Një atentat i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në mbikalimin e Panajasë, në Vlorë, ku kanë mbetur të vdekur 2 persona. Viktimat udhëtonin me një mjet tip “Ford”, ndërsa mësohet se janë ndjekur nga autorët teksa kanë qenë në lëvizje.
Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se dyshohet së atentati ka qenë i mirëorganizuar dhe është bërë nga tre persona, të cilët kanë ndjekur dhe vëzhguar makinën që po udhëtonin viktimat, më pas i janë afruar paralel dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash, mbi 60 të plumba kallashnikovi.
Dyshohet se autorët kanë qenë një në rolin e shoferit te automjetit dhe dy në rolin e qitësit. Pak minuta pas ngjarjes, në afërsi të Levanit është gjetur dhe një mjet i djegur, që dyshohet se u përket autorëve të atentatit.
Sakaq, pritet që të sekuestrohen disa kamera sigurie, pasi dyshohet se autorët e kanë ndjekur mjetin e viktimave për një itinerar të gjatë.