Përplasje për hartën e gjyqësorit, Maks Haxhia: Avokatët s’e bëjnë bojkotin për xhepin, s’jeni seriozë! I përgjigjet Bushka: Mos na tregoni ne seriozitetin

0f697349 48a4 498d 8df2 Df2d82866a08

Është shoqëruar me diskutime me tone të larta mbledhja e komisionit të ligjeve ku po diskutohet për hartën e re të gjyqësorit që është krijuar nga KLGJ.

I pari që ka ngritur zërin ishte deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi, që akuzoi KLGJ se ka marrë një vendim politik me bekimin e Edi Ramës, ndërkohë që u kundërshtua nga deputeti socialist Pandeli Majko që kërkoi t’i fikej mikrofoni.

Ndërkohë në vijim, fjalën e mori kreu i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, Maks Haxhia, i cili akuzoi të dy palët politike se nuk janë serioz në mbledhje.

Duke argumentuar se bojkoti i avokatëve nuk bëhet për para dhe mbushje xhepash, por për interesin e qytetarëve, të cilët do të preken nga harta e re e gjyqësorit në financat dhe çdo veprimtari të jetës së tyre, Haxhia theksoi se palët politike nuk janë serioz në mbledhje.

Ai shkoi më tej duke kërkuar që të rrëzohet vendimi i KLGJ, në mënyrë që palët të realizojnë hartën territoriale dhe paralel me të të krijojnë një hartë të vlefshme gjyqësore që do të jetë eficente për drejtësinë.

Haxhia gjithashtu konstatoi se harta e re gjyqësore është produkt i dështimit në një farë mënyre të reformës në drejtësi pasi KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë e pranuan se ka mungesë gjyqtarësh.

DISKUTIMET:

Bardhi: Po i kërkoj kolegut të mos më ndërpresë. Se ai më ndërpreu. Qetësohu Pandi. Merre me qetësi.  Zonja kryetare ta nisim nga kjo pikë. KLGJ të na bindë që ky nuk është vendim politik i Edi Ramës që ka marrë firmën e Naureda Llagamit. Se po qe vendimi politik i Edi Ramës nuk ka pse qëndrojnë këtu as KLGJ, as ne deputetët.

Maks Haxhia, Dhoma e Avokatisë: Jam bërë pesimist se dëgjova që u mblodhëm këtu për ti treguar publikut se kemi. Ne duam të bëjmë me dije qëndrimin e Dhomës së avokatisë së Shqipërisë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi për reformën në drejtësi dhe asgjë që ka të bëjë me hartën e re gjyqësore askush s’duhet ta interpretojë si qëndrim kundër reformës në drejtësi. Vendimet tona mund t’I gjykoni si qëndrime politike, por ne nuk I përkasim asnjë krahu politik dhe vendimet tona janë të pastra të ndërmarrë vetëm si Dhomë Avokatie. Harta e re e gjyqësorit nuk është vetë reforma në drejtësi, por është një hartë për të pasur drejtësi sa më kualitative dhe për ta afruara më pranë publikut,. Ne përfaqësojmë publikun dhe e kemi bërë shumë të qartë. Ne nuk kemi hallin sesi do të paguhemi por që drejtësia të jetë efiçente dhe me këtë hartë të re gjyqësore drejtësia nuk është eficente. Ne i kemi paraqitur arguemntet tona të pakundërshtuara dhe të krahasuara me rajonin. KLGJ na solli krahasimin me hartën suedeze, por vetëm me Suedinë nuk mund të krahasohet Shqipëria, por na krahasoni me këto vendet e tjera që kanë male, fushe gropa ne ju. Se me këtë hartë nuk vete shërbimi plotësisht te qytetari, por i largon më shumë. Me këtë hartë do fillojë vetëgjyqësia, hakmarrja, dhuna në familje,. Se një grua që dhunohet në Frashër të Përmetit, sa të vejë 6 orë të bëjë denoncimin i ka ikur dhe inati dhe presion i ka bërë kryefamiljari.

S’na erdhi mirë që kjo hartë gjyqësore nuk ishte diktuar për arsyet që ne thamë por për mungesë gjyqtarësh. Mungonin gjyqtarët për disa arsye, ndoshta edhe prej dështimit të reformës por unë nuk gjykoj. Ne gjithsesi i kërkuam KLGJ që avokatët t’i bëjnë këshilltarë me status të posaçëm nëse nuk duan t’i bëjnë gjyqtarë.

Kërkuam mos të kalojmë nga 6 Apele në 1 Apel se është hapmi madh. Këtu huk pati as studim financiar fare, e dini ju që Shqipëria nuk ka godina. Në asnjë mënyrë, ne pranuam vetëm për Sarandën dhe ishte zgjidhje politike jo teknike, që Saranda të ketë një Gjykatë të Shkallës së Parë. Kërkuam që Lushnja me 200 mijë banorë të ketë Gjykatë të Shkallës së Parë, jo Administrative. Edhe Kurbini kërkuam të ketë Gjykatë të Shkallës së Parë. Ne bëmë kundërshtimet tona, jo për ta kundërshtuar por për t’u bashkuar me qëllimin që do qeveria për të përmirësuar drejtësinë.

Unë kam edhe një gjë të fundit fare: Ne nuk besojmë se ju e keni seriozisht, ne erdhëm këtu dhe do ua them të dy palëve. Unë jam një qytetar që e kam familjen në Shqipëri, ju po bëni hartën territoriale, ju se keni me seriozitet. Se ne do ju thonim pezullojeni këtë hartë gjyqësore se proceset ecin paralel. Mos të bëjmë themelet, ngremë katet dhe pastaj i prishim prapë katet. Ju sugjeroj se ne nuk e kemi bërë gjithë këtë lëvizje për xhepin tonë.

Klotilda Bushka: Do ju lutesha të lini paragjykimet se jemi ne apo jo serioz.

Haxhia: Është e drejta ime kjo.

Klotilda Bushka: Në lidhje me hartën territoriale dhe gjyqësore. Harta gjyqësore është detyrim ligjor, por si ndërlidhet me çështjet e tjera nuk i takon këtij Komisioni.

Parashtrimet e deputetes së PD, Dhurata Çupi për hartën gjyqësore:

 Në datën 10.06.2022, KLGJ ka miratuar Harën e Re Gjyqësore, e cila sjell riorganizimin e gjykatave të shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm nga 22 gjykata të rretheve gjyqësore në 13 të tilla (pra mbyllen 9 gjykata të shkallës së parë). Harta sjell riorganizimin e gjykatave të apelit, nga 6 gjykata në një gjykatë të vetme me seli në Tiranë (mbyllen 5 gjykata të apelit), si dhe 6 gjykatat administrative të shkallës së parë do të riorganizohen në dy të tilla, përkatësisht në Tiranë dhe Lushnjë (mbyllen 4 gjykata administrative). Në total pra, do të mbyllen 18 gjykata, cka do të thotë se qytetarët e këtyre qyteteve do të duhet që për cështjet e tyre t’u drejtohen qyteteve të tjera, duke rritur kostot në kohë dhe para.

 Në fund të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë kishte 6.348 cështje penale dhe 7.507 cështje civile të pagjykuara, pra në total 13.855 cështje. Nga 31 gjyqtarë që duhet të ketë kjo gjykatë, aktualisht ka vetëm nëntë. Tendenca aktuale për zgjidhjen e një cështjeje shkon deri në 5820.1 ditë ose 15.95 vjet. Pra, një qyteti apo biznesi që ka marrë një vendim të shkallës së parë mund t’i duhen deri në 15 vite që vendimi të marrë formë të prerë, rrjedhimisht të bëhet i ekzekutueshëm. Të dhënat e mësipërme janë ekstraktuar nga raporti vjetor i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

 Megjithatë, projekti i Hartës së re Gjyqësore parashikon mbylljen e pesë gjykatave të apelit dhe transferimin e të gjitha cështjeve për t’u gjykuar në Gjykatën e Apelit Tiranë. Sipas të dhënave të KLGJ-së, aktualisht në rang vendi janë 28.671 cështje që pritet të gjykohen në Apel. Për përballimin e kësaj ngarkese, projekti i KLGJ-së parashikon gjithsej 78 gjyqtarë, cka me gjendjen aktuale do të thotë 368 cështje për gjyqtar. Megjithatë, kjo shifër është marrë në kushtet kur organika e Gjykatës së Apelit Tiranë do të ishte e plotë, pasi në kushtet aktuale për shkak të procesit të rivlerësimit nuk është as gjysma e kësaj trupe në detyrë, ndërkohë që të tjerë gjyqtarë janë akoma në proces rivlerësimi dhe mund të largohen nga detyra.

 Shifrat e paraqitura në raportin vjetor të KLGJ-së rezultojnë të papërputhshme me të dhëna që gjenden në faqen zyrtare të gjykatave të apelit www.gjykata.gov.al, sipas të cilave deri në datën 30.06.2022 ka 40.305 cështje në shqyrtim të pagjykuara, dhe kjo shifër në rang vendi arrin 92.453 cështje. Diferenca ndërmjet shifrave në raportin vjetor të KLGJ-së me shifrat në faqen zyrtare të gjykatave janë në masën mbi 60%. Nëse kjo do të ishte gjendja reale e gjykatave, atëherë problemi që krijohet për shkak të kompozimit të ri gjyqësor, do të ishte akoma më i rëndë pasi cdo qytetari apo biznesi do t’i duheshin disa dhjetëra vite që cështja e tij të gjykohej dhe merrej një vendim përfundimtar.

 Për të pasur një projeksion se si do të jetë gjendja në Gjykatën e Apelit Tiranë, nëse 5 gjykatat e tjera do të mbyllen, vlerësojmë se është me vend t’i hedhim një sy Gjykatës Administrative të Apelit gjatë vitit 2021. Kjo Gjykatë ka në organikën e saj 13 gjyqtarë, nga të cilët vetëm 5 janë në detyrë. Sa i përket cështjeve të pashqyrtuara, nga të dhënat zyrtare të KLGJ-së rezulton se në vitin 2021 mbeteshin 18.415 cështje për t’u gjykuar. Për zgjidhjen e një cështjeje, tendenca është, që në kushtet aktuale, duhen mesatarisht 7577.8 ditë ose 20.7 vjet. Këto shifra janë mjaft domethënëse për të treguar se krijimi i një gjykate apeli në nivel kombëtar, mund të sjellë vonesa dhe zvarritje të proceseve aq të gjata deri në humbjen e interesit të qytetarëve dhe bizneseve për ndjekjen e tyre.

 Neni 14 i ligjit nr. 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, përcakton se harta e re gjyqësore duhet të përmbushë tre objektiva: (i) garantimi i aksesit në drejtësi, që lidhet me afërsinë e individit me gjykatën; (ii) uljen e kostove, me qëllim përdorimin me efektshmëri të burimeve publike; dhe (iii) rritjen e cilësisë dhe përshtatshmërisë së shërbimeve të ofruara. Projekti i propozuar duket të ketë probleme me secilin prej tre kritereve, pasi cënon afërsinë e individit me gjykatën, rrit kostot në kohë dhe para për qytetarët, si dhe cënon efektivisht cilësinë e shërbimit për qytetarët nisur nga vonesat e shumta që të prodhohen për gjykimin e një cështjeje.

 Mbyllja e gjykatave nuk është një proces që ndodh për herë të parë në Shqipëri. Më parë, ky proces ka ndodhur në Librazhd dhe Gramsh, dhe është arsyetuar me faktin se zhvillimet infrastrukturore dhe zhvendosja e popullsisë ndër vite, e ka bërë të panevojshme vazhdimin e funksionimit të këtyre gjykatave. Megjithatë, projekti i propozuar është ndryshimi më drastik i ndodhur në 32 vite i organizimit gjyqësor. Metodat e përdorura nga KLGJ për riorganizimin gjyqësor janë të tilla që krijojnë mjaft probleme sa i përket besueshmërisë së tyre. Fjala vjen, KLGJ e ka bërë matjen e afërsisë së individit me gjykatën bazuar në aplikacionet “ORSM” dhe “Google Map”, dhe jo me matje reale, cka do të mjaftonte për t’i vënë kapak këtij diskutimi sa i përket seriozitetit dhe cilësisë së këtij shërbimi. Aplikacionet mund të funksionojnë në vende si Gjermania dhe Franca, por në një vend si Shqipëria ku infrastruktura është shumë e dobët, një distancë 4 km nga Lapraka në Gjykatën e Apelit Tiranë do 40 minuta kohë dhe jo 10 min që jep aplikacioni.

 Sot që flasim një qytetari për të shkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë mund t’i duhen nga 1 – 1.5 orë, ndërsa sipas riorganizimit gjyqësor qytetarëve do t’iu duhen 2.5 – 3.5 orë për të arritur në gjykatë. Sa i përket gjykatave të apelit, qytetarëve mund t’iu duheshin deri në 2.5 orë për të aksesuar gjykatën, ndërsa me riorganizimin gjyqësor do t’iu duhen deri në 5 orë. Pra, mendojeni pak 5 orë vajtje dhe 5 orë ardhje, do të thotë 10 orë për të ndjekur një proces gjyqësor. Për ilustrim, një qytetari që banon në fshatrat e Shkodrës, Pukës, Korcës apo Gjirokastrës dhe ka një proces gjyqësor në orën 09:00, do t’i duhet të niset rreth orës 4 ose 5 të mëngjesit në mënyrë që të arrijë rreth orës 08:45 në gjykatë. Të njëjtat distanca do të duhet të përballohen edhe nga avokatët e palëve, duke rritur kështu kostot e dyfishta në kohë dhe para për qytetarin. Këto janë përllogaritje të bëra nga vetë KLGJ, nëpërmjet aplikacioneve online, që sic e thamë më lartë vështirë se mund të merren për referencë në kushtet infrastrukturore të Shqipërisë.

 Në projektin e propozuar nga KLGJ, mungon një studim fizibiliteti sa i përket: (i) kostove të blerjes së hapësira, projektimit inxhinierik, ndërtimit të godinave të reja, sallave të gjyqeve, mobilimit, ndërtimit të sistemeve IT; (ii) kostot e mësipërme për prokuroritë; (iii) kostot vjetore të Drejtorisë së Burgjeve për t’i sjellë të paraburgosurit në gjykatat e shkallës së parë apo Apelin e Tiranë; (iv) kostot e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të transferohen në Tiranë, shpenzimet e tyre për akomodim, transport etj.

 Duke parë pak situatën në rajon, rezulton se përvec Kosovës, e cila ka një territor dhe popullsi shumë më të vogël se e jona, asnjë prej vendeve të tjera të rajonit nuk ka një gjykatë unike apeli. Për shembull, Kroacia ka 21 gjykata apeli dhe synon t’i ulë në 15; Sllovakia ka 8 gjykata apeli; Bosnja ka 16 gjykata apeli; Sllovenia dhe Maqedonia kanë nga 4 gjykata apeli. Pra, vende të ngjashme me vendin tonë, sa i përket sipërfaqjes dhe popullsisë, nuk kanë aplikuar modelin e një gjykate të vetme apeli.

Përplasje për hartën e gjyqësorit, Maks Haxhia: Avokatët s’e bëjnë bojkotin për xhepin, s’jeni seriozë! I përgjigjet Bushka: Mos na tregoni ne seriozitetin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook