Verdiktet sezonale në basket/ Teuta e Flamurtari ruajnë fronin, ekipet bregdetare komandojnë sportin e koshit

Të mërkurën në mbrëmje basketbol li shqiptar uli zyrtarisht siparin e sezonit 2021- 2022. Një edicion i shoqëruar me një numër rekord ndeshjesh, për shkak se këtë herë vinte me format të plotë edhe Liga Unike, eventi i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, pa harruar edhe Superkupat Mbarëkombëtare.

pjimage (36)

 

Ashtu sikurse një vit më parë, edhe në këtë edicion, Flamurtari për femra dhe Teuta për meshkuj u rikonfirmuan kampione kombëtare. Ndërsa trofe arritën që të ngrinin lart gjithashtu në këtë sezon edhe Tirana Barleti e Partizani te femrat apo Tirana te meshkujt.

FEMRAT – Në radhët e vajzave, titulli kampion u “parkua” përsëri në Vlorë. Me 4 të huaja në formacion, Flamurtari bëri një sezon dominues në kampionat, për t’i mbyllur llogaritë në finale kundër Partizanit me rezultatin 3-0 me ndeshje.

Bregdetaret vijojnë kështu “diktaturën” në sportin e koshit për femra, duke bërë ligjin që pas viteve 2000, me 16 tituj kampionë të fituar nga 24 në total në historinë e klubit. Flamurtari gjithashtu ka fituar edhe Kupën e FSHB-së, trofe testues që zhvillohet në fillim të sezonit, ndërsa ishte e vetmja skuadër nga Shqipëria pjesë e fazës “Final Four” në Ligën Unike.

Këtë sezon festoi edhe Tirana Barleti, e cila fitoi Kupën e Shqipërisë. Falë një merkatoje aktive dimri me afrimin e disa lojtareve të huaja, kryeqytetaset arritën që të siguronin trofeun e dytë më të rëndësishëm kombëtar.

Pa gjë nuk doli as Partizani, teksa të kuqet i shtuan muzeut të klubit Superkupën e Shqipërisë. Ndryshe nga sa jemi mësuar të shijojmë vitet e fundit, ku rregullisht kanë triumfuar ekipet me lojtare të huaja, triumfi i Partizanit ishte 100% “bio” me lojtare shqiptare. Një skuadër që ka në filozofinë e saj promovimin e basketbollit me lojtare vendëse dhe për herë të dytë radhazi e mbyll si nënkampione.

MESHKUJT – Te djemtë ishte përsëri Teuta kryefjala e basketbollit shqiptar edhe për edicionin 2021-2022. Drejtimin e durrsakëve këtë edicion e kishte trajneri Melzin Lazimi, me Teutën që bëri një kampionat të shkëlqyer si në sezonin e rregullt gjithashtu edhe në “play off”.

Për herë të dytë radhazi dhe për herë të katërt në historinë e saj, Teuta u shpall kampione e Shqipërisë. Bregdetarët gjithashtu fituan edhe Superkupën, ndërsa spikatën edhe në Ligën Unike, duke qenë e vetmja skuadër nga Shqipëria në radhët e meshkujve që shkoi në fazën “Final Four”.

Vllaznia e mbyll si nënkampione, ndërsa meriton duartrokitje për pjesën e dytë të sezonit, ku me ardhjen në drejtim të trajnerit Damian Bekteshi, kuqeblutë ndryshuan tërësisht pamje.

Ndërkohë, Tirana mund t’i gëzohet Kupës së Shqipërisë, një trofe i rëndësishëm që vjen në kryeqytet. Bardheblutë e Erkand Karajit bënë një pjesë të parë mjaft të mirë të sezonit, ndërsa konsideroheshin pretendentë edhe për kampionatin. Por largimi i beftë i dy lojtarëve amerikanë në momentin vendimtar të sezonit la një boshllëk në ekip, duke u pasqyruar më pas edhe në rezultate.

Tirana gjithashtu ishte skuadra fituese e Kupës së FSHBsë. Ky sezon do të mbahet mend edhe për zbritjen e Partizanit nga kategoria. 33 herë kampionët e Shqipërisë u thyen në “play out” nga Besëlidhja, me këta të fundit që regjistrojnë një rezultat historik duke u ngjitur në elitën e basketbollit shqiptar.

Një kategori më poshtë ra edhe Dinamo, e cila rezistoi vetëm një sezon në Superligë. Ndërsa mes më të mirëve edicionin e ardhshëm do të jetë edhe Apolonia si kampione e Kategorisë së Parë.

trofete

ARTIN LLESHAJ – Arena e Lajmit


Loading…

Verdiktet sezonale në basket/ Teuta e Flamurtari ruajnë fronin, ekipet bregdetare komandojnë sportin e koshit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook