Prezantohet aksioneri i ri, Dinamo e gjitha në proces rivlerësimi

Një ditë pas ndeshjes së fundit të kampionatit me Egnatian, Dinamo ka prezantuar aksionerin e saj të ri, Kristjan Gjidodaj.

Gjidodaj

Bashkë me presidentin Adrian Bardhi, i cili ka mbajtur 51% të aksioneve, ai do të synojë rindërtimin e Dinamos dhe rikthimin e saj të shpejtë në elitën e futbollit shqiptar.

Gjidodaj ka biseduar me stafin teknik dhe grupin e lojtarëve.

Gazeta mëson se ai ka dhënë disa mesazhe të qarta për Dinamon e re. Gjithçka do të jetë më e qartë pas gati dy javësh, pasi deri më 15 qershor blutë do të vazhdojnë stërvitjen.

Për momentin të gjithë janë pezull, askush nuk e ka vendin të sigurt për të ardhmen.

LOJTARËT – Logjika e thjeshtë është se te Dinamo pritet të ketë shumë lëvizje, sidomos në grupin e lojtarëve. Për momentin nuk mund të flitet me emra konkretë.

“Panorama Sport” ka mësuar se deri më 15 qershor do të bëhet një analizë e thellë për çdo lojtar që ka qenë pjesë e Dinamos sezonin që sapo përfundoi. Pra, do të ketë një proces rivlerësimi për secilin prej tyre.

Mesazhi në këtë rast është i qartë: kush e ka përligjur investimin financiar, mund të vazhdojë të jetë pjesë e skuadrës. Por, duke qenë se Dinamo ra nga kategoria, është shumë e vështirë të gjesh elementë që ta justifikojnë investimin, ndaj dhe priten largime në masë.

Kjo edhe për faktin se mund të ketë lojtarë që nuk duan të luajnë në Kategorinë e Parë. Këtu situata komplikohet pak, sepse shumica kanë kontratë dhe duhet gjetur një akord për ndërprerjen e bashkëpunimit.

DINAMO

STAFI TEKNIK – E njëjta gjë vlen edhe për stafin teknik. Analiza e thellë do të tregojë se kush nga pjesëtarët aktualë të stafit dinamovit do ta kalojë “testin” dhe kush jo. Për momentin janë të gjithë pjesë e Dinamos, por pas 15 qershorit situata mund të jetë ndryshe.

Trajneri Rodolfo Vanoli e ka thënë qartë se dëshiron ta vazhdojë projektin me Dinamon edhe në Kategorinë e Parë. Por këtë deklaratë ai e ka bërë kur në krye të bluve ishte vetëm Adrian Bardhi.

Me këta emra që janë aktualisht pjesë e saj apo pa ata, Dinamo do të shkojë në vendin që i takon në futbollin shqiptar. Kjo ishte pak a shumë ajo që u la të kuptohet gjatë prezantimit të aksionerit Kristjan Gjidodaj.

Ditët në vazhdim pritet të qartësojnë pozicionin e çdo lojtari dhe çdo pjesëtari të stafit teknik të bluve.

FATJON RUPI – Arena e Lajmit


Loading…

Prezantohet aksioneri i ri, Dinamo e gjitha në proces rivlerësimi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook