Kapiteni i Teutës, Kristi Gorea, theksoi se skuadra e tij u kthye në lojën e saj dhe se humbja në Shkodër erdhi pas paraqitjes më të dobët sezonale.
“E pritëm me padurim këtë sfidë, pasi te të gjithë shihej dëshira për reagim. Në Shkodër bëmë paraqitjen më të dobët sezonale. Por karakteri, zemra dhe dëshira e gjithsecilit nga ne, mendoj se bënë diferencën në këtë takim. Ndeshja e katërt për ne është si një finale e fundit. Duhet të shkojmë me një mentalitet tjetër, pasi nuk ka më vend për hapa fals. Presim që tifozët tanë të na mbështesin edhe atje pasi ndjesia e fitores së një titulli është e njëjtë si ta fitosh jashtë si ta fitosh në shtëpi”, tha Gorea.
Gjithashtu reagoi dhe Frenki Lilaj, i cili pas ndeshjes pohoi që publiku durrsak i jep skuadrës së tij vetëbesimin e nevojshëm për të treguar vlerat reale.
“Morëm aq sa merituam sot (të shtunën). Atmosfera e tifozëve na ka ndihmuar së tepërmi. Ekipi ka shumë më tepër vetëbesim kur luan në shtëpi dhe besoj se kjo është ajo që na frenoi para pak ditëve në Shkodër. Në këtë takim treguam realisht se sa vlera kemi. Nëse luajmë me intensitet dhe mbrojmë fort, besoj se edhe të mërkurën ka për të qenë sërish fitorja e jona. Duam të mbyllim çështjen e titullit që në ndeshjen e radhës në Shkodër dhe jo ta çojmë në sfidën numër 5”, deklaroi pas finales së tretë Frenki Lilaj.
Arena e Lajmit
Loading…