EKSKLUZIVE/ “Shehi dhe Osmani më donin te Tirana, do të jap maksimumin për këtë fanellë”, Aleksi flet si bardheblu: Ndjesë nëse…

Albano Aleksi flet si bardheblu. Në intervistën e parë për “Panorama Sport” si lojtar i Tiranës, mesfushori që deri dje ishte te Teuta, premtoi se bardheblutë do të dalin kampionë edhe këtë sezon. Pranoi se Shehi e ka kërkuar, ndërsa nga ana tjetër u kërkoi ndjesë tifozëve nëse janë ndier të cenuar, si dhe premtoi se do t’ua shpërblejë në çdo moment. Aleksi është një njohje e vjetër e Superiores. Në sezonet e fundit ai ka luajtur me Teutën. Atij i skadonte marrëveshja në verën e vitit 2023, por palët dje janë ndarë me mirëkuptim dhe pas tri viteve të arta në Durrës, tashmë mesfushori do të kërkojë një tjetër skuadër për të vijuar karrierën. 29-vjeçari u bë shumë shpejt një idhull për tifozët e Teutës, teksa për tri sezone radhazi dha një kontribut të jashtëzakonshëm. Me fanellën e “djemve të detit” fitoi gjithçka: një titull kampion, një Kupë dhe dy Superkupa. Mesfushori u aktivizua në 95 ndeshje kampionati me Teutën, 19 në Kupë, 2 herë në Superkupë dhe 9 ndeshje ndërkombëtare (Champions dhe Liga e Europës).

ALBANO ALEKSI 1

Albano, përse zgjodhët Tiranën?

Tirana është klub i madh dhe me histori të madhe, çdo lojtar do të dëshironte të bëhej pjesë e saj. Dëshira ime ka qenë e madhe. Gjithashtu ka treguar se është trampolinë e mirë drejt kompeticioneve më të forta jashtë vendit, ndaj pse jo.

Shehi dhe Osmani kanë qenë një nga sponsorët më të mëdhenj për të ardhur te Tirana?

Po, normale ka qenë dëshira e trajnerit dhe drejtuesve të Tiranës. Sapo mbylla bashkëpunimin me Teutën ishim menjëherë në kontakt me drejtorin e Tiranës, Osmanin, dhe kështu vazhdoi biseda deri sa ramë dakord.

Keni luajtur në Durrës disa vite, por tani do të jeni në një piacë të madhe si Tirana që kërkon fitoren. Në fushë ju gjithmonë jeni nga ata që nuk dorëzoheni. Duket se dy filozofitë bëhen bashkë?

Sigurisht, kur një lojtar bën lojë të mirë, kërkon gjithmonë sfida të reja, më të vështira dhe mendoj se ardhja te Tirana që ka treguar gjithmonë konkurrencë të fortë, është lëvizja më e zgjuar.

Si e keni parë Tiranën sezonin e shkuar?

Sezonin e shkuar ne u shpallëm kampionë dhe punonim drejt objektivave tanë, ndaj ishim fokusuar plotësisht aty. Pa parë çfarë bënin klubet e tjera. Këtë vit Tirana ka bërë shumë më mirë dhe puna dha rezultat.

Keni garanci që mund të jeni titullar?

Unë erdha këtu si dëshirë e trajnerit, stafit teknik dhe klubit. Do të jap maksimumin në stërvitje. Më pas kjo i takon trajnerit, nëse ai e sheh të arsyeshme. Jam i bindur qe aktivizimi si titullar nuk do të mungojë, por duhet të punoj fort gjithmonë për t’i bërë vend vetes.

Në mesfushë, mbrojtje. Aleksi është i gjithanshëm?

Roli im është mesfushor, por disa herë kam luajtur në mbrojtje, sepse ka pasur nevojë ekipi. Gjithashtu, unë do të bëj më të mirën për ekipin dhe do të luaj ku ka nevojë skuadra.

Çfarë prisni të gjeni te Tirana?

Pres të gjej një ekip solid, plot grintë. Ashtu siç e tregoi veten gjatë gjithë sezonit.

Si e shihni aventurën e Tiranës në Europë?

Mund të shkojë në fazën e grupeve? Ne do të punojmë fort dhe do të japim maksimumin. Unë do të jap çdo gjë për të ndihmuar ekipin sa mundem. Shpresojmë të shkojmë sa më larg.

Kë njihni mirë nga ky grup te Tirana?

Normalisht njoh Seferin, sepse luajti në Europë me Teutën, por edhe çunat e tjerë pak a shumë.

Një fjalë për tifozët…

Një klub kaq i madh pa dyshim ka dhe një tifozëri të madhe. Ata janë lojtari i 12- të. Shpresoj t’i kënaq në fushën e lojës e t’u dhurojmë sa më shumë fitore. Dhe diçka: unë i kuptoj tifozët e Tiranës që mund të jenë mërzitur me mua, por në qoftë se e kam bërë, u kërkoj ndjesë. Çdo gjë mund ta kam bërë nga nervat e sipër si çdo futbollist. Ama u premtoj që do të bëj maksimumin për këtë fanellë sa të jem pjesë e këtij klubi. U premtoj që do të dalim sërish kampionë.

Mund ta fitojë Tirana sërish titullin sezonin e ardhshëm?

Patjetër që unë kam ardhur në këtë klub për ta fituar sërish titullin kampion. Dhe jam i bindur se me këtë grup çunash (futbollistësh) do të shpallemi sërish kampionë.

OLSI AVDIAJ – Arena e Lajmit


Loading…

EKSKLUZIVE/ “Shehi dhe Osmani më donin te Tirana, do të jap maksimumin për këtë fanellë”, Aleksi flet si bardheblu: Ndjesë nëse…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook