Vjen dita e shumëpritur, sot në orën 17:00 luhet finalja e radhës e “play off”-it. Që Apolonia të mbetet në garë për elitën, duhet të kalojë Korabin. Në stadiumin “Niko Dovana” nuk do të jenë vetëm, pasi me dhjetëra tifozë do të udhëtojnë drejt Durrësit për të mbështetur ekipin e zemrës. Juri Kanarsa është optimist para këtij dueli, ndonëse duhet t’i bëjë llogaritë me mungesën e mbrojtësit Asllanaj. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, trajneri u kërkon të tijve që të japim 200% në fushë, ndonëse hapur e thotë që nuk u trembet dibranëve.
Tërbunin e kaluat, jeni gati për të kaluar pengesën e radhës?
Patjetër që jemi gati. Kemi ditë që përgatitemi dhe fokusi është i gjithi te finalja e radhës. Fatkeqësisht kemi një mungesë, atë të mbrojtësit Asllanaj që doli me karton të kuq ndaj Tërbunit. Por kushdo që do të luajë në pozicionin e tij, do të japë më të mirën.
Le të ndalemi te Korabi, a i druheni?
E respektojmë patjetër kundërshtarin, por frikë nuk kemi asnjë. Nuk u dorëzuam kurrë dhe ja ku jemi tani, shumë pranë objektivit tonë sezonal.
Ndeshja zhvillohet në fushë asnjanëse dhe me transfertat Apolonia nuk i ka pasur mirë marrëdhëniet…
Nuk do të ndikojë aspak fusha. Jemi përgatitur me mjaft kujdes dhe kemi analizuar kundërshtarin deri në detaje. Kjo ndeshje vlen shumë.
Çfarë porosie u keni dhënë lojtarëve?
Të luajnë me qetësi dhe pa presion. Sado që kemi një bilanc pozitiv me dibranët, ndeshja e tretë në Durrës është një finale më vete që mund të fitohet vetëm nëse japim 200% në fushën e lojës.
Keni një mesazh për tifozërinë fierake?
Shpresoj të jenë të shumtë në stadium, sepse me ta jemi më të fortë.
Përtej verdiktit të finales që luhet në “Niko Dovana”, çfarë note do t’i vendosnit ekipit tuaj?
Jam shumë krenar për ta, nga i pari e deri tek i fundit. Të gjithë janë rritur shumë profesionalisht.
HILMI SALIU – Arena e Lajmit
Loading…