Vidhte kabllo elektrikë të ndriçimit të qytetit, duke krijuar shqetësim për qytetarët dhe pushuesit, arrestohet 34-vjeçari në Durrës.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave përfundoi i riu me inicialet E. R., ndërkohë janë sekuestruar qindra metra kabllo elektrikë të ndriçimit të rrugëve të qytetit të Durrësit.
NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, nisur nga denoncimet e bëra nga Bashkia Durrës dhe nga shqetësimet e qytetarëve, të adresuara në Policinë e Durrësit, se një shtetas këpuste kabujt e furnizimit me energji elektrike, me qëllim vjedhjen e tyre, duke lënë për pasojë, në errësirë, rrugët e qytetit të Durrësit, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Pas disa ditësh hetime dhe ndjekjeje u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-E. R., 34 vjeç, banues në Durrës.
Gjithashtu shërbimet e Policisë i gjetën dhe i sekuestruan këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale, rreth 350 metra kabuj elektrikë që i kishte këputur dhe vjedhur nga shtyllat e ndriçimit të rrugëve të qytetit të Durrësi.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë të vjedhjeve të tjera të kryera nga ky shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.