Roma ka mbërritur dje rreth orës 17:00 në Tiranë, duke u akomoduar në hotelin ngjitur me stadiumin “Air Albania” (ishhotel “Sheraton”). Sapo italianët kanë zbritur nga autobusi me delegacionin që i shoqëronte, menjëherë kanë marrë disa masa paraprake sa i përket restorantit. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se klubi italian kishte marrë me vete kuzhinierët dhe gjithë personelin që do t’u shërbejë gjatë dy ditëve qëndrim në Tiranë.
Mirëpo, kjo është mbajtur “topsekret” për stafin shqiptar të hotelit, teksa diçka e tillë u është komunikuar vetëm ditën e djeshme. Natyrisht, kjo nuk ka lënë një shije të mirë te stafi shqiptar, por gjithsesi është mirëkuptuar, për më tepër që kjo zgjedhje e një klubi të madh si Roma që kujdeset edhe për detajet më të vogla, nuk mund të quhet e paprecedentë, pasi e kanë bërë edhe ekipe të tjera europiane në transfertat që kanë pasur. BERGOMI – Ish-kapiteni i Interit, Xhuzepe Bergomi, është një nga figurat e futbollit italian që do të jetë i pranishëm sot në “Air Albania”. Dje 58-vjeçari është parë shumë i acaruar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, aty ku po priste të merrte akreditimin.
Për shkak të një gabimi të bërë në mbiemrin e tij, punonjësit e UEFA-s nuk po e gjenin në sistem për t’i dorëzuar dokumentin. Kaluan shumë minuta dhe vetëm Bergomi priste, në një kohë që kushdo që vinte e merrte akreditimin përpara tij. “Si është e mundur”, pyeti ish-mbrojtësi stafin që merrej me akreditimet, derisa u kuptua ku ishte gabimi dhe më pas italianit iu dha dokumentacioni dhe iu kërkua ndjesë për vonesën, teksa në sistem nuk po kërkohej Bergomi, por “Bergami”.
Arena e Lajmit
Loading…