Emisioni “Pikat mbi i” në News 24 u ndal sot te fati i Partisë Demokratike, teksa nuk është dhënë ende vendimi i Apelit lidhur me drejtimin e saj.
Analisti Artur Zheji u shpreh se faktet tani janë kokëforta dhe Berisha mbetet kryetar i PD-së, ndërsa sipas konstitucionalistit Shkëlqim Hajdari, gjykata nuk mund ta shqyrtojë çështjen jashtë radhës.
Zheji: Zvarritja shkon në favor të njërës palë, të grupit të Doktorit, dhe penalizon Alibeajn. Fituesi kryesor është Doktori në këtë rast. Doktori do të thotë që demokratët u shprehën me votë dhe gjykata do të na vijë pas. Kaq, shumë e thjeshtë.
Hajdari: Lidershipi në Shqipëri, qoftë Berisha apo ndonjë tjetër, japin mesazhe 30-vjeçare. Këto mesazhe nuk duhet t’i trembin gjykatat, por praktikisht edhe funksionojnë, sepse edhe gjykatësit e prokurorët janë pjesë e lidhjeve shoqërore. Por, ky proces është në grahmat e fundit, pra procesi i ndikimit politik te drejtësia.
Zheji: Nuk jam fare dakord. Ca në grahmat e fundit. Kjo drejtësi e pareformuar po prodhon vendime politike, të cilat zëre se gjykata është palë.
Hajdari: Ma more fjalën me dhunë. Ne duhet ta përshëndesim që çështjet po ndiqen radhazi, se kështu duhet të punojë drejtësia, pa u ndikuar. Drejtësia është drejtësi dhe ka rregulla, që i përcakton kodi. Në Apel asgjë nuk mund të shqyrtohet jashtë radhe, pikë. Gjyqtarëve nuk duhet t’u interesojë fare që kjo gjë po ndikon. Ata duhet të mbyllin sytë e veshët dhe të hapin provat që kanë përpara e të nxjerrin një vendim të ndershëm. Politika, qoftë ajo që qeverisë apo jo në opozitë, nuk ka më në dorë karrierën e gjyqtarëve. Tashmë gjyqtarët dhe prokurorët janë të mbrojtur. Historia e emërimit të tyre nga politika ka vdekur. Kemi krijuar një kornizë, në të cilën gjyqtarët dhe prokurorët, që e dinë mirë detyrën e tyre, janë tashmë të sigurt dhe ne shpresojmë për vendime të drejta, që nuk iu interesojnë politikanëve. Ndaj jam besimplotë që produkte nga drejtësia e re do të marrim.
Zheji: Deputetët që u bashkuan në protestë kanë bërë hapin e parë. Prandaj them që vendimi i Gjykatës në këtë rast ka qenë kundër fraksioneve dhe rrymave. Alibeaj dhe të tjerët duhet të jenë të pasigurtë sepse duhet të presin vendimin e Gjykatës. Është modë në Shqipëri që vendimet politike merren pa pritur vendimin e Gjykatës. Kjo e fundit bëhet pjesë e dobët e lojës së politikës.
Hajdari: Po të kishim minimumin e respektit ndaj demokracisë, besimin te gjykatat, të dyja palët duhet të bënin presion që të bëhej gjyq të shpejtë duke premtuar se do pranonin vendimin. Ne duhet të japim të gjithë përkrahjen te gjykatat.
Zheji: Faktet janë kokëforta, Berisha ngelet kryetar i PD-së, do apo nuk do gjykata. Berisha tha se do dyfishojë rrogat dhe pensionet sepse do luftojë korrupsionin në atë shkallë sa të gjejë paratë, ku i dihet.