Dy largime për të financuar dyshen e ëndrrave, ja plani i Interit për sulmin e sezonit të ardhshëm

Planet e Interit për merkaton pa dyshim që kalojnë jo vetëm nga afrimet e emrave të rinj në skuadër, por edhe nga ata që mund të lënë Milanon, manovra të ndërlidhura ngushtë me njëratjetrën. Duke u përqendruar te të parët, zikaltrit po punojnë në shumë fronte, aty ku përveç Romelu Lukakut, emri më i përfolur është ai i Paulo Dibalës, për të cilin vetëm dy ditë më parë, Bepe Marota konfirmoi dëshirën për ta pasur në skuadër.

INTER LAUTARO XHEKO

Por ndërkohë që argjentinasi ka marrë një muaj kohë, i kushtëzuar edhe nga buxheti i Interit që momentalisht nuk i lejon zikaltrit të formulojnë një ofertë që do të kënaqë sulmuesin, vetë klubi po pret që Sançez e Vidal të gjejnë një tjetër skuadër për të ardhmen, duke shpëtuar kështu nga rrogat më të larta në skuadër prej 7 dhe 6.5 milionë eurosh. Në të kundërt, Interi do të ushtrojë klauzolën e zgjidhjes së kontratës një vit para përfundimit të afatit për të dy, duke derdhur në llogaritë e secilit nga 4 milionë euro. Por nëse problemi me dy kilianët është rroga e lartë, mbërritja e njëkohshme e Lukakut dhe Dibalës mund t’i hapte rrugë një tjetër skenari: largimit të Lautaro Martinezit.

Qëndrimi i të treve në sulm do të ishte zgjidhja ideale për Simone Inzagin, por duket e pamundur, jo vetëm për shkak të rrogave të larta të repartit, por edhe të faktit që me sigurimin e dy sulmuesve të tjerë niveli si Lukaku e Dibala, Inter nuk do t’i thoshte “jo” shitjes së Lautaros që mund t’i sjellë arkave të skuadrës 70-80 milionë euro. Nuk përjashtohet që në rast të qëndrimit të “Demit” të jetë Edin Xheko ai që do të braktisë shtëpinë zikaltër, por në moshën 35-vjeçare largimi i boshnjakut mund të sjellë vetëm krijimin e hapësirës për një sulmues të ri, por jo të ardhura.

Kështu, Interi mund të gjendet sezonin e ardhshëm me një repart të rifreskuar, gjithmonë nëse rikthimi i Lukakut mund të quhet i tillë, por në Milano duhet t’i bëjnë llogaritë me lamtumirën e atyre që bënë që Interi të ishte sulmi më i mirë i Serisë A në sezonin që sapo u mbyll.

Arena e Lajmit


Loading…

Dy largime për të financuar dyshen e ëndrrave, ja plani i Interit për sulmin e sezonit të ardhshëm

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook