Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylamenti nga foltorja e Kuvendit i ka bërë thirrje deputetëve opozitarë që në votojnë pro aktit normativ në lidhje me kompensimin e çmimeve për disa materiale ndërtimi.
Gjylameti ka shtuar se opozita dhe ekzekutivi duhet të jenë bashkë dhe duhet t’i jepet fund politikave me ankesa dhe në situata të jashtëzakonshme, njerëzit duhet të ngrihen në nivel që të përfaqësojnë ata që i kanë votuar, të marrin vendime të jashtëzakonshme.
“Nuk e kuptoj çoroditjen totale që kanë disa kolegë të opozitës. Kemi diskutime shumë të mëdha se pse si qeveri duhet të ndërhynim për kontratat në disa sektorë që janë kyç për ekonominë.
Ndërkohë dëgjojmë një çoroditje totale. E kuptoj që ka një çoroditje totale. Kemi pasur paketat që janë në mbështetje të familjeve, bizneseve të vogla. Mbështetëm të gjitha familjet për kompensimin e shportës. Ndajeni mendjen, për kë jeni këtu, ndajeni mendjen për çfarë doni të diskutoni. Ua kuptojmë hallin, por nuk ua zgjidhim dot.
Pse nuk ngrihemi në nivelin e një debati konstruktiv në komisione dhe në seancë. Në këto situata të vështira ajo që duhet t’i bëjë bashkë ata që njerëzit i kanë zgjedhur, duhet të jetë interesi i njerëzve. Nuk bëhet politikë në kohë krize. Bëhemi bashkë të diskutojmë, çfarë duhet të bëjmë. A mjaftojnë ndërhyrjet që ka bërë qeveria, a duhet të vijojmë më tutje.
Duhet të kemi diskutime çfarë duhet të bëjmë nëse kriza vazhdon. Çmimet do rriten se nuk janë në dorën tonë. Kolegë të opozitës, ka nga ju që jua dëgjoj shumë mendimin, por ka kolegë tuaj që nuk marrin vesh nga ekonomia dhe marrin përsipër të flasin për teori ekonomike që ende nuk janë shpikur.
Keni qenë në qeveri, pse nuk keni bërë paketa sociale për njerëzit në nevojë? Pse nuk keni zgjidhur ato problematika që kanë qenë të atyre njerëzve që ju kanë votuar. Kemi 9 vite që ju dëgjojmë që anatemoni çdo politikë që ndërmerr kjo qeveri. Në situata të jashtëzakonshme duhet të jemi bashkë. Prandaj politikat e qeverisë kanë treguar që janë të duhurat. Kemi rritje ekonomike më të lartë në krahasim me rajonin. Të nderuar kolegë, ekonomia është sensitive, boll me këtë thirrje negative, të qarit dhe të ulëriturit për çdo gjë që po ndodh në këtë vend. Hajde të bëhemi bashkë për të zgjidhur problematikat që kemi.
Unë them që të shikojmë me vëmendje aktin normativ, nuk është rast për të votuar kundër, por për të kuptuar që në situatë të jashtëzakonshme, njerëzit duhet të ngrihen në nivel që të përfaqësojnë ata që i kanë votuar, të marrin vendime të jashtëzakonshme”, tha Gjylameti.
Arena e Lajmit