Heroi në trofeun e fundit europian të Fejnordit, Tomason: Sa shumë kujtime! Kisha firmosur me Milanin para finales dhe…

Sonte në orën 21:00, Tirana dhe Shqipëria mirëpret për herë të parë një finale të një kompeticioni madhor të UEFA-s. Në stadiumin “AIR Albania”, Roma dhe Fejnord do të sfidohen për të marrë për herë të parë këtë trofe në shtëpi. Për këtë ndeshje finale në mikrofonat e “TuttoMercatoWeb”, ka folur ish-sulmuesi i Milanit dhe i Fejnordit, Jon-Dahl Tomason, i cili para 20 vitesh, ekzaktësisht në vitin 2002 shënoi dhe ngriti në qiell trofeun e Kupës UEFA ndaj Borusias së Dortmundit. Tomason tregon se ka kujtime të bukura në atë finale dhe se sot do të jetë një ndeshje e vërtetë:

TOMASON 1

Fejnordi dhe kujtimet – “Më bën të lumtur të shoh një skuadër për të cilën kam luajtur të shkojë kaq larg. Fejnord ka pasur një rrugë të jashtëzakonshme në Europë këtë sezon dhe është mirë që ata të kthehen në nivelet më të larta. Më kthen pas në kohë. Sa shumë kujtime, jo vetëm për mua, por për të gjithë ata që janë të lidhur me këtë klub.”

Finalja me Fejnordin – “E mbaj mend atë finale dhe atë natë si një ëndërr fëmijërie. Të luash një finale të madhe dhe të shënosh një gol të rëndësishëm dukej pothuajse e pabesueshme kur ndodhi, por padyshim që është një natë që nuk do ta harroj kurrë. Edhe tani, 20 vjet më vonë, shumë persona më pyesin për atë ndeshje dhe kjo tregon shumë se sa do të thotë një finale për ta. Kur arrin ta luash, duhet ta fitosh, sepse askush nuk kujton një ekip që ka humbur një finale. Dhe për lojtarët, një finale është një kujtim i mirë vetëm nëse fiton. Përndryshe është një mundësi e humbur përgjithmonë.”

Nënshkrimi me Milanin – “Unë kisha nënshkruar për Milanin para finales, kështu që e dija se po luaja ndeshjen time të fundit për Fejnordin. Për më tepër, doja që të kisha lamtumirën e përsosur për klubin dhe mbi të gjitha për tifozët e saj të mëdhenj. Ndodhi pikërisht ajo që doja, ishte një ndjenjë e paharrueshme, edhe sepse ne luajtëm finalen në stadiumin tonë.”

Liga e Konferencës – “Më pëlqen shumë ky kompeticion, për mendimin tim ishte një iniciativë e shkëlqyer. Për mua futbolli është padyshim një punë që më shtyn të kem ambicie, por është edhe pasion, ëndërr dhe aventurë. Më pëlqejnë këto që kanë ndodhur si Fejnordi në finale, Vijareali në gjysmëfinalen e Champions-it apo edhe Rejnxhërsi, të cilët i kishim eliminuar, duke arritur deri në finalen e Europa Ligës. Kush do ta kishte menduar këtë?”

Finalja – “Roma ka një ekip të fortë dhe shumë të organizuar dhe mendoj se do të synojë të kontrollojë lojën duke pritur që Fejnordi të gabojë dhe më pas ta godasë. Është një finale e drejtë, për shumë një Romë favorite, por duhet kujdes nga Fejnordi, i cili nuk ka humbur asnjë ndeshje në rrugën e tij drejt finales, ndryshe nga verdhekuqtë. Asgjë nuk është vendosur, pasi në të vërtetë do të jetë një finale e vërtetë.”, përfundoi Jon-Dahl Tomason.

– Arena e Lajmit


Loading…

Heroi në trofeun e fundit europian të Fejnordit, Tomason: Sa shumë kujtime! Kisha firmosur me Milanin para finales dhe…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook