EKSKLUZIVE/ Flet aksioneri i ri i Dinamos, Gjidodaj: Asnjë problem financiar, ringrihemi dhe bëjmë stadiumin

Dinamo ka mbyllur dje stërvitjen dhe sezonin, fundi i të cilit ishte dramatik, me rënien e skuadrës në Kategorinë e Parë. Tani misioni i rikthimit fillon nga e para dhe në këtë mision presidenti Adrian Bardhi do të ketë edhe ndihmën e ortakut Kristjan Gjidodaj. Të dy kanë bërë gati tashmë planin për ringritjen e klubit në të gjitha hallkat e tij.

kristian gjidodaj

Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai prek që të gjitha pikat ku do të bazohet ky projekt. Ai thekson se Dinamo do të synojë rikthimin në elitë dhe Kupën e Shqipërisë sezonin e ardhshëm. “Dinamo ka mbyllur sezonin 2021-2022. Kemi vendosur që ekipi të grumbullohet për të nisur përgatitjet e sezonit të ri më datë 10 korrik. Objektivi ynë është i qartë: Dinamo do të jetë pretendente për titullin kampion të Kategorisë së Parë dhe do të tentojë të fitojë Kupën e Shqipërisë. Dua të sqaroj se nuk ka pasur dhe nuk ka luftë nervash mes lojtarëve dhe klubit. Nuk ka as paga të prapambetura te Dinamoja, nuk ka as që me dëshirë të njëanshme të largohesh i lirë. Dinamo u është përgjigjur dhe do t’u përgjigjet me përpikëri të gjitha kontratave të depozituara në FSHF dhe në FIFA”, u shpreh fillimisht ai për situatën te blutë.

SKUADRA E RE – Do të ndërtohet një skuadër ambicioze, por pjesë e organikës do të jenë edhe një pjesë e titullarëve që nuk janë larguar. “Pas një analize të gjatë, kemi vendosur që një pjesë e mirë e lojtarëve të jenë pjesë e projektit të Dinamos për sezonin e ri. Këtë vendim e kemi marrë duke pasur parasysh vlerat, eksperiencën, moshën dhe perspektivën e këtyre lojtarëve. Ibraimi, Sofranak, Siljanovski dhe Isaevski nuk do të jenë më pjesë e skuadrës. Kemi zgjidhur kontratën me dakordësi, pra me marrëveshje. I falënderojmë këta lojtarë për kontributin e dhënë dhe u urojmë suksese në karrierën e tyre. Ju siguroj se po punohet për forcimin e skuadrës me lojtarë cilësorë, me lojtarë të perspektivës që do të pasqyrojnë filozofinë dhe vlerat dinamovite”, theksoi Gjidodaj.

PRIORITETET – Projekti i drejtuesve shkon larg, por prioritet mbetet infrastruktura. “Bashkë me presidentin Bardhi kemi vendosur prioritetet e projektit tonë, që janë afatshkurtra dhe afatgjata. Kryesori është që brenda 2 viteve në vazhdim të kemi shtëpinë tonë. Krahas kompleksit sportiv me kushte moderne, do të kemi edhe hotelin tonë për të akomoduar lojtarët e talentuar të akademisë, të cilët do të përfitojnë bursa nga klubi. Te kjo pjesë kam edhe një sfidë me veten. Synoj dhe pretendoj të kemi një akademi të niveleve të larta në të gjitha pikëpamjet. Qëllimi ynë është që të zhvillojmë lojtarë për tregun europian dhe atë vendës. Projekti afatgjatë është që brenda 5- vjeçarit të ardhshëm të kemi stadiumin tonë, të kemi shtëpinë e Dinamos. Do investojmë te burimet njerëzore si themel i fortë i ringritjes dinamovite. Dinamo meriton të ketë në gjirin e saj individë me cilësi njerëzore dhe profesionale të spikatura. Do të hartojmë politikat e duhura për riorganizimin e tifozërisë dhe ‘fan club’-eve të Dinamos”, ka shtuar më tej Gjidodaj.

TRAJNERI – Për stolin nuk ka asgjë konkrete, ndonëse Artan Mërgjyshi deri para një jave ishte shumë pranë Dinamos. “Jemi duke punuar për të zgjedhur trajnerin që t’i përshtatet sa më shumë filozofisë së Dinamos. Kemi 2-3 alternativa, që po i vlerësojmë. Dhe shumë shpejt do të zyrtarizojmë emrin e trajnerit të ri”, përfundoi drejtuesi i klubit blu.

FATJON RUPI – Arena e Lajmit


Loading…

EKSKLUZIVE/ Flet aksioneri i ri i Dinamos, Gjidodaj: Asnjë problem financiar, ringrihemi dhe bëjmë stadiumin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook