Partizani ka nisur sot përgatitjet për pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, ku të kuqtë do të nisin rrugëtimin që në turin e parë kualifikues. Një përgatitje e cila vjen me një skuadër që do të jetë shumë e ndryshme nga ajo e sezonit të kaluar, për shkak të largimeve të shumta të konfirmuara dhe të pakonfirmuara.
Në stërvitjen e sotme nuk kanë qenë të pranishëm Albion Marku, Esat Mala, Sherif Kallaku dhe Dean Liço që kanë mbyllur huazimet, Gresild Lika, Kristi Kote dhe Kristi Kullaj që kanë konfirmuar largimin e tyre nga klubi, si dhe Milan Mirosavljev, Aleksandar Damçevski dhe Stenio Zhunior, të cilët ende nuk kanë bërë zyrtare lamtumirën e tyre. I vetmi lojtar që mbyll kontratën me të kuqtë dhe që është stërvitur sot me ekipin ishte kapiteni Alban Hoxha.
Me skuadrën është bashkuar edhe Arçange Bintsouka, futbollisti 19-vjeçar me të cilin të kuqtë kanë gjetur një akord që në janar, por e kanë afruar vetëm në verë pasi ai mbylli kontratën me klubin e tij në Kongo.
Ekipi do të përgatitet këto ditë në Tiranë, para nisjes në Slloveni ku skuadra do të luajë tre miqësore, një nga të cilat me UTA Arad të Bathës e Hoxhallarit.
DENIS LALA-Arena e Lajmit
Loading…