Vendosi fatin e finales së Ligës së Konferencës në Tiranë, Zaniolo: Ky trofe ishte ëndrra e fëmijërisë sime!

Kanë tentuar shumë të tjerë para tij, madje edhe legjenda të klubit, si Françesko Toti apo Daniele de Rosi. Por asnjëri prej tyre nuk i është afruar një finaleje europiane. Megjithatë, Nikolo Zaniolo jo vetëm që e ka bërë, duke arritur një finale në Europë me Romën, por ka shkuar përtej thjesht mbërritjes në finale. E ka fituar atë si protagonist në fushë. Si protagonist i madh madje, sepse nga këmbët e tij ka ardhur goli që ka vendosur fatin e finales dhe duke çuar në Romë trofeun inaugurues të kompeticionit më të ri në Europë, Liga e Konferencës. Mesfushori i verdhekuqve ka folur për mediat italiane fill pas fërshëllimës së gjyqtarit të takimit, duke treguar emocionet e para për këtë sukses në Europë, i pari në historinë e verdhekuqve nëse nuk llogarisim Kupën e Panaireve.

ZANIOLO ROMA

“Jam shumë i lumtur, nuk ka shumë fjalë për të thënë në këto momente. Ndoshta nuk gjenden fjalën e duhura, sepse emocionet janë të forta.

Kemi bërë një arritje historike. Që i vogël e kam ëndërruar këtë moment, që të ngre lart një trofe europian dhe më në fund ia kemi dalë.

Është kurorëzim i një sezoni të gjatë e të lodhshëm. Kishim ardhur në Tiranë për ta fituar këtë trofe dhe në fund ia kemi dalë”, ka thënë Zaniolo.

Mesfushori i Romës ka theksuar gjithashtu dhe faktin tjetër se ka vuajtur jo pak këto dy vite si pasojë e problemeve me dëmtimet. Por tani gjithçka duket si një ëndërr e keqe e lënë pas.

“Kam kaluar një periudhë të gjatë jashtë fushave si pasojë e dëmtimeve. Kanë qenë dy vite të vështirë, ndaj ky trofe ka qenë kura më e mirë.

Një pjesë e madhe e këtij trofeu shkon për familjen time që më ka mbështetur fuqishëm në këto dy vite. Ata kanë qenë pranë meje dhe jam i lumtur që po ua shpërblej me këtë trofe”, ka nënvizuar autori i golit të fitores së Romës.

Në fund një fjalë për ata që më shumë e kanë mbështetur skuadrën, tifozët. “Ky trofe shkon për tifozët tanë të mrekullueshëm. Ata e meritojnë më shumë se askush tjetër. Na kanë mbështetur, kanë vuajtur me ne dhe tani është koha të festojmë.

Kanë qenë të pabesueshëm, fantastikë. I kemi bërë një dhuratë të bukur”, ka thënë mesfushori i verdhekuqve, Nikolo Zaniolo.

LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit


Loading…

Vendosi fatin e finales së Ligës së Konferencës në Tiranë, Zaniolo: Ky trofe ishte ëndrra e fëmijërisë sime!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook