Zjarri i rënë në zonën malore të fshatit Velçan në Berat vijon prej 3-ditësh.Vatrat 3 zjarrit janë ri aktivizuar dhe flakët kanë përfshirë sipërfaqe të tëra me pisha në zonën malore, ndërkohë që zjarri po vijon të përhapet si rezultat i temperaturave të larta dhe erës.
Zjarri në fshatin Velçan ka 3 ditë që ka filluar dhe Repartet Zjarrfikëse e kanë të pamundur lokalizimin e flakëve dhe shuarjen e tij, për shkak të terrenit të vështirë.
Pamundësia e futjes në zonë të mjeteve zjarrfikëse ka bërë që në zonë të punohet vetëm me mjete rrethanore dhe me pompa uji shpine. Pas kërkesës së zjarrfikësve, në zonë kanë mbërritur edhe helikopterë që kanë kryer këto 2-ditë hedhjen e ujit nga lart por edhe helikopterët nuk kanë mundur të shuajnë dot flakët e zjarrit që kanë pësuar shtrirje të madhe në pjesën malore.
Vetëm paraditen e sotme janë riaktivizuar shumë vatra zjarri, ndërkohë që raportohet se dhjetëra hektar sipërfaqe pyll me pisha janë shkrumbuar në këtë zonë.
Raportohet nga vendngjarja se, zjarri është duke përparuar në drejtim të territorit të Mallakastrës, ndërkohë që shkaqet e zjarrit nuk dihen ende.