Deputetja Albana Vokshi në një komunikim për mediat tha se këtë të mërkurë ka marrë pjesë në seancën gjyqësore për një padi të bërë nga ministrja e Arsimit Evis Kushi, për tezat e provimit të maturantëve të cilat dolën para provimeve.
Gjatë fjalës së saj Vokshi tha se sot është zhvilluar seanca e parë, ndërsa ministrja e Arsimit Evis Kushi nuk ishte pjesë e kësaj seance. Gjithashtu shtoi se Kushi duhet të japë dorëheqjen, pasi sipas saj së bashku me kryeministrin Edi Rama e kanë kthyer Arsimin në celulë të PS.
“Sot isha në seancë gjyqësore për një padi të ministres Kushi, për denoncimin që kam bërë për nxjerrjen e tezave. Ishte seanca e parë që quhet seanca pajtuese, por ministrja Kushi nuk ndodhej. E pata të pamundur për të paraqitur provat pasi ministrja Kushi nuk ishte. Ministrja sa kohë harxhon nëpër gjyqe duke bërë të pafajshmen do ishte mirë nëse i ka mbetur një fije morali të jepte dorëheqjen”, tha ajo.
Fjala e plote:
Sot u paraqita personalisht para Gjykatës së posaçme pas padisë së Ministres së Arsimit Evis Kushi. Zonja më paditi për denoncimin e bërë prej meje, para disa javësh, pas sinjalizimeve të mësuesve të qarkut Elbasan për nxjerrjen dhe shpërndarjen e tezave të provimit për mësuesit e arsimit parauniversitar.
Ishte seanca e parë pajtuese, por për çudi, Ministrja Kushi nuk ndodhej në seancë ashtu siç ligji e përcakton.
Unë kisha me vete të gjitha provat dhe faktet, por edhe pse jo pasojat për keqmenaxhimin e proceseve në Ministrinë e Arsimit, njëri prej të cilëve, edhe testi për vlerësuesit e arsimit parauniversitar. E pata të pamundur t’i paraqes këto prova pasi Ministrja Kushi vendosi që të mos paraqitej.
I kërkova gjykatës që të thirrej në seancë ministrja Kushi, për t’ia paraqitur në prezencë sipas ligjit, të gjitha faktet dhe provat të cilat i ka denoncuar dhe do të vazhdoj t’i denoncoj.
Ministrja sa kohë harxhon nëpër gjyqe duke bërë të pafajshmen, por do të ishte në nderin dhe moralin e saj të kishte dhënë menjëherë dorëheqjen.
Koha e provoi qe pyetjet ishin po ato që u dërguan ne inbox-in tim nga një mësuese.
Kjo tregon degradimin e sistemit arsimor.
Evis Kushi ka përgjegjësi ligjore, ka përgjegjësi morale dhe përgjegjësi politike. Ajo duhet të kishte dhënë dorëheqjen.
Arsimi sot gjendet në një pikë alarmante vetëm në vitet e qeverisjes së Ramës janë 208 mijë nxënës dhe studentë të larguar nga arsimi sepse ministrja Kushi dhe Edi Rama e kanë kthyer arsimin në celulë të Partisë Socialiste.
Politizimi i sistemit dhe keqtrajtimi financiar i mësuesve janë arsyet kryesore pse sot arsimi është ne gjendjen me të keqe ne te gjithë historinë e vet.
Testet e maturës theksuan edhe njëherë gjendjen e rende te këtij sistemi. Kjo qeveri është armike e dijes dhe e zhvillimit. Nxënësit tanë po lenë shkollën dhe braktisin Shqipërinë.
Arena e Lajmit