Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj sëbashku me një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë ndodhen në një vizitë zyrtare në Washington DC.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook deputetja Gjonaj deklaron se delegacioni shqiptar, u prit nga drejtuesja e Shërbimit të Kërkimit Parlamentar në Kongresin amerikan, Mary Mazanec dhe Anthony, Drejtues i Njësisë së Projeksioneve në Divisionin e Analizës dhe Buxhetit të Kongresit.
Sipas deputetes Gjonaj kjo vizitë ishte mjaft e frytshme dhe përvoja e përfituar do të shërbejë për t’a zbatuar në kontekstin shqiptar në funksionimin e Institutit Parlamentar.
Gjatë qëndrimit në Washington DC, delegacioni nga Kuvendi i Shqipërisë u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i NDI-së, Dereck J. Mitchell, i cili gjatë takimit përgëzoi vullnetin politik të shprehur të Grupeve Parlamentare dhe angazhimin aktiv të deputetëve, anëtarë të Këshillit Drejtues për ngritjen dhe forcimin më tej të Institutit Parlamentar në Shqipëri, shkruan deputetja e PS, Etilda Gjonaj.
Gjithashtu delegacioni nga Kuvendi i Shqipërisë në Washtington DC zhvilluan një takim me kongresmenen Representative, Lisa McClain, bashkëkryetare e Grupit Parlamentar për Çështjet Shqiptare në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Në postimin e saj në rrjetin social facebook deputeja Gjonaj shkruan: “Zhvilluam një bisedë të këndshme për marrëdhëniet bilaterale 100 vjeçare, mbështetjen e vazhdueshme për reformën në drejtësi & shtetin e së drejtës, sfidat aktuale euro-atlantike si vende anëtare të Këshillit të Sigurisë, si edhe mbështetjen e SHBA-së për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”.