik lidhur me rolin e tyre në çështjet ndërkombëtare në fushën e sigurisë, dhe për t’u prezantuar si alternativa të besueshme kundrejt aktorëve perëndimorë në rajon”.
Pjesë e raportit të SHISH:
Si vend anëtar i NATO-s, kontribuuese për paqen e sigurinë globale, por edhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, Shqipëria vijon të mbetet në fokus të disa shërbimeve të huaja të inteligjencës.
Në qendër të aktivitetit të tyre për grumbullimin e informacionit vijojnë të mbeten zhvillimet e brendshme në fushën politike dhe të sigurisë, pozicionimi properëndimor i vendit tonë në raport me politikat në marrëdhëniet ndërkombëtare, marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe aleatët strategjikë, stërvitjet ushtarake në kuadër të Aleancës dhe projektet në fushën e mbrojtjes.
Në vendet e tjera të rajonit, shërbimet jomiqësore të inteligjencës e kanë fokusuar aktivitetin në amplifikim të problematikave ndëretnike e ndërfetare, nxitjen dhe mbështetjen e faktorëve destabilizues të brendshëm, në ruajtjen e status kuosë në raport me proceset integruese dhe nxjerrjen e përfitimeve nga roli i saj në raport me Perëndimin.
Aktivitetet hibride të aktorëve joperëndimorë kanë njohur rritje në rajon, por edhe në vendin tonë, edhe pse jo me të njëjtat përmasa si në vendet e rajonit. Këto lloj aktivitetesh po bëhen më evidente ndërkohë që vendet po përparojnë në proceset demokratizuese dhe integruese.
Çështjet e hapura dhe të pazgjidhura ndërshtetërore e ndëretnike e kanë shndërruar rajonin në terren të favorshëm për aktivitetet hibride të aktorëve globalë dhe rajonalë, kundërshtarë të rrugëtimit pro-perëndimor, për arritjen e synimeve të tyre për zgjerimin e influencës, thellimin e mosmarrëveshjeve midis vendeve të rajonit dhe pengimin e progresit në zgjidhjen e këtyre çështjeve.
Qasja e këtyre aktorëve në rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshin përdorimin e një game të gjerë mjetesh të hapura dhe të fshehura, duke kombinuar aktivitetet e inteligjencës me diplomacinë, presionin ekonomik, sulmet kibernetike, përdorimin e hapësirës online për aktivitete propaganduese, dezinformuese dhe fabrikimin të lajmeve të rreme, me synim shkurajimin dhe cenimin e kohezionit politik e social mes vendeve të rajonit, mes faktorit shqiptar në rajon, influencimin e vendimmarrjes, si në fushën e politikës së jashtme ashtu dhe atë të mbrojtjes.
Propaganda dhe dezinformacioni janë instrumentet më të përdorura nga shërbimet e huaja të inteligjencës jomiqësore për të promovuar interesat strategjike të politikës së jashtme, për të ndikuar në perceptimin e opinionit publik lidhur me rolin e tyre në çështjet ndërkombëtare në fushën e sigurisë, dhe për t’u prezantuar si alternativa të besueshme kundrejt aktorëve perëndimorë në rajon.
Në këtë aspekt, segmente të caktuara nga shoqëria civile dhe akademikë, qendra gjuhe e kulture, gazetarë, media e shkruar, vizive dhe online, si dhe rrjetet sociale, janë nga kategoritë që përdoren dhe shfrytëzohen nga këta aktorë për arritjen e objektivave të tyre.
Arena e Lajmit