Çështja “Ervis Martinaj” vijon të jetë e mbushur me mister dhe të mbetet kryefjala e ditës në Shqipëri, kjo edhe pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama drejtuar kreut të ri të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, për të zbuluar medoemos nëse e kanë vrarë ose është gjallë.
E teksa policia pritet të hidhet në “sulm” për të gjetur të shumëkërkuarin e drejtësisë, gazetari Artan Hoxha vijon të këmbëngulë se Martinaj nuk ka qenë një njeri i zakonshëm, pasi sipas tij ai evoluoi botën e krimit dhe krijoi një miksim mes biznesit të ligjshëm dhe atij të paligjshëm, me botën politike.
Por, sipas Hoxhës sado të fuqishme dhe me financa të shëndosha të ketë qenë aleanca e ndërtuar nga Martinaj, ajo e grupit rival, për të cilën gazetari pretendon se e ka rrëmbyer dhe eleminuar ka lidhje më të forta me autoritetet shtetërore.
“Vis Martinaj është rrëmbyer në momentin që ishte njeriu më i kërkuar në Shqipëri. Aleanca e krimit është një aleancë mes grupeve të fuqishme. Vis Martinaj nuk ishte një personazh i zakonshëm i botës së krimit, ai evoluoi botën e krimit, miksoi biznesin e ligjshëm me atë të paligjshëm, botën politike. Ai bëri një miksim të strukturës së krimit të organizuar në Shqipëri. Aleanca që e ka kryer këtë atentat kanë dëshmuar që kanë lidhje shumë më të fuqishme me autoritetet. Tani do të jetë shumë e vështirë të rikthehet kontrolli i rendit dhe sigurisë. Nuk kemi të bëjmë me organizata që merren me krim ordiner, por me organizata që kanë buxhet më të madh se ministria e Brendshme. Sot e kësaj dite ne ende nuk e dimë, autoritete nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje se çfarë ka ndodhur”, tha Artan Hoxha për ABC.