EKSKLUZIVE/ “Ia dhashë unë Gjicit listën e të pandershmëve”, shpërthen Longo: Turp, te Kukësi lojtarët paguanin 2 mijë euro për… (E PLOTË)

Diego Longo mendon se ka bërë mirë në një vit te Kukësi, pavarësisht se skuadra në fund nuk arriti dot për të dytin vit radhazi të merrte pjesë në Europë, objektivi minimal ky i verilindorëve. Italiani i vetëm që mbyll një sezon të plotë si trajner në elitën e futbollist shqiptar, siç e konsideron Longo veten e tij, rrëfehet në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” rreth eksperiencës në futbollin shqiptar. 

Longo

Longo pranon se ishte ai që kohë më parë u kishte thënë drejtuesve që nuk do të vazhdonte më në krye të klubit, edhe nëse arrihej Europa, ndaj nuk mërzitet që për largimin e tij u vendos para finales së Kupës së Shqipërisë. Longo është dakord me deklaratat e Gjicit, që në klubin e Kukësit ka pasur dallaveraxhinj, teksa ka qenë vetë italiani që ia ka bërë të ditur këta njerëz. Në fund, ai zbulon edhe ngjarje tronditëse, teksa paguheshin deri në 2 mijë euro që një lojtar i ri të stërvitej në ekipin e parë dhe, sipas tij, kjo ishte absolutisht e papranueshme, duke bërë që të kishte shumë armiq në klub. Në fund ai lë të hapur çdo mundësi rikthimi në futbollin shqiptar, edhe pse vetëm pak ekipe plotësojnë kushtet e tij.

E keni parë finalen e Kupës mes Vllaznisë dhe Laçit?

Jo, kam kaluar një mbrëmje me familjen dhe miqtë.

Ju vjen keq që Kukësi nuk do të jetë tani në Europë?

Më vjen shumë keq për lojtarët dhe tifozët.

E prisnit të përfundonte marrëveshja me Kukësin apo shpresonit për një sezon tjetër?

Prej kohësh e kisha komunikuar vendimin tim për të mos qëndruar në Kukës. Nuk kishte kushte për qëndrimin tim në Kukës.

Si ju duk vendimi që pa e ditur nëse keni marrë pjesë apo jo në Europë, u larguat?

Siç thashë, për sa më përket mua, ishte një vendim i marrë tashmë që e kisha komunikuar prej kohësh, kështu që nuk ishte ndonjë surprizë. Europa apo rezultatet nuk ishin vendimtare për qëndrimin tim.

Fakti që 3 orë pas largimit tuaj u gjet trajneri ri, a lë të kuptohet se ndërprerja e kontratës ishte menduar prej kohësh?

Kontrata ime skadoi në fund të sezonit dhe me ardhjen time kisha kërkuar një klauzolë, ku si klubi ashtu edhe unë mund të ndërprisnim në çdo kohë pa asnjë ndëshkim. Detyrimet e vetme ishin në lidhje me stafin tim, edhe pse nuk janë respektuar deri më sot.

Si do ta përshkruanit këtë eksperiencë që keni pasur në Kukës?

Shumë impenjative, por pozitive. Në 10 muaj ne kemi shkuar nga një vlerësim prej 3.1 milionë në 4.7, sipas vlerësimeve të transfertave të tregut. 90% e lojtarëve luajtën sezonin më të mirë në karrierën e tyre, sipas të dhënave dhe statistikave të INSTAT dhe “Wyscout”. Luajtën 10 nën 21 vjeç, 9 prej të cilëve disa herë nga minuta e parë.

Ne kemi përmirësuar organizimin dhe kushtet e përgjithshme falë një autobusi të ri, një menaxheri të ri ekipi pranë ekipit, një staf të ri mjekësor me përfshirjen e një mjeku, një kontratë me një qendër mjekësore të shkëlqyer për të lënduarit, riorganizimin e pajisjeve dhe udhëtimit.

Të gjitha gjërat që duken të qarta, por që nuk ishin aty kur mbërrita dhe që i ndërtuam dhe i arritëm me shumë përpjekje. Askush nuk e ka idenë se sa herë nuk kemi pasur terrenin për stërvitje, uniformat apo edhe vetëm topat. Tashmë janë bazat për të punuar me profesionalizëm dhe seriozitet.

Për cilat gjëra keni pasur më shumë përplasje me presidentin?

Presidenti është larg ekipit dhe ka një perceptim të dobët të asaj që po ndodh brenda. Personat tek të cilët ai beson dhe që duhet ta mbajnë të informuar e të mbrojnë grupin nuk janë në nivelin e duhur dhe shpesh kanë interesa të tjerë, të cilët nuk përkojnë me ata të klubit.

Nuk pati përplasje të mëdha, por as një marrëdhënie të madhe edhe për shkak të gjuhës, sepse ai flet vetëm shqip. E respektoj dhe duke qenë se jam i vetmi italian që kam trajnuar për një sezon të tërë në historinë e Kategorisë Superiore dhe një nga 2 të vetmit në historinë e Kukësit, ndoshta duhet ta falënderoj edhe për besimin, pavarësisht faktit që gjatë vitit ai nuk bëri shumë për ta vërtetuar atë për mua.

A është e lehtë të punosh në Shqipëri, ku dallon nga vendet e tjera?

Ka vështirësi si kudo, por mendoj se ka shumë ndryshim në mënyrën e punës mes klubeve shqiptare; prandaj, në disa shoqëri është më e lehtë dhe më e këndshme, në të tjera pothuajse e pamundur.

Krahasuar me vendet e tjera, dallon kryesisht në organizimin që është ende i mangët, por mbi të gjitha në mungesën e dëshirës për të kërkuar përmirësim. Nuk është çështje ekonomie, por mentaliteti, të paktën në realitetin që kam përjetuar. Për shembull, nga sa pashë, drejtuesit që kam takuar dhe çfarë kam dëgjuar nga lojtarët dhe stafi i Kategorisë Superiore, Partizani dhe Tirana janë 2 klube të mëdha, të organizuara dhe ambicioze, pa dyshim më të lartë se të tjerët.

Çfarë ju ka befasuar më shumë nga Shqipëria si vend dhe futbolli në veçanti?

Shqipëria ka potencial të jashtëzakonshëm, por thuajse duket se po frenon të ardhmen e saj, i mungon vetëvlerësimi dhe besimi. Fraza më e përsëritur që më shqetësoi më shumë ishte ‘kjo është Shqipëria, nuk mund të bësh asgjë për të’. Jam i bindur se përkundrazi mund të bënim shumë, por duhet të përveshim mëngët dhe të merremi me punë, pa kërkuar rrugë të shkurtra. Është çështje mentaliteti. Në planin afatgjatë, puna dhe kompetenca gjithmonë shpërblehen.

Në pjesën e parë të kampionatit ishte një Kukës i bukur dhe me rezultate. Në pjesën e dytë pati probleme, çfarë ndodhi?

Pati një sërë pengesash që sigurisht e komplikuan pjesën e dytë. E para ishte paradoksalisht rruga e mrekullueshme e periudhës së parë, e cila rriti pritshmëritë rreth ekipit. Kam luftuar për të mbajtur presionin jashtë ekipit, por mbeta vetëm. Kur i shpjegova se pa përvojë apo zakon për të fituar si skuadër, duhet të mendosh për një lojë në një kohë, klubi preferoi të rriste më tej presionin mbi djemtë, duke i bërë ata të luanin me frikë.

E dyta ishte se që në tetor kisha kërkuar përforcime për fillimin e janarit për të lejuar që të rinjtë të përshtateshin, por sa herë që një lojtar ishte gati të firmoste dhe të vinte në Kukës, dilte një problem nga kushtet e kontratave të propozuara nga avokati i klubit dhe marrëveshja mungonte. Kjo kishte ndodhur tashmë në fillim të sezonit, por në mes të sezonit ishte vendimtare, edhe sepse patëm mundësinë të sillnim disa lojtarë vërtetë të fortë.

Në vend të kësaj, arritëm në fund të janarit dhe gjithçka ishte më e vështirë. E treta ishin dëmtimet e Tafas dhe Shkurtajt, si dhe mungesa e Feizhaos dhe Milunoviçit për gati dy muaj. Shumë për skuadrën tonë. Do të ishte njëlloj sikur të largoheshin nga Tirana Seferi, Xhixha, Hoxhallari dhe Bekaj… Të fundit ishin disa interpretime të bujshme të arbitrave, që me pranimin e vetë arbitrave, i hoqën shumë pikë në luftën për vendin e tretë.

Presidenti Gjici ka akuzuar se ka punuar në klub gjatë kësaj periudhe me dallaveraxhinj (pa thënë se kush janë ata). Ju prek pak kjo gjë, keni një koment?

Ia kam dhënë unë presidentit listën e të pandershmëve dhe jam krenar që eliminova disa zakone të pashëndetshme apo që largova persona që nuk ndihmonin klubin, por mendonin vetëm për vete. Për fat të keq, kur bën zgjedhje të tilla atëherë bëhesh i padëshirueshëm, mbi të gjitha sepse për shkak të edukatës dhe respektit, nuk i denoncon publikisht këta persona. Për shembull, zakoni për të dhënë 2000 euro nga një i ri që të mund të stërvitej me skuadrën e parë ishte një turp.

E them këtë sepse kjo jo vetëm që shkatërronte meritokracinë te të rinjtë, por në të njëjtën kohë i bënte ata të ndiheshin sikur kishin të drejtë edhe të luanin, sepse kishin paguar. Fakti që unë vendosa t’i luftoja këto prapësira më solli shumë probleme dhe më shtoi armiqtë. Persona që gjatë sezonit më kanë sulmuar mua dhe lojtarët e rinj që kanë ardhur për interesa krejtësisht personale dhe dashakeqe.

Menaxhimi që iu bë disa prej blerjeve të fundit ishte një tjetër arsye e madhe për t’u shkëputur me një pjesë e mjedisit, por për mua është e rëndësishme të jem në gjendje të shihem në pasqyrë pa pasur turp nga vetja. Nëse unë punoj për dikë, atëherë bëj të pamundurën për interesat e tij dhe nuk mundem kurrë ta dëmtoj për përfitime të miat personale. Ndoshta kjo nuk u kuptua si duhet nga presidenti.

Do ta shqyrtonit një rikthim në futbollin shqiptar me një ekip tjetër. Keni pasur ndonjë ofertë?

Asnjëherë mos thuaj kurrë, por duke njohur futbollin shqiptar dhe veten time, mendoj se mund të punoj vetëm në 2 ose 3 klube, pra ku ka respekt për profesionistët, ambicie dhe vullnet për të punuar për t’u përmirësuar.

Në futboll asnjëherë nuk i dihet, a mund të kthehesh një ditë në Kukës?

Unë e dua shumë Kukësin dhe njerëzit e tij, por mendoj se ndryshimi mes meje dhe drejtuesve aktualë për nga stili dhe ambiciet është shumë i madh. Për mua vlerat njerëzore si respekti, serioziteti dhe sinqeriteti janë thelbësore.

Keni ndonjë këshillë për trajnerin e ri të Kukësit në lidhje me ekipin që ka në dispozicion?

Ai do të dijë shumë mirë se çfarë të bëjë dhe me kë të përballet, e njeh mirë Kukësin dhe zakonet e tij.

Çfarë ju ka mbetur peng nga kjo aventurë që keni pasur në Kukës?

Puna e përditshme në fushë ishte shumë shpërblyese dhe e këndshme për aplikimin dhe gatishmërinë e madhe të lojtarëve dhe stafit tim dhe për lojën që arritëm të bënim.

Por edhe kënaqësia e marrëdhënies me njerëz të mirë dhe profesionistë të shkëlqyer si Pejiç, Erjon, Iris Selimi apo edhe kolegë e drejtues të ekipeve të tjera, si Shehi, Daja edhe Ildi Dajlani. Ishte një eksperiencë e madhe dhe do të mbaj një kujtim të mirë për Shqipërinë.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit

 


Loading…

EKSKLUZIVE/ “Ia dhashë unë Gjicit listën e të pandershmëve”, shpërthen Longo: Turp, te Kukësi lojtarët paguanin 2 mijë euro për… (E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook