Diamanti i rrallë rozë prej 170 karatësh i zbuluar në Angola mendohet të jetë guri më i madh i këtij lloji i gjetur në 300 vjet.
I quajtur Lulo Rose, diamanti u gjet në minierën e diamanteve aluviale Lulo.
Vetëm një në 10 mijë diamante ka ngjyrë rozë. Guri i çmuar rozë pritet të marrë një vlerë të lartë kur të dalë në ankand.
Lulo është një minierë aluviale që do të thotë se gurët janë nxjerrë nga shtrati i lumit.
Kompania Lucapa është duke kërkuar për depozitat nëntokësore, të njohura si tuba kimberlite, të cilat do të ishin burimi kryesor i diamanteve, tha shefi ekzekutiv i Lucapa, Stephen Wetheral duke folur nga selia e kompanisë në Australi.
“Ne jemi duke kërkuar për tubat kimberlite që sollën këto diamante në sipërfaqe,” u shpreh zoti Wetherall.
“Rreth 400 veta staf janë të punësuar në minierën Lulo, e cila ka prodhuar tashmë dy diamantet më të mëdhenj të gjetur ndonjëherë në Angola, duke përfshirë një diamant të pastër 404 karatësh, tha ai.
Guri i çmuar rozë është diamanti i pestë më i madh i gjetur në minierë, ku janë gjetur 27 diamante prej 100 karatësh ose më shumë, sipas Lucapa.
Diamanti rozë do të shitet me tender ndërkombëtar nga kompania shtetërore angoleze e marketingut të diamanteve Sodiam.
Diamante të ngjashme janë blerë për dhjetëra miliona dollarë në të kaluarën, me një – të njohur si Ylli Pink – i shitur në një ankand në Hong Kong për 71.2 milion dollarë (59 milion £) në 2017.
Diamanti rozë është i një madhësie mbresëlënëse, por ka edhe diamante të pastër që janë më të mëdhenj se 1000 karat.
Diamanti Cullinan i gjetur në Afrikën e Jugut në vitin 1905 peshon 3106 karat.