Dibala dhe Di Maria, “paketa e plotë” për Inzagin dhe Alegrin/ Siguri e dyshime, çfarë i sjellin Interit dhe Juves sulmuesit

Rivaliteti historik i Inter it dhe Juventusit është shtrirë gjithmonë brenda dhe jashtë fushe. Këtë merkato përballja është nxehur edhe më shumë falë Paulo Dibalës, që pas lotëve të derdhur për lamtumirën ndaj bardhezinjve pritet të veshë fanellën zikaltër, një transferim me parametër zero që pritet me shumë kuriozitet.

dimariadybala

Por “Zonja” nuk ka qëndruar duarkryq dhe po sjell në Torino Angel di Marian, si një mënyrë jo vetëm për të kompensuar  humbjen e “La Joya”-s, por edhe për t’i siguruar Alegrit një skuadër konkurruese për sezonin e ardhshëm.

Thënë këto, të dyja klubet nuk kanë zyrtarizuar ende akordet me argjentinasin respektiv, tratativat për të cilët si për ironi të fatit pritet të mbyllen njëkohësisht ditën e enjte. 4 vite kontratë me 7 milionë euro në sezon plus bonuset për Dibalën nga ana e Interit dhe 7.5 milionë për një vit për Di Marian nga Juventusi janë ofertat që janë paraqitur, ndërkohë që përgjigjja e ish-sulmuesit të PSG-së nuk kërcënohet më as nga Barcelona që ka hequr dorë nga 33- vjeçari.

Në fund janë pikërisht këto ndërhyrje që pritet të përcaktojnë edhe ecurinë e sezonit të ardhshëm, në të cilin pa dyshim që Interi dhe Juventusi do të kërkojnë të fitojnë gjithçka, mbi të gjitha kundër njëritjetrit, pa lënë mënjanë edhe dëshminë e goditjes më të mirë.

6e11b19b9e

DIBALA – Paparashikueshmëri, dhe dyshime për rolin

Paulo Dibala do të shtojë paparashikueshmërinë, do të ngjallë intuitën, atë që në të gjitha sezonet e fundit ka munguar tek Interi.

Do të japë ndezjen e një intuite të papritur ose një të majtë të mprehtë. Luçiano Spaleti tek Antonio Konte e Simone Inzagi, zikaltrit në sezonet e fundit kanë qenë një skuadër masive dhe e fuqishme, por asnjëherë surprizuese në zhvillimin e lojës. Forca dhe sprintet kanë qenë mënyrat kryesore drejt fitores, gjithmonë me një Brozoviç që ruan strukturën e skuadrës.

DYSHIMET – Fantazisti i fundit i Interit ishte Kristian Eriksen, por danezi rrallë lëvizte në mbështetje të sulmuesit. Pas largimit të detyruar të tij mbërriti Çalhanoglu, me të cilin nuk ka rrezik të ngatërrohet roli, sepse Dibala është një sulmues i dytë ose mesfushor sulmues dhe mund të lëvizë fare mirë si krah lautaros, ashtu edhe pas tij.

Situata do të jetë më ndryshe nëse Lukaku rikthehet, pasi pavarësisht se sa shumë të gjithë duan t’i shohin të tre në fushë, hipoteza nuk është shumë praktike. Inzagi vështirë se do të tentojë një 3- 4-1-2 ose 3-4-2-1 aventuresk me Dibalën që nëse vendoset në shërbim të Lukakut mund të humbasë frymëzimin dhe kreativitetin.

3-5-2 është sistemi ideal për të, dhe numrat e konfirmojnë pasi Paulo ka prekur më shumë topa se të gjithë në sezonin e mbyllur të Serisë A, 246 të tillë. Çdo goditje e tij me të majtën mund të kthehet në asist ose goditje, dhe vendosja totalisht në shërbim të dikujt tjetër do ta kthente në një mesfushor të thjeshtë.

SIGURITË – Dibala e luan futbollin me këmbën e majtë, që i lejon praktikisht gjithçka. Në sezonin e fundit te Juve, i komplikuar për arsye të ndryshme, ai shënoi 10 gola dhe dha 5 asiste në kampionat. Katër nga dhjetë golat i shënoi me goditje në kufijtë e zonës ose jashtë saj dhe shoku i skuadrës me të cilin ndërveproi më shumë ishte Kuadrado: 123 herë ia pasoi topin kolumbianit dhe 163 herë u shërbye prej tij.

Ngelet të shihet nëse bashkëpunimi me Dumfrisin do të jetë po aq i mirë, por mbi të gjitha ngelet të shihet nëse Inzagi do t’i kërkojë atij këtë apo do t’i kërkojë më shumë bashkëpunim me Lautaron ose Lukakun. Ajo që shpresojnë të gjithë është që Dibala të ndihet në habitatin e tij dhe rreth tij të krijohet një ambient që t’i lejojë të shprehë të gjitha aftësitë e tij teknike, të cilat pa dyshim që mund t’i sigurojnë 28-vjeçarit rolin si drejtues i sulmit dhe si shënues, një paketë e plotë në shërbim të Inzagit dhe Interit.

DI MARIA – Frikëson mosha, por sa shumë eksperiencë

Me mbërritjen e Dushan Vlahoviçit Juventusi pa dyshim që kishte nevojë për një skuadër që të konkretizonte sulmet te serbi, të organizohej rreth tij për të furnizuar pykën e formacionit. Me sa kuptohet sot, Juventusi i ardhshëm do të luajë me 4-3- 3 dhe largimi i Dibalës, cilësia më e mirë e të cilit ngelet gjithsesi goditja, është edhe pasojë e këtij moduli. Nuk është rastësi që klubi kërkon një mesfushor si Pogba dhe një sulmues krahu si Di Maria për të realizuar të gjitha planet e Alegrit. Pikërisht argjentinasi është përforcimi që ka ngjallur kuriozitetin në Torino, aty ku po pritet transferimi i tij.

DYSHIMET – Di Maria ka 34 vite mbi shpatullat e tij dhe e gjithë ajo që ka bërë në karrierën e tij flet qartë për të, por pikërisht mosha është një faktor që nuk të jep sigurinë maksimale për operacionin. Thënë këtë, jo vetëm për sa i përket formës fizike, por dyshime mund të ngrihen edhe për motivimin e tij. Ish-sulmuesi i PSG-së ka nisur fazën e fundit të karrierës dhe e di se eksperienca e radhës është vetëm një stacion para se të mbyllë karrierën në vendlindje. Ajo që shpreson Juventusi është se Botërori i Katarit do të jetë një arsye e mjaftueshme që Di Maria të bëjë maksimumin për të qenë prezent dhe pse jo për të bërë t’i ndihet mungesa bashkëkombësit të tij, Dibala, në Torino.

SIGURITË – Me të Alegri do të kishte një skuadër më të përqendruar dhe mbi të gjitha do të ishte një shtytës ideal për Vlahoviçin, i cili në muajt e tij të parë te Juventusi shpesh i duhej të kthehej shumë pas për të marrë topa, ndërkohë që nëse sezonin e ardhshëm Di Maria do t’u shtohet kroseve të Kiezës, Lokatelit e Pogbasë, serbi do të bëhej i pandalshëm. Angel driblon, ka teknikën dhe leximin e lojës së një kampioni absolut dhe ka pa dyshim eksperiencën për të kuptuar momentet vendimtare dhe për të ndihmuar shokët me më pak përvojë.

Di Maria luan në të djathtë, fokusohet dhe liron hapësirën për mbrojtësin e krahut që vjen pas tij ose për mesfushorin që hyn. Me të në fushë, Kiezës mund t’i duhet të lëvizë majtas, zonë në të cilën ai është më pak komod në fazën e gjuajtjes dhe kontrollit, por që në Europian me Italinë ka treguar se i lejon të përqendrohet më shumë te goditjet. Jo vetëm faktor për skemën dhe shokët, por 34-vjeçari di si fitohet dhe mund të sigurojë lojtarin që zgjidh ndeshjet e mëdha e momentet kyçe, një pikë e dobët në Juventusin e viteve të fundit.

Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit


Loading…

Dibala dhe Di Maria, “paketa e plotë” për Inzagin dhe Alegrin/ Siguri e dyshime, çfarë i sjellin Interit dhe Juves sulmuesit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook