Ylber Sefa është fituesi i Rrethit të 79-të Çiklistik të Shqipërisë, aktivitet që uli siparin ditën e shtunë në qytetin e Fierit.
Pasi kishte kryesuar në tria etapat e para, Sefa e lëshoi përkohësisht fanellën e verdhë në etapën e katërt, po ia doli të rikuperonte sërish atë në etapën e fundit, atë të pestën, me itinerar Gjirokastër-Vlorë-Fier (160.6 km), duke u shpallur edhe kampion në evenimentin më të madh çiklistik të Shqipërisë.
Në Rrethin Çiklistik morën pjesë 12 skuadra: 3 shqiptare e 9 të huaja, çiklistët e të cilave përshkuan gjatësinë prej 728 km rrugë përgjatë këtyre 5 ditëve.
Duke u kthyer te gara e fundit, Sefa arriti të rikuperonte 20 sekondat disavantazh ndaj rumunit Raileanu, për t’u shpallur kampion.
Kjo etapë dhuroi një tjetër përballje të fortë, ndërsa ishte edhe më e shpejta në krahasim me etapat e tjera. Gjithçka u mbyll me festën në qendër të qytetit të Fierit, me Sefën që i gëzohet triumfit të tij të dytë në Rrethin Çiklistik, pas atij të vitit 2016.
Por ky sukses ka një shije të veçantë për Sefën, pasi kujtojmë se Rrethi Çiklistik i Shqipërisë është për herë të katërt pjesë e kalendarit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), duke i dhënë kështu më tepër vlera fitores së çiklistit të Kombëtares sonë.
Në fund u zhvillua edhe ceremonia, ku përveç presidentit të Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, i pranishëm ishte gjithashtu edhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.
Pas Sefës, në vend të dytë në klasifikimin e përgjithshëm u rendit rumuni Cristian Raileanu.
Ndërkohë, një tjetër pjesëtar i Kombëtares shqiptare që shkëlqeu në Rrethin Çiklistik ishte edhe Mikel Demiri, i cili mbrojti fanellën e kuqe si më i miri për moshat deri në 23 vjeç, gjithashtu edhe fanellën e bardhë të malit, për ta përfunduar turin në vend të tretë.
Shqipëria, e drejtuar nga trajneri Luan Sallaku, triumfon edhe në rang ekipor me kohë të përgjithshme 48:26:37.
Kështu, FSHÇ ul siparin e eventit më të rëndësishëm të vitit, aktivitet që la të kënaqur gjithashtu edhe ekipet e huaja, ndërsa gazeta “Panorama Sport” falënderon sekretarinë e Rrethit të 79-të Çiklistik, Abedin Guzien dhe Ardian Drenin, për bashkëpunim në pasqyrimin sa më korrekt të këtij aktiviteti.
HILMI SALIU – Arena e Lajmit
Loading…