Një nga lojtarët që spikati në Ballsh është vlonjati shtatlartë, Arjel Muçollari. I rritur te Flamurtari, Muçollari mbylli sezonin e tij të dytë në Ballsh, teksa një vend titullari e ka provuar që në elitë. Mbrojtësi pritet të mbajë peshë në difensivën e ballshiotëve edhe në sezonin e ri. Ai ka dhënë një prononcim për “Panorama Sport”, ku flet për sezonin e suksesshëm, që sapo mbylli dhe objektivin e Bylisit në elitë.
SEZONI I MBYLLUR – “Jam shumë i lumtur që u ngjitëm në elitë, sepse para dy sezoneve nuk e meritonim të binim, kemi qenë skuadra që deri në javën e fundit prodhoi futboll dhe rezultate. Unë tashmë e ndiej veten me më shumë eksperiencë dhe personalitet e kështu që në Superiore këtë herë rikthehem me ambicie për të luajtur sa më shumë dhe për të dhënë edhe unë më të mirën që Bylisi të arrijë synimet”.
SKUADRA – “Jemi një grup shumë i mirë, shumë lojtarë janë të rinj dhe kemi vite që jemi së bashku e kështu që edhe përfaqësimi ynë në sezonin e ardhshëm besoj se do të jetë në nivele të larta. Bylisi i ka dhënë tonin jo vetëm Kategorisë së Parë, por edhe Superiores vjet, kështu që unë jam optimist për garën në sezonin e ardhshëm. Dihet se Superiorja është shumë më ndryshe, por skuadrat në Shqipëri nuk kanë shumë diferencë”.
OBJEKTIVI – “Po presim të fillojmë fazën dhe të jemi gati për sezonin e ri futbollistik. Jam i bindur që Bylisi do të jetë në skuadrat e vendeve të sipërme në renditje, ndonëse është herët që të flasim dhe të bëjmë llogari”, përfundoi Muçollari, i cili ka luajtur si mbrojtës qendre, por edhe si anësor i majtë tek ekipi nga Ballshi.
ERJON SALIU – Arena e Lajmit
Loading…