Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, renditi abuzimet, që sipas tij, janë bërë me regjistrat në drejtoritë rajonale të Tiranës.
Në një konferencë për shtyp, Lame tha se janë bërë abuzime në dekada me AMTP-të, ndërsa shtoi se në regjistrat e Tiranës mungojnë me mijëra faqe, ndërsa janë bosh brenda regjistrave (dhe jo në fund) me qindra faqe të tjera.
“Kishte vonesa në shërbime. Janë bërë abuzime në dekada me AMTP. Në këto rrethana, pasi konkluduam me listimin përfundimtar, u bë skanimi i formularëve. Ky proces u krye për të gjithë fshatrat e Tiranës. Regjistrojnë të regjistruara, për fat të keq, vetëm rreth gjysma e pasurive. 31 vite që ka filluar procesi i ndarjes dhe regjistrimit të tokës bujqësore dhe është certifikuar vetëm gjysma e saj.
Elementi kryesor që ju intereson qytetarëve është siguria. Frika më e madhe në ndarjen e tokës, vecanërisht për zonat ku zhvillimi ka zhdukur kufijtë fizikë, ka qenë që obobo do më ndërrojnë letrat te ZRPP. Nga ky moment, ky rrezik nuk ekziston më, pasi askush nuk mund të prodhojë më AMTP te Rruga e Kavajës, e dinë të gjithë historinë te Rruga e Kavajës.
Duhen hetime të mirëfillta për të zbuluar se çfarë ka pasur dhe cfarë ka luajtur në qindra faqe, që nuk ekzistojnë më fare. Janë me qindra faqe të dyshuara në regjistër, pra që është hequr një faqe dhe është vënë një tjetër. Them të dyshuara, sepse ndryshon ngjyra, formati, etj. Edhe kjo kërkon hetim. U gjetën rreth 100 faqe të dubluara, dhe kjo bëhej me qëllim që e njëjta pasuri të trajtohej për disa qytetarë, të cilët pastaj duhej të shkonin në dyert e gjykatave për të gjetur se cilit i takonte pasuria.
Fenomeni që në Tiranë ishte shumë më i madh se në Durrës është se ekzistojnë 13 mijë faqe bosh brenda në regjistër. Është e kuptueshme që të jenë në fund të regjistrit, por faqe bosh brenda regjistrit është absurde. Një regjistër fillon nga faqja 1 e deri në fund. Të lësh faqe brenda bosh, qëllimi ka qenë për t’i plotësuar me ato AMTP-t e Rrugës së Kavajës. Më e trishtë është se janë mijëra faqe të pronës shtetërore, që kanë përtuar fare t’i plotësonin. Ka edhe ndërrime fletësh, që janë bërë me aq artë, sa nuk kapen dot”, tha Lame.
Arena e Lajmit