Nga projekti i ri tek objektivat, rrëfehet Gazidhis: Krenar që rikthyem Milanin e madh

Administratori i Milanit, Ivan Gazidhis, foli në një intervistë të gjatë me gazetën britanike “The Guardian”. U prekën shumë tema, nga titulli i sapofituar deri te rinovimet e drejtuesve apo shitja e klubit te fondi “RedBird”.

gazidis

Çfarë shije ka titulli me Milanin?

U desh pak kohë për t’ia dalë mbanë. Pas një suksesi të tillë gjendesh menjëherë në eufori dhe gëzim, por më pas kupton se kjo është një arritje monumentale jo vetëm për atë që kemi bërë, por edhe për mënyrën se si e kemi bërë.

Që në fillim të sezonit besuam se kishim krijuar diçka të veçantë, bazuar në një ide të qartë për të ndërtuar një Milan ndryshe rreth një ekipi shumë të ri. Besoj se është skuadra më e re në historinë moderne që ka fituar titullin dhe një nga më të rejat në Europë.

Si u bë e mundur arritja juaj te Milani?

Më tërhiqte ideja për diçka të re në një ambient të ri. Italia ishte një mundësi për kulturë ndryshe e një gjuhë të re, por nuk ishte fondi “Elliott” që më bindi. U josha nga ideja romantike për të ringritur Milanin. Në fillim nuk ishte e lehtë sepse më etiketonin si afrikanojugori, praktikisht si dikush që nuk merr vesh nga futbolli.

Ja që projekti juaj rezultoi fitues.

Që në fillim kërkuam lojtarë që të mos ishin me emra bombastikë. Nëpërmjet metodave moderne dhe analizave tona gjetëm lojtarë të cilët kishin potencial, por që ende nuk u ishte dhënë shansi i duhur.

Jeni pro apo kundër Superligës?

Superliga e vërtetë është kampionati anglez. Kanë tifozë globalë dhe po shkëputen nga futbolli i vendeve të tjera. Fakti që Angli vijon rritjen në këtë aspekt më bëri ta kundërshtoj Superligën kur isha tek Arsenali, ndërkohë që te Milani e përqafova si nismë pasi Italia ka nevojë të ketë rritje në mënyrë që të mos humbasë joshjen e saj.

Ivan-Gazidis

Paolo Maldini pak ditë më parë u ankua publikisht. E keni takuar?

Ai ka meritën që infektoi lojtarët me vlerat e Milanit. Ishte ky faktor që e bëri fitues projektin tonë. Më pas, meri ta kemi të gjithë që besuam verbërisht te ky projekt. Të gjithë na kritikonin sepse sipas tyre nuk kishim llogaritur presionin e publikut dhe peshën e fanellës, por faktet po na japin të drejtë.

Ashtu si Maldini edhe ju jeni në skadencë kontrate. Do të qëndroni kuqezi?

Me siguri në të ardhmen afatshkurtër do të jem ende pjesë e klubit. Kam një ndjesi përkatësie ndaj Milanit dhe jam mirënjohës.

A do të shitet Milani siç po flitet këto ditë?

Fondi “Elliott” është në diskutime me blerësit e mundshëm, por dua të theksoj se nuk donin ta shisnin Milanin. Ishin blerësit e inter esuar që kërkuan diçka të tillë. Me këtë dua të them se projekti i Milanit është i sigurt, qoftë me “Elliott”-in apo me këdo tjetër që mund të marrë pronësinë e klubit.

Çfarë synimesh ka klubi për të ardhmen?

Ne duam të rikthehemi konkurrues në nivel europian. Jemi ende duke u rritur sepse lojtarët tanë të rinj nuk kishin luajtur kurrë në Champions para sezonit të kaluar. Ne synojmë të përmirësohemi nga viti në vit dhe kurrë nuk kemi folur [publikisht] për fitimin e titullit këtë sezon, por ishte qëllimi ynë. E dinim që ëndrra do të realizohej vetëm me punë të palodhur.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI – Arena e Lajmit


Loading…

Nga projekti i ri tek objektivat, rrëfehet Gazidhis: Krenar që rikthyem Milanin e madh

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook