Ndonëse akuzohet për plagosje dhe dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duket se një i ri shqiptar nuk stepet nga kërcënimet, ndonëse ndodhet në bankën e të akuzuarve. E tillë është historia e 34-vjeçarit shqiptar me inicialet T.L., që jeton në Volos, i cili ka kërcënuar sërish se do ta vrasë ish-gruan e tij 26-vjeçare, me të cilin kanë një fëmijë 5 vjeç.
Historia e dhunës në familjen shqiptare kishte nisur prej kohësh derisa e reja kishte bërë padi në polici, pasi deklaronte se i kërcënohej jeta nga dhuna dhe kërcënimet që burri i saj i bënte. Mediat greke raportojnë se shqiptari kishte arritur deri aty sa ta kërcënonte gruan me kaçavidë në sy të fëmijës së tyre.
Në gjyqin e parë të mbajtur, burri u la i lirë. Por vazhdimi u kthye në qendër të vëmendjes për jetën e 26-vjeçares.
Edhe pse gruaja ka vazhduar jetën pas ndarjes nga burri, ky i fundit duket se nuk e respektonte vendimin e saj dhe vijonte abuzimet. I akuzuari është ulur sërish në bankën e të akuzuarve për dhunë në familje, kërcënim, fyerje dhe dëmtime ndaj ish-gruas. Në aktakuzë renditen katër vepra penale. Dhuna verbale me kërcënime dhe sharje nga i akuzuari ndaj viktimës, si “do të vras, do të marr fëmijën”, kanë qenë disa nga akuzat ndaj tij. I pandehuri nuk ka ngurruar të ushtrojë dhunë fizike, duke e goditur me shqelma dhe duke kërcënuar 26-vjeçaren me inicialet K.P., për të penguar largimin e saj nga banesa e tyre.
Po ashtu mësohet se shqiptari kishte shkatërruar dhe motoçikletën e gruas, duke i thyer feneret. Vetëm një muaj më parë, 26-vjeçarja ishte zhvendosur në një vend të sigurt, në një hotel, për t’u larguar nga bashkëshorti i saj. 26-vjeçarja pohoi pak kohë më parë para gjykatës dhe gazetarëve për ish-bashkëshortin e saj: “Mos e besoni, ai do ta bëjë përsëri, dijeni se së shpejti do raportoni për mua. Do të më vrasë!” .
Arena e Lajmit