E rëndë ngjarja e ndodhur këtë të martë në plazhin e Himarës, ku një gomone përplasi për vdekje një 7-vjeçaren, me drejtimin e Arjan Tase.
Gazetari Enrik Mehmeti tha për ‘BalkanWeb’ se në momentin që ka ndodhur ngjarja, drejtuesi i gomones, efektiv i policisë (ish shef i komisariatit të Himarës) ishte afruar në breg për të marrë familjen e tij dhe për të vijuar rrugën.
“Mjeti ujor i është afruar shumë pjesës së bregut. Në të është ngjitur bashkëshortja e Tases dhe ai ka lëvizur sërish në drejtim të detit, por helikat e fuqishme të gomones i kanë marrë jetën vogëlushes 7 vjeçare”, raportoi gazetari.
Ndërkohë nga ana e autorit nuk ka pasur një tentativë për t’u larguar në momentin që ka ndodhur ngjarja e rëndë.
“Qoftë nga ana e drejtuesit të mjetit, Arjan Tase nuk ka pasur tentativë për t’u larguar. Nga dëshmitarët mësohet që në vendin ku ka ndodhur ngjarja nuk ka pasur një korridor të përcaktuar për të hyrë apo dalë mjetet lundruese. Atij i është bërë thirrje që të tregojë kujdes kur lëvizte mjetin pasi kishte fëmijë në breg, ndërsa në video mund të shohim edhe reagime jo pozitive nga drejtuesi i gomones. Kjo gomone është marrë me qira për t’u përdorur nga ai dhe familja e tij. Ai kishte disa ditë që kishte mbërritur në Himarë. Arjan Tase është konfliktuar me plazhistë të tjerë. Kemi parë dhe dëgjuar që i kanë folur sepse i mori jetën fëmijës dhe i ka bërtitur në drejtim të prindërve. Pasi e ka goditur nuk ka denjuar të zbresë dhe të shohë fëmijën, por ka qëndruar në gomone së bashku me bashkëshorten e tij. Është e paqartë nëse Tase ka pasur patentë detare për të drejtuar një mjet ujor. Mjetet e mëdha në mënyrë kategorike duhet të kenë patentë mbi 40 hp.”, raporti më tej gazetari.
Arena e Lajmit