Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi dy ditë më parë, ku një vajzë 6-vjeçare me origjinë shqiptare është mbytur në plazhin e Korinthit.
Tronditëse është dyshimi se e mitura është lënë të mbytet nga babai i saj, i cili është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim deri në sqarimin e plotë të rastit.
Mediat greke bëjnë me dije se e vogla ka qenë duke notuar me jelekun mbrojtës, në sy të të atit, por në momentin që ai ka tentuar ta marrë sipër në varkë, e mitura ka rrëshqitur nga jeleku dhe është mbytur. Babai i saj ka thënë se nuk u zhyt për ta shpëtuar pasi vuan nga astma.
Gjashtë vjeçarja është pikasur nga një peshkatar nën një varkë të ankoruar dhe është transportuar me ambulancën e EKAB në Spitalin e Përgjithshëm të Korinthit, ku është konstatuar e vdekur.
Ndërkohë, ditën e ngjarjes shqiptari kishte marrë vajzën e tij nga ish-gruaja dhe kishin shkuar për plazh. Hetimet vijojnë.