Sinan Idrizi fut në “presion” Dritan Resulin. Administratori i ka lënë vetëm pak orë afat trajnerit që e ngjiti skuadrën në Kategorinë e Parë. Ai i ka kërkuar vlonjatit që t’i dorëzojë një projekt konkret për të përballuar garën dhe normalisht garantuar misionin “Superiore”. Këtë e konfirmon edhe gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ku nuk ngurron ta vlerësojë si një djalë punëtor.
“Unë i kam kërkuar trajnerit Dritan Resuli zyrtarisht se çfarë kërkon ai nga unë. Po ashtu i kam thënë që më trego modelin e pankinës që ti ke dhe me të cilën do të përballosh këtë kategori. Le të më sjellë modelin e pankinës, pastaj do ta vlerësoj. Nuk jemi më në Kategorinë e Dytë, por në të Parën.
Kjo kategori është ‘zjarr’ tashmë. Dritan Resuli ka bërë punë të mirë te Flamurtari, është djalë i mirë dhe punëtor, por unë po e pres të vijë e të më thotë çfarë programi ka ai për të ardhmen dhe realizimin e objektivave që ne kemi. Me trajnerin mund të vazhdojmë bashkëpunimin, por edhe mund ta ndërpresim”, u shpreh fillimisht numri një i klubit.
DREJTORI
Ultimatumi vlen edhe për drejtorin Ardi Ciruna. “Jam në pritje për të gjithë. Kjo nuk vlen vetëm për trajnerin, por edhe për drejtorin sportiv. Ardi Ciruna gjithashtu duhet të më sjellë idetë e tij, çfarë do bëjë ai për Flamurtarin. Pema vlerësohet nga frutat. Kur nuk ka fruta, bën hije.
Të paktën të bëjnë një gjë. Duhet që të jenë të qartë se çfarë synimesh dhe projektesh kanë ata për Flamurtarin. Është një shprehje e urtë popullore: ‘Karkaleci me një këmbë, hapi derën me kallam’. Dera e Flamurtarit nuk është për t’u hapur me shkopinj. Nuk ka durim Vlora. Secili të japë përgjigjen e tij për pyetjet dhe pritshmëritë e mia. Unë dëshiroj të vazhdoj me këta, por po këta kanë dëshirën të vazhdojnë me Flamurtarin?”, theksoi administratori i kuqezinjve, duke u lënë afat që të gjithëve.
MERKATO
Sinan Idrizi konfirmon se ka mbyllur marrëveshjen me dy lojtarë të Superiores, por nuk zbulon emrat. Nuk janë të bujshëm, por sipas administratorit, janë ata që mbajnë në këmbë ekipet. “Kemi mbyllur marrëveshjen me dy lojtarë të Superiores. I pres që të vijnë në Vlorë javën që vjen.
Nuk janë lojtarë të bujshëm, por janë ata që mbajnë ekipet në këmbë. Besoj se do të vijnë në fillim të javës që vjen në Vlorë për të firmosur. Po ashtu kemi edhe lojtarë të huaj me të cilët kemi hyrë në bisedime. Kemi edhe dy prioritete të tjera. Ringritjen e akademisë së Vlorës, si dhe investimet që presim të nisin për stadiumin e ri dhe fushat stërvitore”, përfundon numri një i klubit.
Arena e Lajmit
Loading…