Kanë kaluar 20 vite nga një ndeshje që do të kujtohet gjatë. Koreja e Jugut mundi Italinë në 16-she të Botërorit 2002 që organizohej në vendin aziatik me një “gol të artë” të Jung-huan Ahn. Një rezultat 2-1 që eliminoi italianët dhe u bë objekt diskutimesh për më shumë se një dekadë me vendimet e gjyqtarit Bajron Moreno që komentohen edhe sot e kësaj dite.
Pikërisht heroi i koreano-jugorëve, Ahn, ka kujtuar ato momente historike në një intervistë për “La Gazzetta Dello Sport”. “Unë kam të njëjtat kujtime si të ishte 20 vite më parë. Ishte një ndeshje speciale për mua dhe për vendin tim. Askush nuk e besonte që mund të arrinim të mposhtnim Italinë. Pas gjithë kësaj kohe flitet ende për vendimet e gjyqtarit, por mjafton të shohësh përgatitjet që kishim bërë, mënyrën tonë të lojës. Hidink na kishte bërë një skuadër të fortë fizikisht dhe psikologjikisht. Nuk kishim frikë nga askush.
A e merituam fitoren? Po, mjafton të shohësh rezultatet e kombëtares në ndeshjet miqësore para turneut, kemi humbur vetëm 2 nga 8, ndaj Francës dhe Uruguait. Pastaj puna e madhe që bëri Hidink na bëri lojtarë të ndryshëm, e ndjenim që ishim surpriza e madhe e Botërorit.
Ne kemi respektuar gjithmonë vendimet e gjyqtarëve, janë përfundimtare dhe të pakthyeshme. Përtej fakti se Moreno mund të ketë bërë ndonjë gabim, pa VAR-in çdo vërshëllimë ishte një problem. Ne pranonim çdo gjë, edhe nëse rezultati me raste ishte i dhimbshëm. E vërteta është që ne e kishim përgatitur mirë ndeshjen me Italinë. Kishim analizuar në detaj çdo lojtar të Italisë”, tregoi ish-sulmuesi koreano-jugor i cili shënoi golin në shtesë që i dha fitoren skuadrës së tij.
Arena e Lajmit
Loading…