“Stërvitja ka evoluar, shembulli im është Juventusi”, trajneri i portierëve të Teutës: Qirko të frymëzohet nga Shehi

Teuta ka pasur një prej mbrojtjeve më të mira të kampionatit në vitet e fundit, derisa fitoi titullin kampion në sezonin 2020-2021. Mirëpo, në kampionatin e fundit, si pasojë e largimeve të shumta që prekën veçanërisht prapavijën, problemet ishin të mëdha, teksa në 36 ndeshje skuadra pësoi plot 44 gola. Megjithatë, në portë te durrsakët u konfirmua Pano Qirko në sezonin e fundit, teksa mund të thuhet se bëri një paraqitje të mirë në kampionatin e parë me fanellën e Teutës.

6456456

Por çfarë ka ndodhur me portierët te “djemtë e detit” dhe pse ky sezon ishte zhgënjyes në tërësi për ekipin? Për këtë ka folur dje në një intervistë për “Panorama Sport” trajneri i portierëve, Bledian Rizvani. Ai ka analizuar kampionatin e fundit, por jo vetëm, duke treguar edhe detaje të punës dhe shembullin që ndjek për portierët.

Bledian, si e keni parë sezonin që u mbyll, çfarë mund të bënte më mirë Teuta?

Sezoni që u mbyll ishte disi zhgënjyes. Ne vinim nga një kampionat ku ishim shpallur kampionë dhe çdo ekip që kishim përballë, ishte 200% i karikuar kundër Teutës. Duhet të pranojmë se performanca jonë në lojë dhe vazhdimësia në rezultate la për të dëshiruar. Mendoj se në 5-6 ndeshjet e fundit të kampionatit, ekipi mori formë të mirë. Kishte vazhdimësi dhe dëshirë për të bërë mirë dhe po të kishte edhe disa ndeshje, me siguri do të kapnim një vend për Europën.

E mendonit në fillim se gjërat mund të shkonin kaq keq?

Gjërat shkuan keq që në fillim, por gjithmonë kisha bindje se ky grup mund të arrinte shumë, sepse e kishte forcën dhe kualitetin. Me pak fat mund ta mbyllnim më mirë sezonin.

Nga një ekip që pësonte pak, Teuta e merrte shumë lehtë golin këtë sezon. Çfarë ndodhi me mbrojtjen e skuadrës në tërësi?

Ekipi që nuk pësonte një vit më parë kishte emra shumë të rëndësishëm të kampionatit shqiptar, duke filluar nga Renato Arapi, Rustem Hoxha dhe portieri Stivi Frashëri. Të tre ishin një siguri e madhe. Por, ky repart pati ndryshim të madh këtë sezon, sidomos në qendër të mbrojtjes. Gjithçka u rregullua afër fundit dhe shkuam shumë mirë.

Jeni i kënaqur me paraqitjen e portierit Qirko apo keni rezerva?

Jam i kënaqur me paraqitjen e Panos në përgjithësi. Kam shumë besim tek ai, edhe pse mund të bënte akoma më shumë. Unë besoj se me punë Qirko do të arrijë majat e futbollit shqiptar.

Këtë sezon u afirmua edhe i riu Dema. Është porta një garanci për Teutën e kampionatit të ardhshëm?

Dema u afirmua dhe më kënaq shumë kjo gjë. Është kënaqësi që shikon të luajë një 17-vjeçar. Unë kam besuar që ai mund të luajë pa frikë në Superioren shqiptare. Besoj shumë, si tek Pano dhe Dema. Me bindje e them se janë një garanci për portën e Teutës.

Si trajner portierësh, a mund të na thoni se sa ka evoluar kjo detyrë në vitet e fundit dhe cilat janë risitë në punën që bëni?

Pa diskutim që ka evoluar shumë roli i trajnerit të portierëve. Personalisht kam katër vite që trajnoj. Së pari, kam një marrëdhënie të shkëlqyer më të gjithë portierët që stërvis. Të gjithë janë të barabartë për mua. Deri në tri orë qëndrojmë bashkë edhe jashtë stërvitjes. Unë në seancat që bëj ndjek shkollën italiane të portierëve. Ai që kam si shembull është më shumë Klaudio Filipi, i cili ka detyrën e trajnerit të portierëve të Juventusit. Edhe librat e tij i kam, kështu që marr gjithmonë ato teknikat e stërvitjes së portierëve që ai nxjerr.

Nga cili portier shqiptar duhet të frymëzohet Pano Qirko që ju stërvisni aktualisht te Teuta?

Qirko duhet të frymëzohet nga Orges Shehi, i cili ishte i vetmi portier shqiptar që arriti gjithçka në futboll, madje duke shkuar në grupe të Ligës së Europës me Skënderbeun, por edhe me Kombëtaren ishte në Europian. Edhe unë e kam pasur fatin kur isha i vogël të shikoja Shehin kur stërvitej dhe me çfarë pasioni e dëshire punonte. Mendoj që duke u përkushtuar dhe stërvitur me pasion, arrihet gjithçka, por që sigurisht duhet shumë fat dhe me shpresën te Zoti.

ZAMIR QYPI-Arena e Lajmit


Loading…

“Stërvitja ka evoluar, shembulli im është Juventusi”, trajneri i portierëve të Teutës: Qirko të frymëzohet nga Shehi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook